E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE, rezoluta:Vendet e BE tënjohin Kosovën

BRUKSEL- Komiteti i marrëdhënieve me jashtë në Parlamentin Europian, do të mirëpriste njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjithë vendet anëtare të BE-së. Duke pasur parasysh shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 18 Shkurt të vitit 2008, e cila është njohur deri më tani nga 66 shtete, rezoluta thekson se 22 vende anëtare të Bashkimit Europian e kanë njohur pavarësinë, ndërsa pesë vende të tjera nuk e kanë bërë këtë.

Ky komision konsideron se Serbia duhet “të veprojë në mënyrë pragmatike ndaj statusit të Kosovës”, megjithëse e kupton se “pranimi i Kosovës, tani për tani, nuk është mundësi politike për udhëheqjen në Beograd”, theksohet mes të tjerash në tekstin e rezolutës, të cilën sot e ka miratuar komisioni i marrëdhënieve me jashtë në Parlamentin Europian në Bruksel.

Ky komision, për të parën herë, e ka miratuar amandamentin, në të cilin thuhet se “do ta kishte përshëndetur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”. Këtë amandament, që u miratua me 31 vota pro dhe 27 kundër, e propozoi deputetja nga Belgjika, Anemi Nejts-Ejtebruk. Gjithashtu u miratua edhe rezoluta ku thuhet se “merret në dijeni se shumica e fqinjëve e kanë pranuar Kosovën”. Deputetja austriake, Ulrike Lunaçek, këtë e cilësoi, në masë të caktuar, si njohje të pavarësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian.

Deputetët e Parlamentit Europian bëjnë gjithashtu thirrje që Kosova duhet të përfitojë nga liberalizimi eventual i vizave sapo të gjitha kushtet të plotësohen. Deputetët i bëjnë thirrje autoriteteve kosovare që të ndërmarrin reformat e nevojshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar që mbetet një nga problemet kryesore në këtë vend. Një tjetër shqetësim për komisionin e marrëdhënieve me jashtë në Parlamentin Europian mbetet veriu i Kosovës ku vihen re probleme në funksionimin e shtetit ligjor si dhe në presion në rritje nga grupet radikale.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›