E Diel, 1 Nëntor 2026

PE tërhiqet: Nuk mundëm ta zgjidhim krizën

Pavarësisht se pak javë më parë u ndërmor një iniciativë nga dy drejtuesit e dy grupimeve kryesore në PE, Joseph Daul dhe Martin Schultz, përpjekja e tyre përfundoi pa asnjë rezultat.

Daul dhe Schultz kanë publikuar dje një deklaratës, ku shprehen se opozita dhe maxhoranca në Shqipëri nuk mundën të gjejnë një zgjidhje. "Na vjen sinqerisht keq që qeveria shqiptare dhe opozita nuk mundën të kapërcejnë diferencat mes tyre, duke mos qenë kështu në gjendje për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm të domosdoshëm për të arritur ambiciet evropiane të vendit", thuhet në deklaratë.

Ata shprehen më tej, se si opozita ashtu edhe qeveria duhet të plotësojnë kriteret e Kopenhagënit për t’i dhënë mundësi kështu integrimit të Shqipërisë. "Ne vazhdojmë të mbështesim rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian sipas kritereve të Kopenhagënit, sikundër dhe kritereve të përcaktuara në konkluzionet e Këshillit Europian të dhjetorit 2006, mbi konsensusin e ripërtërirë për zgjerimin. Në këtë kontekst, ne shpresojmë që lidershipi politik shqiptar kupton mirë se kapërcimi i kundërshtimeve aktuale politike është kyçe për përparimin e vendit në integrimin evropian dhe për promovimin e aspiratave evropiane të qytetarëve shqiptare", thuhet më tej.

Në fund të deklaratës, Daul dhe Schultz, kanë kërkuar nga opozita dhe qeveria që të punojnë së bashku për realizimin e një reforme zgjedhore. "Ne i kërkojmë opozitës shqiptare të qëndrojë në Parlament e të vazhdojë punën e saj. Në të njëjtën kohë, ne presim që qeveria të punojë së bashku me opozitën për synimin e një reforme të sistemit zgjedhor dhe procedurave parlamentare".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›