E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE, thirrje Ramës: Fut opozitën në Kuvend

Parlamenti Evropian përmes zëvendëspresidentes Angelilli i drejtoi sërish dje një apel të fortë opozitës shqiptare që të kthehet në Parlament dhe të kontribuojë në proceset integruese të vendit. Vetëm disa orë pas përfundimit të tryezës pozitë-opozitë në selinë e Presidencës, znj. Angelilli përmes një deklarate zyrtare kërkoi nga PS-ja dhënien fund të bojkotit. Roberta Angelilli, zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian, deklaroi: “Opozita të kthehet në Parlament dhe ajo të bashkëpunojë me qeverinë”. Ajo kujtoi se Parlamenti Evropian, në rezolutën e miratuar ka njohur progresin e bërë nga Shqipëria dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe administrativ të procesit elektoral që u reflektua dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare”. Më tej, në deklaratën e saj, Angelilli shtoi: “Në të njëjtën kohë, selia e Strasburgut ka kërkuar që opozita të mbyllë bojkotin e Parlamentit, duke e ftuar të kryejë obligimin e përfaqësimit të zgjedhësve të saj në Parlament”. Duke u ndalur në ngërçin politik, ajo verën: “Bashkohem me deklaratat e formuluara nga z. Joseph Daul, president i Grupit të Partive Popullore Evropiane që ka kujtuar faktin se është shumë e rëndësishme të kihet parasysh që vëzhguesit ndërkombëtarë që morën pjesë në monitorimin e zgjedhjeve të qershorit 2009, nuk evidentuan asnjë parregullsi në procesin zgjedhor”. “Ajo që dua të them, - vijon Angelilli, duke përmbyllur deklaratën e saj, - është që partia e opozitës shqiptare të kthehet në Parlament dhe të bashkëpunojë me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike nga qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të mund të garantohen reformat e nevojshme për Shqipërinë që ajo të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›