Berisha: Gati të zbatojmë rezolutën e KE-së
Kryeministri Berisha ka shprehur dje gatishmërinë e mazhorancës për të zbatuar pikë për pikë rezolutën e Këshillit të Evropës për ngërçin politik në Shqipëri. Menjëherë pas daljes nga takimi, ai tha falënderoi Presidentin e Republikës për ftesën, duke e konsideruar tryezën një përpjekje pozitive dhe serioze. “Dua të falënderoj Presidentin e Republikës për ftesën dhe të shpreh bindjen time se tryeza e thirrur nga ai ishte një përpjekje pozitive dhe serioze.
Aty ne patëm një shkëmbim të hapur të mendimeve dhe pikëpamjeve. Ne ramë dakord që Presidenti i Republikës të vazhdojë të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergjencave për çështje bazuar në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it”, - tha Berisha.
Më poshtë, Kryeministri theksoi: “Jemi dakord për të plotësuar të gjitha kërkesat e rezolutës parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat janë vlerësuar nga 510 vëzhgues ndërkombëtarë si zgjedhjet që plotësuan shumicën e angazhimeve të OSBE/ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt. Po në këtë kontekst, në kuadër të rezolutës së KE-së dhe raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, koalicioni qeveritar i ofron zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe mazhoranca do t’i votojë ato. Sikundër jemi të gatshëm të ngremë komisionin hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga kuorumi i tij”.
Berisha shpjegoi më poshtë gatishmërinë e tij për kompromis. “Unë garantova Presidentin e Republikës dhe zotin Edi Rama se ne jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme, për të gjitha çështjet zgjedhore, bilaterale, pra mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në këtë kontekst, unë i propozova zotit Rama të listojë të gjitha çështjet dhe problemet e lidhura me zgjedhjet, që ekzistojnë mes mazhorancës dhe opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do t’i trajtojmë ato në mënyrën më serioze dhe më konstruktive”.
Më tej, Berisha theksoi qëndrimin e tij në raport me vendimin e gjykatës zgjedhore. “Natyrisht, unë nuk mund të trajtoj problemet zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit. Problemet me vendimet e gjykatave nuk janë probleme midis partive, por janë çështje që secila prej partive ka me pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij, - tha Kryeministri. - Ju e dini se për Partinë Demokratike, në mënyrë të përsëritur, Gjykata e Apelit dhe Kolegji Zgjedhor kanë dhënë vendime të disfavorshme, madje edhe në zgjedhjet e fundit. Por unë nuk i kam bërë asnjëherë ato probleme ndërpartiake, sepse ato kanë qenë probleme midis Partisë Demokratike dhe pushtetit gjyqësor, vendimet e të cilit kemi qenë dhe jemi të detyruar t’i pranojmë. E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Socialiste”, - vijoi Berisha.
Deklarata shpjegon rastet se kur gjykata zgjedhore ka rrëzuar kërkesat e PD-së për rinumërim dhe cila ka qenë sjellja e kësaj partie pas këtij vendimi. “Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë jo vetëm kërkesën e zotit Rama për rinumërim të votave në disa zona, por ajo ka hedhur poshtë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërim në distriktin e Fierit, sepse bazuar në nenin 116 të Kodit Elektoral, i cili sanksionon se rinumërimi i votave mund të bëhet vetëm në raste kur ka kundërshtime gjatë procesit të numërimit të tyre, gjykata konkludoi se nuk mund të ketë rinumërim të votave pa kundërshtime gjatë numërimit të tyre. Përveç kësaj, Gjykata e Apelit shpalli të pavlefshme, me kërkesë të PS-së, 512 votat e komunës Rushdije, vetëm pse fletët e votimit nuk kishin dy vula, por vetëm një (për arsye se njërën vulë e mori komisioneri i Partisë Socialiste dhe u largua nga qendra e votimit gjithë ditën) dhe në këtë mënyrë i dha mandatin Partisë Socialiste.
Natyrisht, këtë vendim PS e pranon, por ajo nuk pranon vendimin tjetër, me të cilin Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë kërkesën e saj për rinumërim të votave.
Unë nuk kam akuzuar zotin Rama se më grabiti mandatin për Rushdijen. Jo! Mandati iu mor Partisë Demokratike nga Gjykata e Apelit dhe unë e kam pranuar këtë vendim”, - ka shpjeguar Kryeministri Berisha e në të njëjtën kohë edhe kryetar i PD-së.
Në mbyllje të deklaratës së tij, fill pas takimit në Presidencë, Berisha ka siguruar se çdo çështje mund të zgjidhet, ndërsa ato që lidhen me vendime gjykatash, zgjidhen me gjykatat. “Çështje të cilat Partisë Socialiste ia ka hedhur poshtë gjykata, janë çështje mes saj dhe pushtetit gjyqësor dhe jo mes saj dhe Partisë Demokratike. Duke respektuar këto parime, mendoj se çdo çështje tjetër mund të zgjidhet. Unë dua të siguroj qytetarët shqiptarë se ne mbetemi të vendosur të japim të gjithë ndihmesën tonë për një rezultat pozitiv të dialogut”, - përfundoi Kryeministri Berisha.