Tri orë pa kompromis, dialogu vazhdon...
Në selinë e Presidencës hynë kryelartë dhe me hapin e madh drejt godinës trekatëshe. Portën e Presidencës e kaluan njëri pas tjetrit. I pari, kreu i shtetit, Bamir Topi, pas tij kryesocialisti Edi Rama dhe kur duhej edhe një minutë të arrinte ora fikse e takimit, portën e hekurt e kaloi edhe lideri i mazhorancës, Sali Berisha. Presidenca theu protokollin për të vendosur barazi mes palëve, teksa lejoi edhe kryesocialistin Rama të hynte nga hyrja kryesore e Presidencës. Palët lanë pas komunikimin në distancë për të komunikuar ballë për ballë dhe të tre bashkë u takuan në sallën hyrëse të ndërtesës trekatëshe. Kamerat u lejuan vetëm disa çaste për sekuenca filmike dhe fill pas ikjes së tyre, Topi, Berisha, Rama, Patozi dhe Ruçi nisën diskutimin e gjatë prej tri orësh. Ora 11:00 e ditës së djeshme shënoi uljen në një tryezë të përbashkët, të drejtuar nga Presidenti Bamir Topi, të Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Burime të brendshme bëjnë të ditur se i gjithë diskutimi është bazuar në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Mësohet se hapësira më e madhe i është lënë opozitës, ku z. Rama ka renditur njëra pas tjetrës të gjitha pretendimet për manipulim të zgjedhjeve. Çështja më delikate konfirmohet të ketë qenë ajo e kutive, ndërkohë që kreu i mazhorancës është shprehur se është gati të plotësojë çdo kërkesë me përjashtim që asaj që bie ndesh me vendimet e gjykatës. Burimet sqarojnë se tri orët brenda në Presidencë janë shoqëruar edhe me debate, por jo me tone të larta, ndërkohë që herë pas here ka ndërhyrë edhe kreu i Asamblesë Parlamentare të PS-së, z. Ruçi, por që nuk ka arritur dot të cenojë ecurinë normale të tryezës së përbashkët. Gjithashtu, konfirmohet fakti se Presidenti Bamir Topi nuk ka paraqitur një draft-marrëveshje për palët, duke preferuar, më parë, të dëgjojë pretendimet dhe argumentet e socialistëve dhe demokratëve për mënyrën e zgjidhjes së ngërçit politik që nisi prej 6 muajsh, kohë kur opozita vendosi të mos hynte në Kuvend. Të ndërgjegjshëm se tri orët e përballjes me njëri-tjetrin nuk do të mund të arrinin një kompromis konkret, palët ranë dakord që bisedimet të vijonin edhe ditët e ardhshme. Në këtë pikë mësohet të ketë ndërhyrë kreu i shtetit, teksa është shprehur se mirë do të ishte që zgjidhja të gjendej para datës 22 shkurt, kohë kur mbërrijnë në Tiranë përfaqësuesit e lartë të KE-së. Por ky moment ka hapur diskutimin nëse takimet e ardhshme do të jenë të një formati të tillë si ai i djeshmi apo në nivele më të ulëta, ekspertësh. Duket se kjo e fundit nuk është mirëpritur dhe aq mirë nga kryesocialisti Edi Rama, i cili ka pretenduar takime vetëm me Kryeministrin Berisha. Burimet sqarojnë se palët nuk kanë mundur dot të përcaktojnë formulën e re të takimit të ri, as dhe një datë të saktë, ndërkohë që i është lënë kompetencë e plotë vet[ kreut të shtetit, Bamir Topi. Ai do të njoftojë vendimin që do të marrë për negociatat e ardhshme pozitë-opozitë. Gjithsesi, pas tri orëve diskutim brenda mureve të Presidencës, që nisën në orën 11:00 dhe u mbyllën në orën 14:00, palët janë të hapura për vijimësinë e dialogut që do të sjellë një zgjidhje të afërt të ngërçit politik.