PEKIN – Kina i ofron BE-së partneritet për t’i rezistuar kërcënimeve tarifore të SHBA-së

PEKIN, 28 mars /ATSH/- Kina është e gatshme të punojë me Bashkimin Evropian për t’i rezistuar proteksionizmit, tha zëvendëskryeministri He Lifeng, duke iu drejtuar komisionerit Evropian për Tregtinë, Maros Sefcovic, në një ftesë për të bashkuar forcat në kundërshtimin e kërcënimeve në rritje të tarifave tregtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas “Reuters”.
“Kina është gjithashtu e gatshme të punojë me BE-në për të mbrojtur sistemin global të tregtisë shumëpalëshe”, tha zëvendëskryeministri He Lifeng gjate nje takimi me Sefcovic, në Pekin, sipas “Hsinhua”.
Komisioneri i tregtisë i Bashkimit Evropian (BE) Maros Sefcovic zhvilloi dje bisedime me zyrtarë të lartë ekonomikë në Pekin, ndërsa udhëheqës i lartë kinez bëri thirrje për bashkëpunim global kundër proteksionizmit.
Ding Xuexiang, figura e rangut të gjashtë në hierarkinë e Partisë Komuniste, i tha Forumit Boao për Azinë se Kina do të hapej më gjerë ndaj botës pavarësisht nga ngjarjet e jashtme.
“Ne duhet të mbrojmë së bashku sistemin e tregtisë së lirë, të mbështesim rajonalizmin e hapur dhe të kundërshtojmë fuqimisht proteksionizmin e tregtisë dhe investimeve”, i tha ai një auditori të liderëve politikë aziatikë, diplomatëve dhe figurave të biznesit në forumin në ishullin jugor kinez, në Hainan.
Sefcovic mbërriti në Pekin pas bisedimeve me zyrtarët e tregtisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një përpjekje për të shmangur tarifat e larta për mallrat e BE-së, Donald Trump ka premtuar të vendosë më 2 prill, krahas tarifave prej 25% për makinat e importuara që presidenti njoftoi të mërkurën.
Bisedimet e Sefcovic në Pekin vijnë disa ditë pas vizitave të ministrave të Jashtëm të Francës dhe Portugalisë dhe përpara një vizite të pritshme të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez.
Forumi Boao për Azinë, një takim vjetor katërditor i politikanëve aziatikë, diplomatëve dhe figurave të biznesit në ishullin jugor kinez, Hainan, u fokusua në kërcënimin e tarifave të SHBA-së dhe perspektiva e një lufte tregtare globale.
Ekonomisti Stephen Roach paralajmëroi se 2 prilli, të cilin Trump e ka quajtur “Dita e Çlirimit” mund të hyjë në histori si dita kur përfundoi globalizimi, ashtu si Akti i Tarifave Smoot-Hawley i vitit 1930, pas të cilit tregtia globale u tkurr me 60%. //a.i/