E Martë, 3 Nëntor 2026

MOSKË – Rusia dhe Kina do të diskutojnë luftën në Ukrainë në takimin e javës së ardhshme

MOSKË, 28 mars /ATSH-DPA/- Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Kinës kanë planifikuar të diskutojnë luftën në Ukrainë në një takim javën e ardhshme, tha sot Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.

“Ndër çështje të tjera ndërkombëtare, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij kinez, Wang Li do të diskutojnë perspektivat për zgjidhjen e krizës në Ukrainë”, tha ministria.

“Në agjendën e takimit të tyre në Moskë janë edhe çështje dypalëshe”, thuhet në deklaratë.

Kina është një aleat i ngushtë i Rusisë. Megjithatë, Pekini është kritik ndaj faktit se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po shkakton trazira të mëdha ndërkombëtare.

Një plan paqeje i propozuar nga udhëheqja kineze u refuzua nga Ukraina pasi ishte afër pozicioneve të Rusisë.

Nëse Kombet e Bashkuara do të luanin një rol në një marrëveshje, Kina do të kishte të drejtën e vetos si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Presidenti rus, Vladimir Putin sugjeroi dje në mbrëmje administrimin e përkohshëm për Ukrainën nën kujdesin e OKB-së, me qëllim organizimin e zgjedhjeve “demokratike” dhe më pas negocimin e një marrëveshjeje paqeje me autoritetet e reja.  //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›