E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE ofron ndihmë satelitore pas tërmetit të fuqishëm në Mianmar dhe Tajlandë

BRUKSEL, 28 mars /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian ka ofruar ndihmë satelitore për vendet e prekura nga tërmeti, Mianmar dhe Tajlandë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha sot në platformën X se imazhet në Mianmar dhe Tajlandë ishin “zemërthyese”.

Satelitët “Copernicus” të Bashkimit Evropian po ndihmojnë tashmë ekipet e reagimit te parë”, tha Von der Leyen duke shtuar se BE-ja ishte e gatshme të ofronte më shumë mbështetje.

“Copernicus” është një program i BE-së për vëzhgimin e hapësirës – që ka një politikë me burim të hapur në përputhje me parimet ndërkombëtare të shkëmbimit të të dhënave, dhe mund të ofrojë harta të detajuara të zonave të prekura nga tërmeti.

Një tërmet i fortë me epiqendër në Mianmar tronditi sot disa vende në Azinë juglindore.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) raportoi një tërmet të fuqishëm me magnitudë 7,7 balle rreth orës 12:50 pasdite.

USGS tha se epiqendra ishte rreth 16 kilometra nga qyteti i Sagaing në Mianmarin veriperëndimor.

Pak minuta më vonë, USGS regjistroi edhe një tjetër tërmet në jug, me magnitudë 6,4 ballë.

Të paktën 10 persona vdiqën pas shëmbjes së një xhamie – gjatë një shërbimi në qytetin Mandalay në Mianmarin qendror.

Tërmeti tronditi edhe kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, ku toka u trondit për disa minuta dhe njerëzit u larguan nga shtëpitë e tyre në panik. Sirenat mund të dëgjoheshin disa orë pas goditjes së tërmetit.

Lëkundjet u ndjenë gjithashtu në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, si dhe në disa pjesë të Indisë, Kinës dhe Bangladeshit.

Televizioni kinez raportoi se tërmeti ishte ndjerë në provincën jugperëndimore, Yunnan, e cila kufizohet me Mianmarin, duke përfshirë qytetin e madh, Kunming dhe vendpushimet turistike të njohura,  Lijiang dhe Dali.

Qendra e kontrollit të fatkeqësive në qytetin Ruili raportoi dëme të banesave dhe të plagosur. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›