PJESE nga libri i Ramës: Ftesa nga Nano dhe ndarja me Ilir Metën
Gjeni të botuara më poshtë dy pjesë nga libri i kreut të PS Kurban, ku Rama rrëfen ftesën e Nanos për të hyrë në qeverinë e tij dhe momentin kur Edi Rama u nda me Ilir Metën
Ftesa nga Fatos Nano
Paloçëllëku më i fundit kishte qenë një komision hetimor kundër meje në të hyrë të të njëjtit vit, që ishte në fakt vijimi atavik i një bashkëpunimi të vendosur mes Fatosit e Saliut qysh në kohën e katharsisit, atëherë kur, me ndihmën e drejtpërdrejtë të armikut historik, i cili nuk e çonte PD-në në Kuvend për tu lënë fushë të lirë socialistëve të shqyenin njëri-tjetrin në kacafytjen e tyre torturuese sa në rrugë e sa në sallën kuvendore, ku qeveria si arrinte dot numrat për të hapur seancat e miratimit të ministrave, Konti i Montekristos realizoi hakmarrjen e planifikuar duke e detyruar të dorëzohej qeverinë e Ilir Metës. Ishte vetëm pika e parë e planit të bashkëpunimit mes ish presidentit dhe ish të burgosurit të tij, ku parashiheshin me radhë goditja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, atë që Saliu e ngrinte dhe ulte paturpësisht me nofkën Mark Abdia, pastaj me komisione hetimore parlamentare për kryetarin e SHIK-ut dhe më tutje kryetarin e bashkisë së Tiranës, pra mua, armikun e shpallur të Saliut qysh në dekikat e para të krijimit të Partisë Demokratike dhe mikun armik të Fatosit qysh nga dita inaugurale e katharsisit, kur u tregoi para kamerave fshatarëve të mbledhur në një pijetore në Pezë sesi më kishte gjetur rrugëve në Francë, refugjat thonjpaprerë, që merresha me kontrabandë ikonash, ndërkohë që ishim takuar në fakt për herë të parë në zyrën e tij në ditët e rikthimit tim disaditor në Tiranë nga Parisi pas shumë kohësh, vetëm pak muaj pas rikthimit të tij në atë zyrë me fitoren e qershorit 1997.
Ruaja një mbresë të shkëlqyer nga nata e asaj fitoreje, kur rastësia e solli që edhe të flisnim për herë të parë me njëri-tjetrin. Atë mbrëmje isha në shtëpinë e Bashkim Shehut në Barcelonë, mik i mirë me të cilin shihemi rrallë, por është përherë kënaqësi e posaçme të bisedosh, sepse ka kulturë të madhe, përsosje të pazakontë të shijeve letrare, artistike por edhe politike, e mbi të gjitha njerzillëk të hatashëm që nën çatinë e tij të bën të ndihesh rehat si rrallëkund, dhe ndiqnim rezultatet me telefon kur, në një nga bisedat me Avokatin, më kaloi Mjekrën siç e quanim mes nesh Fatos Nanon, që pasi e urova për fitoren më çuditi me përgjigjen: Është rasti të të uroj edhe unë ty sepse kjo është fitorja ime sa çështë e jotja, pres të shihemi së shpejti. Më çuditi sepse ishte ngrohtësisht miqësor, a thua njiheshim që gjithmonë dhe kishte përulësinë e sojit më të mirë të njerëzve të suksesshëm që famën apo fuqinë e përçojnë si gjerësi shpirtërore, cilësi që më vonë vajti duke ia tretur paralelisht me humbjen e sigurisë, sidomos pas katastrofës së 14 shtatorit të një viti më vonë. Në zyrën e tij më çoi një tjetër soj i veçantë njeriu, i ndjeri Gramoz Pashko, rebeli mondan dhe eklektik i lëvizjes së dhjetorit 90, që kishte dalë nga prapaskena politike dhe ndihmonte pas kuintave si këshilltar kryeministrin që rrëzoi në vitin 1991, për të ringritur Shqipërinë e rrëzuar nën gërmadhat e piramidave që la mbas vetes në 97-ën binjaku komunist e bajraktar i Pashkos në krye të asaj lëvizjeje.
Fatosi më priti me shumë dashuri, duke rrëzuar në pak minuta çdo barrierë të mosnjohjes dhe më ftoi përzemërsisht në shtëpinë e tij për darkë, pasi takova po aty në zyrën e tij, gruan e vet fisnike Rexhinën, e më tregoi që do të nisnin të bijën në Paris për shkollim, duke më kërkuar shumë vëllazërisht të mbaja sa të mundesha një sy të hapur vëmendjeje ndaj saj. Jemi takuar më mbrapa edhe në Paris, kur erdhi në krye të delegacionit qeveritar. Drekuam në një restorant të bukur pranë Operas së Bastijës, ku vazhdoi të mundohej të më bindte pse duhej të kthehesha në Tiranë, ma kishte thënë disa herë në formë sfiduese, për tiu bërë krah atij që ndihej i vetmuar si në burg në lartësinë morale dhe intelektuale nga e qeveriste Shqipërinë, i rrethuar me pleshta e parazitë që meritonin tua mbyllte çadrën e ti linte në kalbeshin në shi, pa munguar nga kontaktet tona telefonike për herët që e takoja, në fakt me shumë kënaqësi, Edën, vajzën e tyre vërtet të mrekullueshme, për darka me miq në shtëpi a ndonjë festë sallonesh pariziere. E nëse im atë sdo të më kishte sjellë befasisht në prill të vitit 1998 për funeralin e vet në Tiranë, duke më futur në një dëshpërim hutues dhe kallur në shpirt një ndjenjë brejtëse faji për jetën arratisëse, që më shtynë të pranoja dorashkën e Fatosit, i cili, rastësia deshi të ishte duke riformatuar qeverinë pikërisht në të thyer të atij prilli, skishte as edhe një gjasë që unë ti përgjigjesha apelit të përsëritur të kryeministrit të vendit për të lënë botën e artit dhe qytetin me të cilin isha dashuruar asokohe i gjithi e për të hyrë në arenën ku jam sot e gjithë ditën.
***
Ndarja me Ilir Metën
Një stuhi e re politike, e gjatë dhe sfilitëse ra mbi bashkinë e Tiranës kur Ilir Meta bëri piruetën e radhës duke shpallur largimin nga koalicioni me Partinë Socialiste, për të luftuar, siç tha ai, kundër pazareve të PS-së me PD-në, vetëm 48 orë pasi i kisha folur hapur për idenë time të reformës zgjedhore. Qemë ndarë miqësisht në zyrën time me fjalën që do të rishihemi shumë shpejt për të vendosur mbi piketat e reformës. E kam përsëritur më shumë se njëherë deri këtu, ky sështë vendi për të shtjelluar rrjedhën e ngatërruar të disa ngjarjeve përcaktuese në rrugëtimin e Partisë Socialiste, megjithatë besoj se do të më gjykoje keq nëse këtë moment do ta kaloja pa një shpjegim pak më të gjatë se çkam bërë hera-herës kur rrëfimi im ka cekur jetën politike për të dhënë kontekstin e gjërave të ndodhura me bashkinë për shkaqe kryekëput politike.
E vërteta e atij largimi, të paktën në këndvështrimin tim, është krejt e ndryshme nga ajo që ka fituar qytetarinë në optikën e opinionit, sidomos të zëdhënësve të publikut, kur bëhet fjalë për shkaqet e ndarjes së Ilirit me Partinë Socialiste për tu rifutur në rrugën vetmitare të LSI-së. Ose, e thënë ndryshe, nuk është aspak e vërtetë që unë desha të imponoj pa kushte sistemin e ri zgjedhor, modeli spanjoll, i cili pastaj u kthye në nen kushtetues, sepse paskam pasur qëllim asgjësimin e LSI-së. E kundërta është e vërtetë, synimi im ishte krijimi i një boshti solid PS-LSI, përmes atij sistemi dhe të gjitha shifrat e derisotme, të dy palë zgjedhjeve me sistemin e ri, madje edhe për aq sa ato janë të vërteta në kushtet kur në rang kombëtar ka pasur manipulime të mëdha të votës për subjektet politike opozitare edhe në 2009-ën edhe në 2011-ën, tregojnë se me këtë sistem, pavarësisht manipulimeve, edhe koalicioni ynë do ishte fitues, edhe LSI do të kishte më shumë se katër deputetët që mundi të fuste në Kuvend dy vjet më parë, ndër të cilët mandati i vetë Ilir Metës në Tiranë u sajua me një marifet, për të cilin ka dëshmitarë e nuk u fitua me vota, po iu rrëmbye PS-së në dekikat e fundit. Nënvizoj këtu se,ndryshe