E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

PL: Buxheti 2025 kundër pensionistëve, u thellon më tej varfërinë

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë për mediet kritikoi buxhetin e vitit 2025, duke e cilësuar si një buxhet kundër pensionistëve.

Sipas Blushit, buxheti i vitit 2025 është qartësisht buxheti kundër 791 mijë pensionistëve të cilët vitin e ardhshëm do të diskriminohen, do të përjashtohen dhe do jenë edhe më të varfër se këtë vit.

“Buxheti 2025 është buxheti i thellimit të varfërimit dhe mjerimit të pensionistëve, që sot mezi shtyjnë javën dhe jo më muajin, për shkak se fondi për politika të reja pensionesh për vitin 2025 parashikohet vetëm 1.6 miliard lekë ose rritje me 0.9% të fondit total të sigurimeve shoqërore”- u shpreh Blushi.

PL akuzoi qeverinë për mashtrim mbi premtimet e saj për indeksimin e plotë të pensioneve sipas çmimeve dhe për një rritje të përputhshme me rritjen ekonomike.

“Kjo do të thotë se pensionet nuk do të rriten as 1% kur vetëm niveli i inflacionit i parashikuar për vitin 2025 është 3%”- u shpreh Blushi.

Partia e Lirisë propozon që në rast se vjen në pushtet të realizojë dyfishimin e pensioneve dhe rritjen e tyre të barabartë me mesataren e rajonit, bazuar në nivelin e rritjes reale ekonomike; indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë; indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›