PL: Nevojitet reformim i sistemi arsimor për ta lidhur me tregun e punës

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja theksoi se një nga problemet kryesore në vend është mungesa e lidhjes midis arsimit dhe nevojave të tregut të punës. Merja tha se gjatë 12 viteve të qeverisjes, arsimi shqiptar është shkëputur nga kërkesat e tregut të punës, duke lënë shumë të rinj pa mundësi punësimi.
“Situata e papunësisë në Shqipëri tregon një paradoks shqetësues: personat me arsim të mesëm, të cilët në shumicën e rasteve kanë një zanat ose njohuri të forta bazë për tregun e punës, përballen me norma më të larta papunësie sesa ata me arsim të lartë apo me arsim bazë”, tha Merja.
“Një nga problemet kryesore mbetet mungesa e lidhjes midis sistemit arsimor dhe nevojave të tregut të punës. Arsimi profesional në Shqipëri është ende i pazhvilluar dhe mbetet një sektor i nënvlerësuar. Në këto 12 vite keqqeverisje, Rilindja ka formuar një sistem arsimor të shkëputur nga tregu i punës”, vijoi Merja.
Sipas saj politikat e qeverisë kanë shtyrë shumë të rinj të emigrojnë dhe të braktisin mundësitë për punësim të kualifikuar në vend.
“Ekonomia shqiptare vijon të mbështetet kryesisht tek krahu i lirë i punës dhe prodhimi i produkteve me vlerë të shtuar të ulët, si fasoneria. Kjo jo vetëm që ul mundësitë për punësim të mirëpaguar, por edhe shtyn të rinjtë drejt emigracionit, duke e privuar vendin nga fuqia punëtore e kualifikuar”, tha Merja.
Merja tha se duhet ndërhyrje e menjëhershme për të reformuar sistemin arsimor, për ta lidhur atë ngushtë me tregun e punës
“Këto të dhëna alarmante tregojnë qartë se nevojitet një ndërhyrje e menjëhershme dhe e mirëstrukturuar nga ana e qeverisë për të reformuar sistemin arsimor, për ta lidhur atë ngushtë me tregun e punës dhe për të nxitur zhvillimin e sektorëve që kërkojnë kualifikim të lartë. Pa këto ndryshime, Shqipëria do të vazhdojë të humbasë kapitalin e saj më të çmuar – të rinjtë dhe profesionistët e saj.
“Por tashmë ne e kemi dalluar më së miri, se objektivi i vetëm i Rilindjes është shpopullimi i vendit. Ndaj për ti thënë jo kësaj agjende anti-shqiptare, më 11 Maj votojmë të gjithë së bashku për ndryshimin. Votojmë Numrin 1, Aleancën Për Shqipërinë Madhështore!”, tha Merja.