Rama: Pavarësuam drejtësinë nga pushteti politik, “bufi i kënetës” thotë se do të shkrijë SPAK-un

TIRANË, 26 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se “për herë të parë po shohim një përpjekje për të pasur barazi para ligjit, dhe kjo falë PS-së e cila dorëzoi ‘shpatën e ndëshkimit’ te drejtësia”.
Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të PS-së në qarkun e Shkodrës, Rama theksoi se barazia para ligjit mbetet “thembra e Akilit” e shtetit shqiptar, ajo që shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë në historinë e tyre.
Kryeministri theksoi se “për herë të parë po shohim që njerëz të fuqishëm të lidhur me pushtetin politik të thirren dhe po iu kërkohet llogari përpara një drejtësie që nuk kontrollohet nga pushteti politik”.
“Por kjo mund të mbarojë dhe mund të kthehet mbrapsht një ditë. Sot jemi ne këtu që jemi garantë që kjo do të jetë kështu”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se PS ka bërë dorëzimin e “shpatës së ndëshkimit” që normalisht është në duart e drejtësisë dhe nuk është në duart e një pushteti politik si deri dje.
Kryeministri kujtoi se më parë nuk ka pasur kurrë të dënuar nga profile të larta politike.
“Altin Dumani nuk është 22 vjeç, mund të ketë 20 vjet që është prokuror. E kishit dëgjuar më parë që ndonjë ministër apo person me pushtet të shkonte në prokurori të jepte llogari, të shkonte në gjykatë e të dënohej? Kjo nuk është parë që kur është krijuar shteti shqiptar. Ka pasur vetëm njerëz të dënuar me urdhër nga i pari i qeverisë, nuk ka pasur kurrë njerëz të dënuar me profile të larta publike nga një gjykatë apo prokuror i pavarur”, shtoi Rama.
E gjitha kjo, sipas Ramës, ndodhi sepse PS vendosi “t’i hyjë detit në këmbë” dhe të marrë përsipër sprovën më të egër, të pavarësojë drejtësinë nga pushteti politik.
“Kur ne ishim në opozitë në vitin 2007 kemi kërkuar një akt kombëtar, ia kemi kërkuar “bufit të kënetës”, ishte kryeministër. Në vitin 2013 e kemi pasur në program. Kur u bë reforma të tjerët nuk donin të futeshin në parlament, u ngujuan në bulevard. Faktikisht këtë e bëmë ne, dhe sot jemi ne garantët. Që nesër që garancia të jetë aty ne duhet të jemi në BE. “Bufi i kënetës” thotë: Në 11 maj do të fitojmë, në 12 maj do të shkrijmë SPAK. Do shkrijë Noc Rrokun!”, shtoi Rama.
/r.e/