E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLL: Aksidenti, jo problem i minoritetit

Partia Lëvizja e Legalitetit ka reaguar sot për aksidentin e ndodhur tre ditë më parë në Himarë ku humbi jetën Aristotel Guma. Duke shprehur dhimbjen për jetën e humbur,Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia ka kërkuar që çështja të mos trajtohet si një problem i minoritetit grek, por si një aksident i ngjashëm me ata që ndodhin çdo ditë në rrugët e vendit.

"Tendenca për politizimin e këtij aksidenti buron nga qëllime aspak fisnike dhe njerëzore. Nuk është rastësi që aktivizimi i korit të zërave greqisht folës vjen pas inaugurimeve të shumta të investimeve përgjatë bregut Jon dhe deklarimeve te kryeministrit Berisha në kalanë e Himarës, ku ai foli për lidhjen e ngushtë të kësaj kalaje me historinë e kombit shqiptar", u shpreh Spahia.

Ai është shprehur se deklaratat e kreut të qeverise duket se nuk u kanë "pëlqyer qarqeve ekstremiste greke, të cilat mezi pritën një shkak për të nxjerrë në pah të gjithë mllefin e tyre antishqiptar."

Spahia tha se kombi shqiptar ka treguar prej shekujsh se nuk manifeston asnjë urrejtje etnike. Sipas tij kanë qenë shqiptarët ata që janë bërë viktima të kësaj urrejtje "që është ushtruar ndaj tij prej kombeve të tjera, ku Greqia zë një vend kryesor".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›