E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLL reagon për dosjet

Tiranë- Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia deklaroi sot se dënimi i krimeve të komunizmit, duhet të shoqërohet sipas tij me me një kompensim real dhe të shpejtë për të gjithë viktimat dhe të shpronësuarit e këtij sistemi.Për sa i përket vendimi të Kushtetueses për ligjin e lustracionit, Spahia u shpreh se "të gjitha këto tregojnë qartë se tentakulat e regjimit komunist nuk janë shkëputur akoma nga sistemi që po ndërtojmë".

"Në një mobilizim total, që për nga sinkronizimi krahasohet me rebelimin e vitit 1997, eksponentë të hapur apo të fshehtë dhe pasardhës të atyre që duhet të kishin dhënë llogari për krimet e kryera që në vitin 1992, janë bashkuar në një fushatë të egër dhe po tregojnë se janë ende këtu dhe të aftë për t'i bërë karshillëk kërkesës mbarëshoqërore për t'u shkëputur nga e kaluara komuniste”-u shpreh Spahia.

Ky aktivizim i segmenteve të mbetura të diktaturës komuniste, sipas Kreut të PLL-së "është një reagim i hapur ndaj masave që po merr qeveria për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, për kompensimin e pronarëve, por edhe ndaj sukseseve të kësaj maxhorance qeverisëse në drejtim të integrimit euroatlantik të vendit". Në këtë drejtim, zoti Spahia ritheksoi qëndrimin e PLL-së për dënimin e diktaturës komuniste në tërësi dhe nxjerrjen e përgjegjësive penale rast pas rasti, për çdo krim politik të kryer prej saj".

Ai vuri në dukje se "PLL po punon që përfaqësuesit më të spikatur të shtresës së ish-të përndjekurve të kenë pozicione kryesuese në listat e saj të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›