E Shtunë, 31 Tetor 2026

POLITIKANI APO BURRI I SHTETIT I DUHET SHQIPERISE?

Të shtrosh një pyetje të tillë në kohën e globalizmit, duket pak si paradoksale. Në kohët që po jetojmë, bota po shkon drejt një integrimi gjithnjë e më të zgjeruar, jo vetëm gjeo-politikisht, por dhe substancialisht, që do të thotë dhe në gjerësinë e vetë konceptit. Në këto kushte, roli i shtetit nacional duket se po zbehet përballë organizmave të tjerë ndërkombëtarë, që më së paku deri më sot drejtojnë këtë proces. Shtete nacionale janë "të detyruara" të respektojnë udhëzimet e këtyre organizmave jo vetëm në veshjen ndërkombëtare, por edhe atë kombëtare. Prandaj, të shtrosh sot nevojën për një burrë shteti, duket se është jashtë mode. E megjithatë unë mora guximin ta shtroj, duke ju referuar jo vetëm kohës ku jetojmë, por dhe kushteve të Shqipërisë së pragzgjedhjeve. Por më së pari më duhet të shpjegoj se çfarë kam parasysh me burrë shteti. Para së gjithash, një burrë shteti, sikundër e ka përcaktuar historia, arrin t‘i japë vendit të vet bashkimin, fuqinë dhe prestigjin, që së bashku krijojnë premisat objektive të zhvillimit. Në kushtet e vendit tonë mendoj se është koha për një burrë shteti që ta drejtojë vendin. Dhe ka disa arsye. Po veçoj prej tyre:

1. Shqipëria është në periferi të zhvillimit dhe integrimit. Askush nuk mund të mos e ketë vënë re se 20 vitet e tranzicionit kanë sjellë një zhvillim spontan, aspak të orientuar dhe larg çdo vizioni kombëtar. Shqipëria, as brenda vendit e as jashtë tij, nuk ka mundur të përfaqësohet denjësisht. Prandaj, sot vendi ynë duket "i përjashtuar" nga procesi galopant i integrimit. NATO, që sigurisht është një hap i madh drejt këtij integrimi, është më shumë pasojë gjeo-politike, se sa meritë e Shqipërisë. Dhe sikur të dua të pohoj të kundërtën, më mjafton të risjell në kujtesë fjalët e znj. Pack: Shqipëria ka bërë gjysmën e rrugës drejt Europës! Ndryshimi është jo te ngjyrimi pozitiv që ajo i jep shpresës së shqiptarit për integrim, por te diferenca që unë gjej me vendet e tjera pranë nesh, Serbia, Mali i Zi, e më tej Maqedonia...

2. Reformat në Shqipëri janë aq të shumta, sa kanë zëvendësuar njëra-tjetrën pa pritur rezultatin, duke e kthyer kështu vendin në një kosh reformash të zhubravitura. Dhe përsëri jemi në fundin e listave për çdo lloj reforme.

3. Demokracia, si sistemi ku duhet të drejtojnë ligjet dhe jo njerëzit, ka vetëm emrin të tillë, sepse në Shqipëri, tashmë e dinë të gjithë, që ligji mund të shkelet edhe me një telefonatë.

4. Qytetari shqiptar ndjehet i diskriminuar nga shteti i tij, i cili as që pyet për të. Nuk e kam fjalën vetëm për diskriminim që u bëhet qytetarëve shqiptarë në dyert e ambasadave këtu, por dhe me diskriminimin që u bëhet shqiptarëve në vende të tjera, e ku përfaqësuesit e shtetit shqiptar as që duan t‘ia dinë për problemet që ata kanë.

5. Shqipëria, për shqiptarët, po varfërohet çdo ditë e më shumë. Dhe kjo nuk është propagandë, por realitet. Në të vërtetë Shqipëria është shitur në shumicën e saj. Sa herë që politika ka pasur nevojë për mbështetje nga jashtë (për të forcuar pozitat partiake dhe aspak kombëtare) nuk e ka shtrënguar dorën, por përkundrazi e ka liruar në shitjet e pasurisë sonë kombëtare. Janë shitur te të huajt pjesa më e madhe e burimeve tona pasurore.

Nuk është rasti për t‘i numëruar, pasi dihen, si rrjetet e telefonisë celulare, si burimet hidroenergjetike, si aeroporti, portet etj., etj. Dashamir Shehi, në një intervistë të tijën, para disa ditësh u shpreh: "Më vjen keq që Shqipëria është shitur dhe që nesër fëmijët tanë nuk do jenë më ‘pronarë‘ në vendin e tyre, por do jenë çirakë në kompanitë e huaja". Dikush mund të nxitojë e të thotë se kështu e ka globalizimi. Nuk mund ta pranoj një logjikë të tillë foshnjarake, kur dihet se prona është baza e lirisë së një individi dhe e një populli.

6. Mish-mashi i pronave ka sjellë një konflikt social mjaft të rrezikshëm për popullin; armiqësinë, vëllavrasjen dhe përçarjen. Politika e 19 viteve i ka fryrë këtij fakti në mënyra të ndryshme, por që gjithnjë ka qenë një zjarr, që edhe kur duket se shuhet, shndërrohet në prush, i gatshëm të shpërthejë sapo të ketë pak "erë të mbarë".

Pra, sikundër shihet nga këto pak fakte që rendita (vendi nuk më lejon të them të tjera), Shqipërisë i duhet një burrë shteti që të sigurojë tri elementet që përmenda në fillim: bashkimin, fuqinë dhe prestigjin. Por deri më sot asnjë politikan nuk ka mundur të ngrihet në lartësinë e burrit të shtetit. John Clarke shkruan: "Ndryshimi mes një politikani dhe një burri shteti qëndron në faktin se politikani mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa burri i shtetit për gjeneratat e ardhshme".

Por cilat janë tiparet që duhet të ketë një burrë shteti? Sigurisht që, së pari, një burrë shteti dallohet për vizionin e tij, për aftësinë e tij për të parë larg. Kjo do të thotë se një burrë shteti nuk niset nga dallgët e humorit të çastit të njerëzve, qoftë ky edhe populli. Një burrë shteti arrin të dallojë interesat e ardhshme të vendit të tij, në raport me vendet e tjera, di të përcaktojë rolin dhe vendin e popullit të tij në kontekstin ndërkombëtar. Burrë shteti është ai që, edhe kur i ka të tjerët kundër, madje dhe brenda "racës së vet politike", arrin të zgjidhë probleme, duke u ngritur mbi "frikën" e çastit apo mbi britmat jokonsensuale populiste.

Në momente decizive për vendin, zgjedhja mes politikanit dhe burrit të shtetit duhet të anojë nga i dyti. "Në politikë, budallallëku nuk është handikap", ka thënë Napoleoni, por Shqipëria është lodhur nga budallallëqet dhe gurët nën rrota. Ndoshta këtë radhë Shqipëria do të kërkojë, me intuitën e saj, të votojë një burrë shteti të ardhshëm, më shumë se një politikan, qoftë ky dhe i sprovuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›