E Enjte, 5 Nëntor 2026

POLONI – Blinken: SHBA mund të përshtatë rregullat e armëve për të ndihmuar Ukrainën

VARSHAVË, 13  shtator /ATSH-DPA/ – SHBA do të përshtatin sipas nevojës mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën, tha sekretari i Shtetit, Antony Blinken, duke ofruar një tjetër aluzion se administrata Biden së shpejti mund të heqë kufizimet e saj për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga ana e Kievit.

Vetëm disa orë më vonë, presidenti rus Vladimir Putin e bëri të qartë se si një veprim i tillë do të perceptohej në Moskë, duke theksuar se, sipas tij, do të tërhiqte NATO-n në luftë.

Blinken, i cili po viziton Poloninë, një ditë pas bisedimeve me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev, u pyet në një konferencë shtypi nëse Uashingtoni i kishte dhënë dritën jeshile Ukrainës për të sulmuar objektivat brenda Rusisë me armë perëndimore.

“Në çdo hap të rrugës, sipas nevojës, ne jemi përshtatur dhe do të përshtatemi”, u përgjigj Blinken.

“Një nga qëllimet e vizitës sime në Kiev dje ishte të dëgjoja nga partnerët tanë ukrainas se çfarë ata besojnë se u duhet tani për t’u marrë me fushën e betejës aktuale, duke përfshirë Ukrainën lindore dhe pjesë të tjera të vendit. Mund t’ju them se ndërsa shkojmë përpara ne do të bëjmë pikërisht atë që kemi bërë tashmë, që do të thotë se do të përshtatemi, do të përshtatemi sipas nevojës – duke përfshirë në lidhje me mjetet që janë në dispozicion të Ukrainës”, theksoi ai.

Homologu polak, Radosław Sikorski, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që “të vazhdojnë të pajisin Ukrainën me sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe raketore dhe të heqin kufizimet në përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi”./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›