POLONI – Tusk njofton planin e investimit prej 155 miliardë eurosh për forcimin e sigurisë

VARSHAVË, 10 shkurt /ATSH-AFP/- Kryeministri i Polonisë Donald Tusk njoftoi sot një plan investimi për vitin 2025 që synon forcimin e sigurisë së Varshavës gjatë luftës në Ukrainën fqinje.
Tusk, koalicioni qendror i të cilit erdhi në pushtet në vitin 2023, tha se Polonia ka planifikuar të shpenzojë një shifër “rekord” prej 155 miliardë eurosh (160 miliardë dollarë) këtë vit për forcimin e vendit të Evropës Qendrore.
“Nuk ka pasur kurrë një shumë të tillë në historinë e ekonomisë polake”, tha Tusk gjatë një fjalimi në Varshavë.
“Siguria është një parakusht, kështu që nuk është rastësi që një pjesë e madhe e parave do të investohen drejtpërdrejt në sektorin e mbrojtjes”, tha Tusk.
Polonia, i vetmi vend i NATO-s që ndan një kufi me Rusinë dhe Ukrainën e shkatërruar nga lufta – e sheh veten në vijën e parë të përpjekjeve të supozuara të Moskës për të destabilizuar Perëndimin.
Vitin e kaluar, ajo njoftoi se do të shpenzonte më shumë se 2,3 miliardë euro për të forcuar kufirin e saj lindor -krahun lindor të BE-së – kundër armiqve të mundshëm.
Tusk tha gjithashtu se Polonia, një qendër kryesore logjistike, veçanërisht për armët e transferuara nga vendet perëndimore në Ukrainë, do të investonte në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.
“Deri në vitin 2032, në shtatë vjet… ne do të kemi investuar 44 miliardë dollarë në hekurudhat polake”, tha ai.
Sipas vlerësimeve fillestare nga Statistikat e Polonisë (GUS), ekonomia e vendit u zgjerua me 2,9 % vitin e kaluar, krahasuar me rritjen prej 0,1 % në vitin 2023. //a.i/