E Diel, 1 Nëntor 2026

POLONI – Ukraina siguron 3,4 miliardë dollarë nga Banka Botërore për rindërtim

GDANSK, POLONI, 25 qershor /ATSH-DPA/- Ukraina pritet të përfitojë 3,39 miliardë dollarë ndihmë të re nga Banka Botërore, njoftoi sot kryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, në Gdansk të Polonisë.

Nga kjo shumë, 2,35 miliardë dollarë do të jepen në formë grantesh për stabilizimin e Ukrainës dhe ekonomisë së saj.

Ndërsa 1,04 miliardë dollarë të tjerë, do t’i jepen Kievit si kredi për zhvillimin ekonomik, të premtuar nga Britania e Madhe dhe Japonia.

Detajet se kur do të disbursohen fondet nuk janë dhënë ende.

Ukraina mbetet e varur nga ndihma e huaj, ndërsa vijon të përballet me pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë, të nisur në shkurt të vitit 2022.

Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës po zhvillohet nën organizimin e kryeministrit polak Donald Tusk dhe homologes së tij ukrainase, Yulia Svyrydenko.

Në takim marrin pjesë Bashkimi Evropian, grupi i vendeve të industrializuara G7, Banka Botërore dhe institucione të tjera, si dhe përfaqësues të shumtë kompanish në Gdansk, të Polonisë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›