PORTUGALI – Interceptohet në Atlantik nëndetësja me 1,7 tonë kokainë

MADRID, 4 nëntor /ATSH-DPA/ – Policia në Portugali ka interceptuar një lloj nëndetëseje në Atlantik, që mbante një ngarkesë prej më shumë se 1,7 tonë kokainë.
”Në operacionin e koduar ‘El Dorado’, droga u sekuestrua me mbështetjen e marinës dhe katër personat në anije u arrestuan”, tha sot policia në Lisbonë.
Ndryshe nga nëndetëset e vërteta, të ashtuquajturat narko-nëndetëse, të ndërtuara nga mafia e drogës e Amerikës së Jugut, nuk mund të zhyten plotësisht.
”Katër burrat e kapur janë nga Venezuela”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Lusa.
Ata tani po merren në pyetje intensivisht në Lisbonë, raporti citoi autoritetet përgjegjëse.
Operacioni u krye në bashkëpunim me agjencitë antidrogë nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
Hetimet u bazuan në informacionin nga Qendra e Analizës dhe Operacioneve Detare (MAOC-N) në Lisbonë, e cila monitoron rrugët detare të drogës.
Ky është goditja e dytë e madhe e këtij lloji kundër mafies së drogës në Amerikën e Jugut që hetuesit portugezë kanë arritur këtë vit.
Në mars, ata ndaluan një nga këto narko-nëndetëse me gati 7,0 tonë kokainë, pranë arkipelagut të Azoreve në bashkëpunim me kolegët spanjollë.
Gadishulli Iberik po bëhet gjithnjë e më shumë një nga pikat më të rëndësishme të hyrjes për mafian e kokainës në Amerikën e Jugut në Evropë, sipas autoriteteve./ /os/