E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE, Volonte: Rama vepron kundër kërkesave të KiE-së

Presidenti i Partive Popullore Evropiane në Këshillin e Evropës, Luca Volontè, ka deklaruar se kreu i PS-së, Edi Rama, është kontradiktor në veprimet e tij. Duke folur për grevën, ai tha se është e pa tolerueshme bllokimi i trafikut.
"Veprimet e Ramës janë kontradiktore me ato që i ka kërkuar Këshilli i Evropës" tha sot Volontè, në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Presidenti Volonte tha se "ideja për të bllokuar qarkullimin rrugor në Tiranë dhe për të bllokuar qarkullimin në qytete të tjera është kundër çdo norme civile që ekziston në të gjitha vendet demokratike". Sipas tij, fakti që Rama nuk ka hyrë vetë në grevë, është një sjellje jo e mirë dhe qesharake.

"Kjo mënyrë sjellje është sterile, pa rezultat, që prodhon probleme të mëdha për qytetarët, ashtu siç mund të prodhojë dëme të mëdha ndërkombëtare. Nuk besoj se do i shërbejë as për publicitet Ramës, duke parë se janë përpara zgjedhjet e ardhshme lokale", vijoi ai.

Më tej, siç njofton zyra e shtypit e Kuvendit, Volonte ka deklaruar se kjo mënyrë s'kualifikon plotësisht opozitën.

Kryetarja e Kuvendit i shprehu z. Volonte vlerësimin për Këshillin e Evropës. Ajo tha se, "ne mbështesim tërësisht deklaratat e Komitetit Presidencial, si dhe deklaratën e Byrosë së Këshillit të Europës bërë para pak ditësh për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›