E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: “Dialogu politik, kusht për integrimin në BE”

13/05/2010 Dita e Evropës, Berisha dhe Rama bashkë në ceremoninë e Komisionit Evropian

Ambasadori i Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmut Lohan, ka shfrytëzuar ceremoninë e organizuar me rastin e përvjetorit të 60-të të Ditës së Evropës për t’u bërë thirrje drejtuesve të lartë të politikës shqiptare për të gjetur konsensusin mes tyre, me qëllim stabilizimin e situatës në vend. Në këtë pritje ishin të pranishëm drejtues të lartë të shtetit dhe përfaqësues diplomatikë të huaj në vendin tonë. Për të konkretizuar apelin e tij, kreu i KE-së ka përdorur citimin e Presidentit të parë të Parlamentit Evropian, shtetarin francez Robert Shuman. “Robert Shumani flet për arritje konkrete dhe kjo më sjell ndër mend arritjet konkrete që duhet të bëjë Shqipëria, si kusht për integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Robert Shumani flet për eliminimin e konfliktit mes armiqve të vjetër, dhe kjo përmban kuptim për zgjidhjen e konflikteve të brendshme të Shqipërisë. Jo më kot Këshilli i Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, që u zhvillua dje, theksoi rëndësinë e një dialogu politik konstruktiv ndërmjet aktorëve dhe partive politike më të mëdha në vend”, tha Lohan para pjesëmarrësve, mes të cilëve ishin kreu i mazhorancës, Kryeministri Berisha dhe kreu i PS-së, Rama. “BE, vijoi ambasadori i KE-së, në të kaluarën dhe sot është plot me shembuj se si dialogu dhe bashkëpunimi aktiv ka ndihmuar lidhur me problemet dhe për kapërcimin e krizave.” Në përfundim të fjalës që Lohan mbajti me këtë rast, ishte urimi që “largpamësia e Robert Shumanit të vazhdojë të udhëheqë BE-në, Shqipërinë dhe Ballkanin perëndimor në të ardhmen e afërt dhe po ashtu më tej”. Thirrjes për dialog i janë bashkëngjitur dhe ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani. Ish-presidenti Moisiu ka përkrahur pasardhësin e tij, Presidentin aktual Bamir Topi, në përpjekjet e tij për nxjerrjen e vendit nga ky ngërç politik. “Ne jemi një republikë parlamentare dhe presidenti ka mundësinë për t’i ftuar, por tango kërcehet me dy. Pra, duhet të ketë dhe dëshirën, dhe vullnetin e palëve të tjera”, tha Moisiu. Ndërkohë që për ish-presidentin Mejdani gjetja e dialogut mbetet domosdoshmëri. “Ndaj dhimbjen dhe vuajtjen me grevistët, por nga ana tjetër nxis dialogun, kontaktin midis drejtuesve politikë për të arritur në mbylljen e kësaj greve dhe njëkohësisht për të stabilizuar institucionet politike në Shqipëri, për të stabilizuar jetën parlamentare”, tha Mejdani. Çdo vit më 9 maj, Këshilli i Evropës zhvillon një ceremoni përkujtimore ndaj ditës kur Shuman bëri deklaratën që i hapi rrugën krijimit të Bashkimit Evropian dhe që sot kujtohet si Dita e Evropës.

Ceremonia

Përvjetori i Ditës së Evropës ka mbledhur në një ceremoni të organizuar nga Këshilli i Evropës përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare. Në ambientet e jashtme të hotelit “Rogner”, kanë festuar ditëlindjen e 60-të të kësaj dite Presidenti i Republikës, Bamir Topi; Kryeministri Sali Berisha; Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, si dhe ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare në Shqipëri, përfaqësues të trupit diplomatik, gazetarë, etj. I vetmi që është prononcuar për mediat, kreu i Qeverisë, Berisha, ka folur për 9 majin, duke e cilësuar atë idealin e paqes dhe të bashkëpunimit. “Ky ideal është i përqafuar nga kombi shqiptar me përqindjen më të madhe se nga çdo komb tjetër, çka përbën një forcë të madhe të jashtëzakonshme, shtytëse përpara për Shqipërinë, drejt BE-së”, tha Berisha.

Fule: PD-PS duhet të zgjidhin krizën

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule, pas mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit ka theksuar se zgjidhja e krizës politike në Shqipëri duhet të kapërcehet përmes respektimit të Kushtetutës së vendit, gjykatave dhe institucioneve. Ai ka kërkuar që politika shqiptare të tregojë pjekurinë e duhur për të zgjidhur ngërçin disamujor. “Udhëheqja politike në Shqipëri duhet të tregojë maturi, politikanët duhet të zgjidhin këtë krizë. Janë të gjitha mjetet e nevojshme për t’i dhënë fund kësaj situate”, ka deklaruar ai.

Takimi Topi-Faith

Çështja e krizës politike që ka mbërthyer vendin tonë do të jetë pjesë e diskutimit që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të zhvillojë sot me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian Peter Faith. Faith, njëkohësisht Përfaqësues Civil Ndërkombëtar në Kosovë, do të pritet rreth mesditës në Presidencë nga Kryetari i Shtetit. Çështjet që lidhen me Kosovën, siç është njohja e pavarësisë së saj nga shtetet që nuk e kanë njohur ende, roli i Shqipërisë në këtë çështje dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon, konsolidimi i këtij shtetit të ri, janë disa nga temat e diskutimit mes personaliteteve.

Xhons: Kriza e dëmshme për integrimin evropian

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare këtu në Uashington, zhvilloi dy ditë më parë një konferencë mbi Ballkanin dhe sfidat e tij në rrugën e integrimit evropian. Duke folur për mosmarrëveshjet e fundit politike në Shqipëri, zv/ndihmëssekretari i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Stuart Xhons, tha se ato janë të dëmshme për integrimin evropian të vendit. “Tani po shohim mosmarrëveshje serioze politike në Shqipëri. Greva e urisë, bojkoti, mendoj se janë shumë të dëmshme për perspektivën e Shqipërisë në integrimin evropian. Por faji nuk mund t’i vihet askujt, përveç se vetë shqiptarëve.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›