E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE dhe PSE deklaratë të përbashkët për krizën në Shqipëri

Dy grupet më të mëdha politike të Parlamentit Europian i kanë kërkuar sërish qeverisë dhe opozitës shqiptare të bashkëpunojnë për të zgjidhur krizën politike. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Xhozef Daul, kreu i Partise Popullore Europiane dhe Martin Shult, kreu i Partisë Socialiste Europiane shprehen se është e domosdoshme tejkalimi i kundërshtive politike për progresin dhe integrimin europian të Shqipërisë.

“Ne theksojmë - së bashku me Këshillin - që është përgjegjësi e Qeverisë së Shqipërisë së bashku me opozitën për të gjetur menjëherë, në mënyrë transparente dhe në respektimin e plotë të kushtetutës shqiptare, zgjidhje e krizës aktuale dhe rrugën përpara të cilat janë të nevojshme për vendin”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy përfaqsuesve.
Ata i kanë kërkuar opozitës shqiptare të qëndrojë në Parlament për të vijuar punën, e në të njëjtën kohë, shprehen ata, presin nga qeveria shqiptare që të bashkëpunojë me opozitën për reformën e sistemit zgjedhor dhe procedurat e tjera parlamentare.

Në 20 maj ndërkombëtarët thirrën në Strasburg dy liderët politike, Berisha dhe Rama, për të diskutuar lidhur me mundësine e zgjidhjes së krizës nëpërmjet dialogut. Në darkën e Strasburgut nuk u arrit asnjë kompromis mes dy palëve, ndërkohë që thuhet se brenda kësaj jave do të ketë një tjetër takim të dytë mes dy liderëve, për të gjetur një zgjidhje.

Anisa Braho

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›