PPE i hoqi PD të drejtën e votës në Kongres, Bardhi: Berisha po e izolon partinë

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të Partive Popullove Europiane për t’i hequr PD të drejtën që të votojë për të zgjedhur drejtuesit e PPE-së, përfshirë kryetarin e saj të ri.
Me një postim në Twitter, Bardhi e konsideron një vendim të tillë të pritshëm, teksa akuzon Sali Berishën se po izolon PD-në.
“Diskutimi për pezullimin e PD nga EPP është një lajm i keq për demokratët, fatkeqësisht i paralajmëruar. SB po e izolon PD për shkak të izolimit të tij. Pushtimi i PD nga SB ka sjell mungesën e ftesave për PD në kongresin e EPP. Kjo është e pamerituar për mijëra demokratëve“, shkruan Bardhi.
Për herë të parë që kur është anëtarësuar në këtë organizatë politike europiane, PD nuk do të votojë dot nesër për të zgjedhur drejtuesit e PPE-së, përfshirë kryetarin e saj të ri. Nga të gjithë delegacionet me të drejtë vote, vetëm PD nuk ka asnjë delegat atje. Shkak është përçarja e PD, ku burime zyrtare bëjnë të ditur se, duke dashur që PPE të mos mbajë anë dhe të mos përfshihet në konfliktin e brendshëm në parti, nuk ka dërguar asnjë ftesë për asnjërën palë.
/rtsh.al/