E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE neserne Tirane

22/06/2010 Vizita në Tiranë

Shefi i grupimit më të madh politik në Parlamentin Europian, i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul, pritet të mbërrijë ditën e sotme në Tiranë për të zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Vizita e paralajmëruar vjen pas dështimit të gjetjes së në konsensusi politik mes mazhorancës dhe opozitës në vendin tonë për të kapërcyer ngërçin e gjatë politik. Në axhendën e vizitës në kryeqytetin shqiptar përfshihet takimi me Presidentin e Republikës Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministrin Sali Berisha dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta. Grupimi i PPE-së bën të ditur se vizita në Tiranë vjen pas dështimit të përpjekjeve për të gjetur një marrëveshje politike ndërmjet qeverisë dhe opozitës shqiptare. Pikërisht mungesa e një kompromisi mes Kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama do të jetë në qendër të bisedimeve që Daul do të zhvillojë në Tiranë. Kreu i grupit të djathtë parlamentar në PE ishte një nga iniciatorët e darkës së 20 majit mes kreut të qeverisë Sali Berisha dhe shefit të opozitës Edi Rama në Strasburg. Gjatë periudhës së ngërçit politik në Shqipëri Joseph Daul ka qenë aktiv përmes deklaratave publike, ku ka kërkuar nga palët që të zgjidhin mosmarrëveshjet. Në këndvështrimin e tij transparenca e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 duhet të bëhet duke respektuar Kushtetutën e Shqipërisë, ligjet që rrjedhin prej saj dhe vendimet e marra nga gjykatat e vendit. Duke marrë në konsideratë ecurinë e situatës politike, Daul i ka kërkuar Partisë Socialiste të mos largohet më nga Kuvendi, ndërsa qeveria nga ana e saj të bëjë të pamundurën për arritjen e një marrëveshjeje konsensuale për reformën në sistemin zgjedhor. Por pas dështimit të gjetjes së një kompromisi ai ka shprehur keqardhjen për mungesën e kapërcimit të mosmarrëveshjeve. Gjatë vizitës në Tiranë pritet të diskutohet edhe mbi vendimmarrjen e institucioneve më të larta të Bashkimit Europian, në veçanti Parlamentit Europian, mbi liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Grupi i eurodeputetëve të djathtë ka dhënë mbështetjen e tij në lidhje me liberlazimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së kritereve të mbetura, ata kanë theksuar se ngërçi politik nuk do të ndikojë në vendimin për vizat.

Deklarata e përbashkët

Disa ditë më parë kreu i grupit të deputetëve të PPE-së dhe ai i deputetëve të PSE-së në Parlamentin Europian, Joseph Daul dhe Martin Schulz, përmes një deklarate të përbashkët shprehën shqetësimin e tyre për dështimin e gjetjes së një marrëveshjeje mes qeverisë dhe opozitës. “Ne sinqerisht shprehim keqardhjen që qeveria shqiptare dhe opozita nuk mundën të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe për këtë arsye nuk kanë qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshëm të nevojshëm për të shkuar drejt përmbushjes së ambicies europiane të vendit”, - thuhet në deklaratën e tyre. Ata kanë theksuar se tashmë është përgjegjësi e PD-së dhe PS-së të gjejnë zgjidhjen e situatës politike në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›