PR, Mediu: Opozita të mos e vendosë Fierin përpara interesave kombëtare
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i bën thirrje opozitës të mos e përdorë çështjen “Fieri” për të bllokuar interesat evropiane të vendit. Duke folur në Asamblenë Kombëtare të PR-së, Mediu kërkoi nga opozita të votojë tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian për dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. “Opozita të mos e vendosë çështjen e Fierit para marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Komisioni Evropian na i ka përcaktuar qartë detyrimet që lidhen me jetën e shqiptarëve. Komisioni ka kërkuar të miratojmë këto ligje deri më 20 Nëntor dhe jo të zgjidhim çështjen e Fierit”- u shpreh Mediu. Kur ne të kemi bashkëpunim, vijoi Mediu, “atëherë do t’ia dalim të thyejmë skepticizmin e çdo individi”. “Kjo rrugë nuk është e lehtë, por ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të realizojmë detyrimet tona. Ne duhet të kuptojmë njëri-tjetrin dhe qytetarët shqiptarë nëse duam që ndërkombëtarët të na kuptojnë neve”, tha kreu i PR-së, Fatmir Mediu. Kreu i PR-së u shpreh se bashkëpunimi politik për çështje kombëtare, si integrimi i vendit në NATO dhe tashmë në BE, kanë qenë gjithnjë prioritet i Partisë Republikane. “Ka pasur dhe do të ketë gjithnjë grupe individësh brenda politikës shqiptare që nuk e kanë dashur Shqipërinë në NATO. Ka pasur dhe ka grupe individësh në politikën shqiptare që nuk e duan Shqipërinë në BE”- vijoi ai.
Duke folur mbi çështjen e pronës, Mediu u shpreh se e drejta e pronës nuk duhet përdorur për interesa elektorale megjithëse ka politikanë që duan ta përdorin për këto interesa.
Kreu i PR gjithashtu i është referuar edhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke theksuar se PR-ja nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti që do të cenojë interesat e kësaj force politike. Mediu kërkoi nga strukturat e Partisë Republikane të përzgjedhin kandidatët për çdo zonë elektorale, ndërsa shtoi se kjo forcë politike do të luftojë për një pozicion të qartë në garën elektorale. “Ne kemi shprehur qëndrimin tonë për problemet e mëdha që ka kodi zgjedhor. Ne jemi në koalicion me Partinë Demokratike, por theksoj se nuk do të ketë asnjë marrëveshje në dëm të interesave elektorale dhe politike të Partisë Republikane”- tha Mediu.