Basha shtron Iftar: Të nisin punën për ndërtimin e xhamisë së re
“Mijëra besimtarë muslimanë do t’i drejtohen nesër Zotit në faljen tradicionale të mëngjesit. Për fat të keq edhe këtë vit si shumë të tjerë, ky do të jetë një ushtrim kompleks, pasi Tiranës ende i mungon Xhamia e Madhe”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, shtroi dje një Iftar për besimtarët muslimanë të kryeqytetit. Në fjalën e tij Basha theksoi se Muaji i Ramazanit është një vlerë ku kultivohet gjithëpërfshirja si dhe premtoi nisjen e punës për ndërtimin e një xhamie për besimtarët muslimanë. “Dua të shpreh sot para jush përkushtimin tim dhe të Bashkisë së Tiranës, që në bashkëpunim me Komunitetin Musliman dhe xhamatin e Tiranës të përgatisim projektin dhe të nisim pa vonesë punën për ndërtimin e këtij institucioni të rëndësishëm besimi në qytetin tonë”. Në darkë morën pjesë krerët e komuniteteve fetare në vend, si kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça; kryetari i Komunitetit Bektashi, kryegjyshi Haxhi Baba Edmond Brahimaj; Arkipeshkvi i Durrësit dhe i Tiranës, Monsinjor Rrok Mirdita; përfaqësues nga Kisha Ortodokse, ambasadori i ShBA-së në Tiranë, Arvizu; përfaqësues të trupit diplomatik, besimtarë të shumtë muslimanë, përfaqësues nga shoqëria civile si dhe përfaqësues nga mazhoranca dhe opozita.
Basha
Në fjalën përshëndetëse Basha tha se jemi mbledhur së bashku për të ndarë një ditë të shenjtë, një ditë që na bashkon të gjithëve si shumë të tilla në besimet e ndryshme që bashkojnë qytetin tonë, shoqërinë tonë dhe kombin tonë dhe e bëjnë atë unik në gjithë kombet e tjera. “Për besimtarët muslimanë në Tiranë, Shqipëri e anembanë botës koha e Ramazanit është kohë reflektimi, përkushtimi dhe angazhimi pozitiv në dobi të vetvetes, familjes, komunitetit dhe vendit. Është një mundësi për t’u bashkuar me miq të afërm për pranimin e këtij adhurimi, i cili, nivelin e lartë të sakrificës e gërsheton me solidaritetin, modestinë, mirëkuptimin, tolerancën, bashkëpunimin. Këto vlera si dhe përkushtimi ndaj dinjitetit njerëzor, paqes sociale dhe drejtësisë janë themelore për besimin islam. Prandaj më lejoni t’ju uroj besimtarëve dhe familjarëve të tyre për sakrificat e këtij muaji të shenjtë që përmbyllët sot.” - tha kreu i Bashkisë së Tiranës. Basha më tej, duke theksuar nevojën e ndërtimit të një xhamie në Tiranë, premtoi se Bashkia në bashkëpunim me Komunitetin Musliman do të nisin menjëherë punën për ndërtimin e këtij institucioni besimi. “Mijëra besimtarë muslimanë do t’i drejtohen nesër Zotit në faljen tradicionale të mëngjesit. Për fat të keq, edhe këtë vit si shumë të tjerë, ky do të jetë një ushtrim kompleks, pasi Tiranës ende i mungon Xhamia e Madhe. Por unë dua të shpreh sot para jush përkushtimin tim dhe të Bashkisë së Tiranës, që në bashkëpunim me Komunitetin Musliman dhe xhamatin e Tiranës të përgatisim projektin dhe të nisim pa vonesë punën për ndërtimin e këtij institucioni të rëndësishëm besimi në qytetin tonë.”
29 gusht 2011