PR prezanton 32 kandidatët për deputetë të Qarkut Tiranë

Bëhen publike edhe shtyllat kryesore të programit elektoral
TIRANE - Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka bërë dje prezantimin e 32 kandidatëve për deputet për Qarkun e Tiranës.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kreu republikan Mediu theksoi se “kandidatët e përzgjedhur të PR-së, janë njerëzit, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme të shoqërisë civile, nga administrata publike, sektori privat si dhe nga strukturat e ndryshme politike të Partisë Republikane, dhe kjo jo pa qëllim. Synimi ynë për Tiranën është vëmendja maksimale që këta kandidatë do t’i kushtojnë politikave për familjen, pronën, si shtylla themelore të Partisë Republikane, por njëkohësisht edhe të të gjithë shqiptarëve, reformave në sistemin shëndetësor, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit si dhe mundësinë që do të ofrojnë për krijimin e vendeve të lira të punësimit për studentët që do të diplomohen në Universitetet Shqiptare”.
“Këto kandidatura janë selektuar, për të dhënë dhe për t’i dhënë Partisë Republikane një imazh sa më të konsoliduar dhe sa më serioz. Mandatet e fituara do të artikulojnë dhe do të jenë zëri i tiranasve, kavajasve dhe të gjithë shqiptarëve në Parlamentin Shqiptar. Siç mund ta konstatoni shumë prej kandidatëve janë femra, gjë e cila tregon më së miri se Partia Republikane është e ndjeshme ndaj nevojave dhe duke qenë se femra shqiptare ka një rol shumë të rëndësishëm në jetën dhe realitetin shqiptar, ajo meriton një vëmendje të madhe, dhe krijimin e mundësive për përfaqësim më të madh edhe në politikë dhe vendimmarrje”, nënvizoi kreu republikan.