E Shtunë, 31 Tetor 2026

PRIFILM, Festival Ndërkombëtar edhe në Prishtinë

Në muajin qershor të vitit 2009, në Prishtinë pritet të nis punën festivali ndërkombëtar i filmave artistik të metrazhit të gjatë i quajtur "Prishtina Internacional Film Festival". Nga organizatorët fjalët janë premtuese se ky festival do të jetë në mesin e festivaleve të mira Evropiane. Ditëve të fundit në Prishtinë, është shfaqur një reklamë për një festival të ri të filmit. Pak ditë pas shfaqjes se reklamës tashmë po dihet kush janë 'fajtorët" e kësaj iniciative që quhet "PrifilmFest". Kështu në muajin qershor të vitit 2009, në kryeqytet pritet të nis një festival ndërkombëtar i filmave artistik të metrazhit të gjatë i quajtur "Prishtina Internacional Film Festival". Themelues të "Prifilmfest" janë: Vjosa Berisha, Orhan Kerkezi regjisor, Fatos Berisha, regjisor dhe Faton Hasimja, dizajner dhe montazher. "Ideja për me e nis një festival të tillë ka qenë e disavjetshme. Ndërsa arsyeja pse jemi lidh ne të katërt mes vetë është sepse pas veti kemi një përvojë sado profesionale në fushat që punojmë", tha Vjosa Berisha, e cila do të jetë edhe drejtoreshë e festivalit "Prifilmfest". Në anën tjetër regjisori Kerkezi tha se ka ardhur koha që ne si një shoqëri e Kosovës duhet të mendojmë se çka duhet të bëjmë për shtet, e jo shteti për ne. "Në biseda me gjithë kemi thënë që duhet të presim që të pavarësohet Kosova dhe të bëjmë pastaj një festival që do të jetë nën ombrellën e një shteti më të ri. Me një festival të ri por me një angazhim të madh jo vetëm të rajonit por edhe evropian dhe botëror", tha Kerkezi. Në anën tjetër, Fatos Berisha ka treguar se "Prifilmfest" do ta ketë edhe bordin e tij. "Ne e kemi një listë të gjatë të personazheve dhe autoriteteve të ndryshme të filmit nga Kosova dhe ndërkombëtarë. Ftesën tashmë ia kemi bërë aktores me nam botëror, Vanessa Redgrave, që të jetë presidente nderi e festivalit dhe presim përgjigje nga ajo", tha Berisha. Pjesë e bordit do të jetë edhe Isa Qosja, Shkumbim Istrefi si dhe David Gothard ndërsa ky bord pritet të kompletohet në muajt në vazhdim. "Poashtu jemi të hapur ndaj komunitetit të kineastëve të Kosovës. Ky festival nuk bëhet vetëm për neve katërve por bëhet për komunitetin e kineastëve dhe për qytetin e Prishtinës, normal edhe për Kosovën", tha Berisha. Njëra ndër pyetjet ishte sesi ndodh që nis punë "Prifilmfest" përderisa festivalet e tjera po përballen me një krizë financiare ndërsa ka vite që Kosova nuk prodhon film. "Po të ishim nisur nga ajo që do të kemi telashe dhe probleme financiare sigurisht që do ta kishim lënë që në fillim për atë pas një vjet e gjysmë konsulta të përditshme. Kjo konferencë mbahet në atë moment kur e kemi marrë edhe përkrahjen", tha Berisha. Themeluesit e festivalit thonë se tashmë kanë përkrahjen e IPKOs poashtu të institucioneve si: Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës si dhe të Kryeministrit të Kosovës. Ndërsa përkrahës pritet të jenë edhe disa nga bankat e njohura të Kosovës. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›