E Diel, 1 Nëntor 2026

Të bërtasësh nuk do të thotë se ke të drejtë

Jo vetëm nga studimet e hershme, por edhe nga ato të kohëve të fundit, është vërtetuar se e folura me zë të lartë (e jo më e bërtitura) është dëshmi e një niveli të ulët personaliteti apo e mungesës totale të tij. Por në Shqipëri situata duket mjaft interesante sepse një pjesë e madhe e njerëzve publikë, kryesisht politikanë, çirren e bërtasin me rast e pa rast sa herë që dalin përpara kamerave e në sheshe nëpër veprimtari të ndryshme publike. Një nga rastet më të fundit, që nuk mbeti pa u përgojuar nga mjedisi qytetar në vend është dhe ai i “bisedës” për bujqësinë dhe ushqimin i së shtunës së fundit në Radio Televizionin Shqiptar. Në këtë emision, përveç titrave dhe shifrave të sjella për publikun nga ministri i linjës, asgjë tjetër nuk kishte ndonjë gjë të përbashkët me bisedën dhe me bujqësinë e ushqimin, për gjendjen e së cilës ishin mbledhur për të biseduar e debatuar të ftuarit në emision. Gjatë tërë minutazhit të bisedës, që pa frikë mund të quhet “gallatë adoleshentësh”, një prej të dërguarve të Selisë Rozë nuk bëri gjë tjetër veçse kanosi me gisht e me stilolaps dhe tjetri deklaronte se: “ka gabime konceptuale, … shiko se nuk është ashtu si thua ti, … unë e di më mirë se ty, …politikat agrare i kam studiuar vetëm unë, …”, e të tjera si këto dhe, e tërë kjo në një emision televiziv në një nga televizionet më të shikuara dhe më prestigjioze në vend, në një bisedë për një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, sektor për të cilin ka edhe përvojë edhe arritje.
Këta dy “specialistë”, tërësisht të papërgatitur për bisedën në fjalë dhe të fryrë me një dozë tepër të madhe vetëbesimi dhe megalomanie, duke u gjendur përballë një ministri që me shifra dhe fakte përpiqej të nxirrte në pah realitetin dhe problemet e vërteta që ka sektori i bujqësisë dhe i ushqimit në vend, dhe përballë një deputeti, që më së shumti ngjante me një shoqëruese të parë missi, që çmimin ia kanë dhënë me mik, nuk bënë gjë tjetër veçse u çorrën e ulërinë gjatë tërë emisonit me fjalët: “Gërdeci, … Basha, … spitalet, … Kukës, … shkollat, …, Durrës, …”, etj, dhe në mes të këtij spektakli, që do t’a kishte zili edhe Portokallia, deklaruan me shumë pompozitet se i kanë mbaruar studimet e larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Situata agravoi më tej kur të tërë flisnin dhe askush nuk dëgjonte edhe pse drejtuesi i emisonit ndërhyri herë pas here që t’u kujtonte “specialistëve” se duhet të fokusoheshin tek bujqësia.
Kjo mënyrë komunikimi në publik është pak a shumë e njëjtë me fjalimet e disa individëve që vetëm politikanë nuk mund të jenë, pasi mezi gjejnë rast që të pshurrin me zallamahi mbi/për çdo gjë dhe për çdil;do dukuri e zhvillim, sidomos kur këto janë pozitive, me trend modern dhe me prirje për të ecur përpara. Këto dy vitet e fundit është vënë re në një shkallë të gjerë se pothuajse çdo gjë që ndodh në këtë vend po nuk u pshurr një herë a më shumë nuk mund të pranohet, por këtu ndodh ajo që është më interesante, se pasi pshurrin e pshurrin e bëjnë si qershitë e Nastradinit.
Populli shqiptar është në një situatë të tillë që nuk ka nevojë të dëgjojë dhe shikojë se si zihen e çirren me njëri tjetrin për kauza idiote ca palopolitikanë, por se si do përballemi së bashku me krizat, problemet, situatat dhe gjërat e tjera të jetës që na shqetësojnë. Ka vite që ka ikur koha e ulërimave dhe e zërave të çjerrë në publik. Ka kohë që qytetarët e kanë kuptuar se të bërtasësh nuk do të thotë se ke të drejtë. është në nderin e të tërë klasës politike në vend, pavarësisht nga pozicioni, ngjyra dhe idetë, që të nderohet në publik me figurat më të ndritura dhe me njerëzit më të spikatur që ka në radhët e saj dhe jo të përfaqësohet në publik me adoleshentë që çdo gjë mund të kenë, përveç personalitetit dhe profesionalizmit.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›