ROZA ANAGNOSTI, sot 65 vjet, mbi katër dekada në skenë

Përtej heshtjes në përvjetorin e një ikone Sot është 65-vjetori i lindjes së aktores së shquar të skenes dhe ekranit, „Artistes së merituar“ Roza Anagnostit, një ikonë e pakontestueshme e filmit dhe teatrit shqiptar. Një jetë e mbushur me suksese, me lodhje, me punë e sakrifica, por që, në fund të fundit, ajo dhe bashkëshorti i saj, falë kësaj, arritën përjetësinë. Ndërsa e sotmja kalon në heshtje, pa ceremonira e festime, sepse Anagnostët janë modestë më shumë se duhet, e nesërmja do të shkruajë me gërma të arta emrin e tyre, pasi në një kohë tjetër gjërat do të vlerësohen e çmohen më shumë... Sa për biografi, Roza Xhuxha u lind në Tiranë në 27 tetor 1943. Ka kaluar një fëmijëri të vështirë, por që me aftësinë dhe talentin e saj ajo ka kapërcyer me sukses çdo vështirësi të jetës. Në moshën 7-vjeçare i burgosin babanë për arsye politike, një plagë që Roza do ta vuante tërë jetën e që shpesh herë do të bëhej pengesë serioze për të ardhmen e saj. Që fëmijë është dalluar për këngën, baletin, recitimin, gjimnastikën që e ka pasur pasion e që është nderuar me çmime. Këto aktivitete ajo i ka ndjekur në Shtëpinë e Pionierit, Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, ku ka pasur mësues artistët e mëdhenj, muzikantët e shquar Tonin Harapi, Prenk Jakova, etj. Ka marrë pjesë edhe në festivalin e parë për fëmijë e që çuditërisht sot nuk llogaritet. Në moshën 13-vjeçare fillon shkollën artistike „Jordan Misja“, por që vetëm një muaj dhe e përjashtojnë nga shkolla për shkak të biografisë së saj. Kthehet në Shkodër dhe vazhdon gjimnazin, tashmë e tronditur për të ardhmen e saj. Me inaugurimin e Teatrit të ri „Migjeni“, si dhe me krijimin e estradës profesioniste që sapo ishte krijuar, regjisori i njohur i Estradës P. Sekuj, e angazhon duke parë talentin e saj. Merr pjesë në 4-5 premiera të kësaj trupe, duke marrë përsipër barrën kryesore të spektaklit. Kur ishte vetëm 15 vjeç regjisori i teatrit „Migjeni“, „Artisti i Popullit“ Lec Shllaku i jep një rol në dramën „Kurora e Nuries“. Suksesi i Rozës qe i madh. Tashmë natyra i kishte falur asaj talentin, bukurinë, zgjuarsinë për të qenë e denjë në rrugën e bukur të artit, por që nuk qe e lehtë për të, të futej në këtë rrugë. Diplomohet në shkollën artistike, pasi kishte kryer maturën për pedagogjike e që kishte mundësi të jepte edhe provime shtesë për të fituar atë diplomë që ia mohuan 4 vjet më parë. Pas suksesit të parë të saj në teatër luan edhe në dramën „Dy binjakët“, e më pas vjen „Nora“ e autorit regjisor Skanjetit. Roza-Norë e ndien veten profesioniste të vërtetë. Ajo u laureua si aktorja më e mirë grua në festivalin e II Kombëtar të Teatrove. Ky ishte roli që i hapi dritën jeshile për të nisur rrugën e bukur e të suksesshme të filmit, ku me talentin e saj kapërceu çdo parashikim. Janë gjithsej 16 role në një kohë rekord të Rozës, në 1958-1964. Roza aktivizohet në filmin e saj të parë dokumentar „Ringjallja“ 1961 dhe më vonë në filmat artistikë „Detyrë e posaçme“, dhe në vitin 1964 martohet me regjisorin e madh, „Artistin e Popullot“, Dhimitër Anagnosti. Dhe më pas vijnë një sërë rolesh të suksesshme tek „Cuca e maleve“, „Komisari i dritës“, „Plagë të vjetra“, etj. Në vitin 1964 fillon punë në Teatrin Kombëtar dhe ku nisi kariera e saj e suksesshme krahas artistëve, dhe regjisorëve të mëdhenj të këtij teatri. Si në teatër, ashtu edhe në film Roza Anagnosti do të luante pothuajse për një kohë të gjatë role të para. Për 30 vjet resht 1964-1994 Roza Anagnosti do të luajë në skenën e këtij teatri mbi 70 role, plus 20 e ca role në filmin artistik. Në mendjen e spektatorit si dhe në fondin e artë të teatrit dhe kinematografisë si role të papërsëritshëm e që shënojnë kulmet e Rozës, do të ngelen rolet e saj, Dafina tek „Mësonjëtorja“, Cuca tek „Cuca e maleve“, Vera tek „Plagë të vjetra“, Filja tek „Toka jonë“, Mrika tek „Besa e madhe“, Vjola tek „Nata e 12-të“, nëna tek „Monserati“, Rakela tek „Tiranozauri“, Nica tek „Kthimi i ushtrisë së vdekur“, Mrika tek „Besa e kuqe“, etj deri tek nëna në filmin e fundit “Gjoleka, djali i Abazit”. Ajo është nderuar me çmime të ndryshme, si dhe me titullin „Artiste e Merituar“. ...