E Shtunë, 31 Tetor 2026

PROJEKTLIGJ “PËR MBROJTJEN E BIODIVERSITETIT”

P R O J E K T L I GJ

 PËR 

MBROJTJEN E BIODIVERSITETIT

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 59, shkronjat “d” e “dh”, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Ky ligj synon:

1.      Të sigurojë mbrojtjen dhe ruajtjen e diversitetit biologjik;

2.      Të rregullojë përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të diversitetit bilogjik, nëpërmjet integrimit të elementeve kryesore të biodiversitetit në strategjitë, planet, programet dhe vendimmarrjet e të gjitha niveleve.

Neni 2

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji me termat e mëposhtme nënkuptohet:

1.  “Biodiversitet (diversitet biologjik) ose larmi biologjike”- shumëllojshmëria e organizmave të gjalla të të gjitha llojeve, duke përfshirë ndër të tjera, ekosistemet tokësore, detare dhe ekosistemet e tjera ujore, si dhe komplekset ekologjike, ku ato bëjnë pjesë. Ky term përfshin shumëllojshmërinë, brenda dhe ndërmjet, llojeve dhe shumëllojshmërinë e ekosistemeve.

2. “Bioteknologji”- çdo zbatim teknologjik, që përdor sistemet biologjike, organizmat e gjalla apo derivatet e tyre, për të prodhuar a modifikuar produkte ose procese për përdorim të veçantë.        

3.  “Bioteknologji moderne”- zbatimi i teknikave in vitro të acidit nukleik, duke përfshirë acidin dezoksiribonukleik (ADN), dhe injektimin e drejtpërdrejtë të acidit nukleik në qelizë apo organellë ose i shkrirjes së qelizave përtej familjes taksonomike, që tejkalon barrierat e riprodhimit fiziologjik apo të rikombinimit dhe që nuk janë teknika të përdorura në kryqëzimet dhe përzgjedhjen tradicionale.

4. “Burime gjenetike”- materiali gjenetik, me vlerë aktuale apo potenciale.

5.  “Ekosistem”- një kompleks dinamik, i përbërë nga komitete të bimëve, kafshëve e mikroorganizmave, si dhe mjedisi jo i gjallë, të cilat ndërveprojnë ndërmjet tyre si një njësi funksionale.

6.     “Gjenom”- tërësia e materialit gjenetik, që gjendet në një organizëm të gjallë.

7. “Habitat”- mjedisi i disa individëve, bimorë ose shtazorë, i popullatave ose i bashkësive të tyre.

8.  “Introduktim i qëllimshëm” - futja në një mjedis e një lloji të huaj apo e një organizmi gjenetikisht të modifikuar, që kryhet dhe/ose përfshin një lëvizje të qëllimshme, të kryer nga njerëzit. Për llojet e huaja, kjo përfshin një lëvizje të qëllimshme të një lloji jashtë shtrirjes së vet natyrore dhe potencialit të përhapjes.

9.  “Introduktim i paqëllimshëm” - futja e paqëllimshme e një lloji të huaj ose e një organizimi të modifikuar gjenetikisht, që i përdor njerëzit apo sistemet e shpërndarjes së njeriut si vektorë për përhapje. Për llojet e huaja, introduktimi i paqëllimshëm është jashtë potencialit të përhapjes.

10.  “Kampion mjedisor” - mostrat e ujit, të tokës, ajrit apo materialeve të tjera, fizike.

11. “Ligatina”- sipërfaqet kënetore, moçalore, turbishte apo sipërfaqet ujore, natyrore ose artificiale, të përhershme ose të përkoshme, me ujë të fjetur ose të rrjedhshëm, të ëmbël, të kripur, përfshirë dhe sipërfaqet e ujërave detare, thellësia e të cilave, në zbaticë, nuk i kalon 6 metrat. Ligatinat përcaktohen nga komunitetet e tyre biologjike dhe nga karakteristikat e tyre hidrologjike dhe, që, në varësi të situatës, nga karakteristikat e tyre gjeografike, të tilla si tipi i tokës.

12. “Leje mjedisore”- dokumenti zyrtar i miratimit të një veprimtarie me ndikim në mjedis, i lëshuar në përputhje me kushtet e përcaktuara në ligjin nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”.

13.  “Lista e kuqe”- renditja e llojeve sipas rrezikut të prekjes nga zhdukja, në mbështetje të klasifikimit të përpunuar nga Qendra Botërore e Ruajtjes së Natyrës.

14.  “Lloj  ose specie”- një njësi taksonomike, ku bëjnë pjesë bimë, kafshë ose mikroorganizma taksone më të ulëta ose popullatat e tyre.

15. “Lloj i huaj”- një kafshë, bimë apo mikroorganizëm, që ndodhet jashtë shtrirjes natyrore dhe potencialit të përhapjes dhe përfshin çdo pjesë ose gamet, që mund të mbijetojë dhe të riprodhohet.

16.  “Lloj i huaj invaziv”- një lloj i huaj, që zë vend në ekosisteme, habitate ose peizazhe, a që vepron si një faktor ndryshimi dhe kërcënon mjedisin, shëndetin e njeriut ose zhvillimin e qëndrueshëm.

17.  “Material gjenetik”- çdo material nga një organizëm i gjallë ose jo i gjallë, që përmban njësitë funksionale të trashëgimisë.

18.  “Molekulë biologjike”- tërësia e lëndëve, të thjeshta e të përbëra, organike, që janë pjesë përbërëse e gjallesave, ku përfshihen proteinat, acidet nukleike, karbohidratet dhe yndyrnat.

19.  “Organizëm i gjallë”- çdo entitet biologjik, i aftë të transferojë apo shumëzojë materialin gjenetik, ku përfshihen edhe organizmat sterile dhe viruset.

20. “Organizma gjenetikisht të modifikuara (OMGJ)”- çdo organizëm i gjallë, që zotëron një ndërthurje të re të materialit gjenetik, që përftohet nëpërmjet përdorimit të bioteknologjisë moderne.

21. “Peizazh”- një hapësirë siç perceptohet nga njerëzit, karakteri i së cilës është rezultat i veprimit dhe i ndërveprimit të faktorëve natyrorë dhe/ose njerëzorë.

22. “Përbërës të larmisë biologjike”- ekosistemet, organizmat e gjalla ose pjesë të tyre, burimet gjenetike a çdo përbërës tjetër biotik i ekosistemeve me  përdorim ose vlerë, aktuale apo potenciale, për njerëzimin.

23. “Përdorim”- zotërimi, tregtimi i çdo lloji, i formave jetësore ose I pjesëve a derivateve të tij dhe përpjekjet për t’u përfshirë në veprime të tilla.

24. “Përdorim i qëndrueshëm”- përdorimi i përbërësve të biodiversitetit në një mënyrë dhe një ritëm, që nuk çon në zvogëlimin afatgjatë të biodiversitetit, duke mirëmbajtur potencialin e tij, për të plotësuar nevojat dhe aspiratat e brezave, të sotëm dhe të ardhshëm.

25.  “Raca dhe varietete të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi”- racat e kafshëve e varietetet e bimëve të vendit dhe burimet gjenetike të lidhura me to, që përdoren për ushqim, bujqësi dhe mjedise të tjera prodhuese.

26. “Ruatje ex-situ” - masat menaxhuese, të nevojshme për ruajtjen e llojeve dhe të burimeve e tyre gjenetike shoqëruese, jashtë ekosistemeve apo habitateve të tyre natyrore. Për racat e varietetet autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, kuptohet ruajtja jashtë mjediseve të prodhimit, ku ato kanë zhvilluar karakteristikat e tyre dalluese.

27.  “Ruatje in-situ”- masat menaxhuese, të nevojshme për të ruajtur ekosistemet dhe habitatet e për të mirëmbajtur ose për të restauruar popullatat e llojeve, që mund të jetojnë në habitatet e tyre. Për racat dhe varietetet autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, kuptohet ruajtja brenda mjediseve të prodhimit, ku ato kanë zhvilluar karakteristikat e tyre dalluese.

28.  “Status ruajtjeje i një ekosistemi, habitati apo peizazhi” - tërësia e ndikimeve, që veprojnë në një ekosistem, habitat apo peizazh dhe llojet tipike, që mund të ndikojnë në shpërndarjen, strukturën, funksionet natyrore dhe mbijetesën afatgjatë të llojeve tipike.

29. “Status ruajtjeje i një lloji”- tërësia e ndikimeve, që veprojnë në llojet e interesuara, që mund të ndikojnë në shpërndarjen dhe prurjen afatgjatë të popullatave të veta.

30. Statusi i ruajtjes së një ekosistemi, habitati apo peizazhi, i favorshëm, - është kur:

a)           shtrirja natyrore dhe sipërfaqet, që mbulon brenda kësaj shtrirjeje, janë të qëndrueshme ose në rritje;

b)           strukturat dhe funksionet e veçanta, të cilat janë të nevojshme për mirëmbajtjen e vet afatgjatë, janë të pranishme dhe mund të vazhdojnë të ekzistojnë në të ardhmen e afërt;

c)           llojet e tij tipike kanë një status ruajtjeje të favorshëm.

31.  Statusi i ruajtjes së një lloji i favorshëm - është kur:

a)        të dhënat e dinamikës së popullatës për një lloj të interesuar tregojnë, se ai mbetet për një kohë afatgjatë një përbërës, i vlefshëm e i aftë, i habitateve të veta natyrore;

b)        shtrirja natyrore e llojeve nuk është zvogëluar dhe as nuk ka mundësi të zvogëlohet në të ardhmen e afërt;

c)        është dhe ndoshta do të vazhdojë të jetë një habitat i mjaftueshëm, nga madhësia, për të mbajtur popullatat për një afat kohor të gjatë.

32.  Statusi i ruajtjeve është i pafavorshëm:

a)            për llojin, kur nuk plotësohet çdonjëri prej kushteve të parashikuara në pikën 31, të këtij neni;

b)            për ekosistemet, habitatet dhe peizazhet, kur nuk plotësohet çdonjëri prej kushteve të parashikuara në pikën 30, të këtij neni.

33. “Shfrytëzim” - gjuajtja, vrasja, dëmtimi, kapja, mbledhja, vjelja, çrrënjosja, shkulja, prerja, shkatërrimi, përpunimi, ballcamimi, transporti, konsumimi, tregtimi ose largimi i një lloji, i formave të tij jetësore, pjesëve apo derivateve të veta, si dhe orvajtjet për t’u angazhuar në këto veprime.

34. “Shtrirje natyrore” - mjedisi, që një lloj zë në mënyrë natyrore, si në të kaluarën dhe në të tashmen.

35. “Ministria” - Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, si dhe çdo institucion, i strukturuar në vazhdim të saj.

36. “Ministër”- ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave,

37. “Insentiva” - masat ekonomike për të nxitur veprimtaritë e dobishme për ruajtjen e biodiversitetit ose përdorimin e tij në mënyrë të qëndrueshme.

38.  “Zhvillim i qëndrueshëm” - sipas kuptimit të dhënë në pikën 25, të nenit 3, të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”.

39. “Rrjeti përfaqësues i zonave të mbrojtura” - sipas kuptimit të dhënë në pikën 17, të nenit 3, të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”.

40. “Informacion ekzistues” - të dhënat për biodiversitetin, që janë të disponueshme nga publiku dhe të botuara në dokumentet zyrtare.

41.  “Informacion i ri”- të dhënat për biodiversitetin, që nuk janë botuar ose shpërndarë zyrtarisht dhe që vlerësohen nga specialistët si risi shkencore.

42. “Përdorime ose shfrytëzime të mëparshme” - përdorime ose shfrytëzime të lejuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të cilat mund të përdoren edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit.

43.  “Përdorime ose shfrytëzime të reja”- përdorime ose shfrytëzime, që lejohen pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Neni 3

Fusha e zbatimit

1.      Ky ligj zbatohet:

a)           për të gjitha sipërfaqet gjeografike, tokësore, ujore dhe detare të Republikës së Shqipërisë, pronë shtetërore apo private;

b)           për të gjithë përbërësit e diversitetit biologjik, që gjenden në mjediset e përmendura në shkronjën “a”, të këtij neni.

c)           nga organet shtetërore, që veprojnë në kuadër të këtij ligji apo të ligjeve të tjera të kësaj fushe, nga personat, fizikë dhe juridikë, publikë e privatë, vendas dhe të huaj, veprimtaritë e të cilëve kanë ndikim në biodiversitet, si dhe nga organizatat shoqërore dhe nga publiku.

2.      Materiali gjenetik me origjinë njerëzore dhe molekulat biologjike me origjinë njerëzore nuk janë objekt i këtij ligji.

3.      Problematikat, që u përkasin organizmave gjenetikisht të modifikuara (OMGJ),  do të trajtohen me ligj të veçantë.

KREU II

INSTITUCIONET PËR RUAJTJEN DHE MBROJTJEN E BIODIVERSITETIT

Neni 4

Roli i shtetit

1.      Republika e Shqipërisë për mbrojtjen dhe ruajtjen e larmisë biologjike:

a)      ushtron të drejtat sovrane për përbërësit e diversitetit biologjik, që gjenden në sipërfaqet e veta tokësore, ujore dhe detare;

b)      përdor përbërësit e diversitetit biologjik në mënyrë të qëndrueshme, për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;

c)      siguron që, veprimtaritë brenda juridiksionit të vet, nuk dëmtojnë biodiversitetin tej kufijve shtetërorë dhe në territoret e shteteve të tjera.

2.                  Republika e Shqipërisë bashkëpunon me shtete dhe organizatat ndërkombëtare për ruajtjen e diversitetit biologjik dhe për përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij, veçanërisht për:

a)      përbërësit e përbashkët ose ndërkufitarë të diversitetit biologjik;

b)      ndikimet ndërkufitare të veprimtarive, që ushtrohen në territorin e saj;

c)      përballimin e situatave emergjente;

ç) përmbushjen e detyrimeve, që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat ajo është palë.

Neni 5

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave është institucioni qendror përgjegjës për ruajtjen e biodiversitetit dhe për përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij, në nivel kombëtar dhe vendor.

Neni 6

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit është autoriteti drejtues dhe përgjegjës për të siguruar ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të racave dhe të varieteteve autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi.

Neni 7

Organet shtetërore, qendrore dhe vendore, që sipas ligjeve të veçanta, administrojnë burime natyrore përbërëse të biodiversitetit, e mbrojnë atë, duke vepruar në kuadër të këtij funksioni.

KREU III

INSTRUMENTET E PLANIFIKIMIT TË BIODIVERSITETIT

Neni 8

Strategjia dhe plani i veprimit të biodiversitetit

1.       Për mbrojtjen e biodiversitetit hartohet strategjia kombëtare dhe plani i veprimit  të biodiversitetit, kërkesat e të cilëve zbatohen nga organet shtetërore dhe personat, fizikë e juridikë. Ky dokument miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

2.       Kërkesat e strategjisë dhe të planit të veprimit të biodiversitetit harmonizohen me këtë ligj e ligje të tjera të mbrojtjes së mjedisit, si dhe ndihmojnë në zbatimin e tyre.

3.       Strategjia e biodiversitetit rinovohet çdo 10 vjet.

4.       Ministria drejton punën për hartimin dhe rinovimin e strategjisë dhe të planit të veprimit të biodiversitetit, duke siguruar pjesëmarrjen e të gjitha grupeve të interesuara, të organeve shtetërore, qendrore dhe vendore, komunitetit shkencor dhe shoqërisë civile.

5.       Përparësitë dhe kërkesat e përcaktuara në strategjinë dhe në planin e veprimit të biodiversitetit të përfshihen në strategjitë, planet, programet sektoriale dhe në vendimmarrjet e organeve shtetërore, në nivel kombëtar dhe vendor.

Neni 9

Rrjeti i inventarizimit dhe i monitorimit të biodiversitetit

1.             Për ruajtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij ngrihet rrjeti i inventarizimit dhe i monitorimit të biodiversitetit, si burim kryesor informacioni për të mbështetur vendimmarrjet në të gjitha nivelet.

2.             Kriteret dhe procedurat për ngritjen e këtij rrjeti, mënyra e funksionimit dhe detyrat e tij, si dhe organet e institucionet, që ngarkohen me ngritjen dhe administrimin e tij, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

Neni 10

Planifikimi për emergjencat

Ministria, në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore, të ngarkuara për emergjencat natyrore:

a)          harton plane dhe procedura veprimi, për menaxhimin e rasteve të papritura, nga veprimtaritë njerëzore ose nga ndodhitë natyrore, që  mund mund të kërcënojnë biodiversitetin, brenda territorit  të Republikës së Shqipërisë  ose në zonat ndërkufitare.

b)          njofton shtetet potencialisht të rrezikuara dhe organizatat ndërkombëtare përkatëse në rastet e rrezikut ose të dëmtimit, të shpejtë ose të rëndë, të biodiversitetit dhe bashkëpunon me to për të parandaluar apo zvogëluar kërcënimet e shfaqura.

Neni 11

Ndikimet ndërkufitare

Kur ndikimet negative rrezikojnë diversitetin biologjik të një shteti fqinj, ministria njofton, shkëmben të dhëna dhe këshillohet me shtetin e interesuar, si dhe vlerëson kërkesat e tij përpara se të japë lejen mjedisore.

KREU IV

RUAJTJA E EKOSISTEMEVE, HABITATEVE DHE PEIZAZHEVE, QË NDODHEN JASHTË RRJETIT PËRFAQËSUES TË ZONAVE TË MBROJTURA

Neni 12

Ruajtja

1.  Ekosistemet, habitatet dhe peizazhet ruhen edhe kur ndodhen jashtë rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura, pronë publike apo private.

2.  Ruajtja e ekosistemeve, habitateve dhe peizazheve, që ndodhen jashtë rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura, përfshin:

a)     Ekosistemet, habitatet dhe peizazhet e mbrojtura;

b)     Ekosistemet, habitatet dhe peizazhet, veçanërisht të mbrojtura;

c)     Ekosistemet, habitatet dhe peizazhet e degraduara.

Neni 13

Identifikimi

1.  Kategoritë e përgjithshme të ekosistemeve, habitateve dhe peizazheve të mbrojtura përfshijnë ligatinat dhe zonat e tjera me ndjeshmëri të lartë mjedisore, që identifikohen për të marrë një status të përshtatshëm ruajtjeje.

2. Në ekosistemet, habitatet dhe peizazhet veçanërisht të mbrojtura përfshihen ato:

a)     me status ruajtjeje të pafavorshëm;

b)     me diversitet të lartë e numër të madh llojesh, endemike apo të egra;

c)     që popullohen nga llojet veçanërisht të mbrojtura;

ç)  që kërkohen e përdoren nga llojet shtegtare;

d)     që janë të rëndësishme për vetitë natyrore, shkencore, kulturore apo social-ekonomike;

dh)që janë përfaqësuese unike apo të lidhura me proceset kyçe të zhvillimit apo me procese të tjera biologjike;

e)     të shpallura, si të tilla në bazë të instrumenteve ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.

3.            Në ekosistemet, habitatet dhe peizazhet e degraduara përfshihen ato, të cilat janë të ndotura, të mbishfrytëzuara dhe të shkatërruara, modifikimi i të cilave  ka ulur, në mënyrë të  ndjeshme, aftësinë e funksioneve dhe të proceseve të tyre, si dhe aftësinë për të mbajtur popullata autoktone, të afta për të jetuar.

4.            Ekosistemet, habitatet dhe peizazhet individuale, që kërkojnë mbrojtje të veçantë, identifikohen me qëllim që t’u sigurohet statusi i favorshëm i ruajtjes, ndërsa ato të degraduara identifikohen me qëllim që të rehabilitohen dhe të kthehen në gjendje natyrore.

5.            Identifikimi bëhet duke u mbështetur në të dhënat e reja dhe ato  ekzistuese, në strategjinë dhe planin e veprimit të biodiversitetit, në rrjetin e inventarizimit e të monitorimit të diversitetit biologjik dhe në burimet ndërkombëtare të të dhënave.

6.            Për ekosistemet, habitatet dhe peizazhet e mbrojtura a veçanërisht të mbrojtura, si dhe për ato të degraduara, ministria harton dhe mban regjistrat kombëtare përkatëse.

7.            Ministri miraton formatin, kërkesat për regjistrim, çregjistrim dhe kriteret e përdorimit të regjistrave.

8.            Ministria merr masa për mbrojtjen dhe menaxhimin e këtyre zonave, përpara regjistrimit në regjistër dhe përpara zbatimit të planit të menaxhimit e të veprimit për to.

Neni 14

Përdorimet e mëparshme

Veprimtaritë apo përdorimet e mëparshme të një ekosistemi, habitati apo peizazhi do të vazhdojnë të ushtrohen edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ministria dhe organet e tjera, të përcaktuara me ligj për administrimin e tyre, marrin masa për të siguruar se këto veprimtari apo përdorime janë në përputhje me statusin e favorshëm të ruajtjes, që kanë apo që mund të rimarrin ekosistemet, habitatet e peizazhet, duke iu nënshtruar procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe pajisjes me leje mjedisore.

Neni 15

Veprimtari ose përdorime të reja

Veprimtaritë ose përdorimet e reja në ekosisteme, habitate dhe peizazhe të mbrojtura mund të ushtrohen vetëm pasi t’u jenë nënshtruar procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe të jenë pajisur me leje mjedisore.

Neni 16

Masat e menaxhimit

1.  Brenda 7 vjetësh nga miratimi i këtij ligji, ministria dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me organe të tjera shtetërore, me organizatat jofitimprurëse mjedisore dhe me persona, juridikë dhe fizikë, hartojnë planet e menaxhimit, për të mbajtur apo rivendosur statusin e favorshëm të ruajtjes së ekosistemeve, habitateve a peizazheve të mbrojtura, të ekosistemeve, habitateve apo peizazheve veçanërisht të mbrojtur, si dhe të atyre të degraduara, të cilat miratohen nga ministri dhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

2.  Objektivat dhe kërkesat e planeve të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, integrohen në strategji, plane, programe dhe në vendimmarrje, në nivel kombëtar dhe vendor, jo më vonë se dy vjet pas miratimit të tyre.

Neni 17

Mbrojtja dhe menaxhimi vullnetar

Pronarët privatë ose grupe të tjera të interesuara mund të hyjnë në marrëveshje me organin shtetëror përkatës për të mbrojtur dhe menaxhuar një pronë, me ndihmën teknike, financiare dhe organizative të shtetit, për të mbajtur apo për t’i kthyer ekosistemit, habitatit a peizazhit statusin e favorshëm të ruajtjes.

KREU V

MASAT MBROJTËSE PËR LLOJET (SPECIET) TOKËSORE, UJORE DHE DETARE

Neni 18

Fusha e veprimit

Llojet në këtë kre nuk përfshijnë racat dhe varietetet e rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive.

Neni 19

Ruajtja dhe përdorimi

1.  Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i llojeve dhe habitateve të tyre është pjesë e politikave, planeve, programeve dhe vendimmarrjes shtetërore, në nivel kombëtar dhe vendor.

2.  Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i llojeve dhe habitateve të tyre kushtëzohet nga mbajtja apo rivendosja e statusit të favorshëm të ruajtjes për llojin në habitatin e vet.

3.  Organet shtetërore, personat juridikë, publikë dhe privatë, dhe personat fizikë marrin masa dhe shmangin dëmtimet e panevojshme të llojeve dhe habitateve të tyre, brenda dhe jashtë zonave të mbrojtura.

4.  Ruajtja e llojeve përfshin llojet e mbrojtura dhe llojet veçanërisht të mbrojtura.

Neni 20

Statusi i llojeve të mbrojtura

1. Kapja, marrja, mbajtja dhe përdorimi i individëve të llojeve të kafshëve dhe bimëve të mbrojtura janë të ndaluara, përveç rasteve kur në këtë ligj përcaktohet ndryshe.

2. Me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton, me vendim, listën e llojeve të mbrojtura të vendit.

3. Llojet e këtij grupi mund t’u nënshtrohen masave menaxhuese dhe përdorimit në gjendje natyrore të rregulluar në ligj, që do të bëhet në përputhje me statusin e ruajtjes së favorshme. Mbështetur në të dhënat e marra nga rrjeti i inventarizimit dhe monitorimit të diversitetit biologjik, në masa të tilla mund të përfshihen:

d)      rregullimet, që lidhen me aksesin në prona të caktuara;

e)      ndalimi, i përkohshëm ose lokal, i nxjerrjes së llojeve në natyrë dhe shfrytëzimi i popullatave të caktuara;

f)        rregullimi i periudhave dhe/ose metodave të marrjes së llojeve;

ç)  zbatimi i rregullave të gjuetisë dhe të peshkimit, të cilat marrin parasysh ruajtjen e këtyre popullatave;

g)      vendosja e një sistemi licencimi për përdorimin e llojeve ose të kuotave të vjeljes;

dh) rregullimi i blerjes, shitjes, ofertës për shitje, mbajtjes për shitje ose transportit për shitje të llojeve e individëve;

e) kontrolli i shumimit në gjendje jo të lirë të llojeve të kafshëve, si dhe shumimi artificial i llojeve bimore në kushte të rrepta kontrolli, për pakësimin e marrjes së llojeve  nga gjendja e egër;

ë) vlerësimi i efektit të masave të marra.

Neni 21

Shfrytëzime ose përdorime të reja për llojet e mbrojtura

Shfrytëzime apo përdorime të reja të individëve të llojeve të kafshëve dhe bimëve të mbrojtura lejohen të ushtrohen kur nuk cenojnë statusin e ruajtjes së llojeve të kërcënuara, kur janë miratuar nga ministri dhe kur janë pajisur me leje mjedisore. Këto përdorime ose shfrytëzime lejohen për:

a)     qëllime shkencore apo edukimi;

b)     ruajtje ex-situ, për masa përzgjedhëse ose qëllime riintroduktimi;

c)     materiale gjenetike;

ç)  të mbrojtur diversitetin biologjik;

d)     shëndetin, sigurinë dhe qëllime turistike;

e)     masa sanitare apo fitosanitare.

Neni 22

Identifikimi i llojeve veçanërisht të mbrojtura

1.  Llojet, që kërkojnë mbrojtje të veçantë, identifikohen me qëllim që t’u ruhet ose t’u jepet statusi i favorshëm i ruajtjes.

2. Identifikimi bëhet në bazë të të dhënave të reja dhe atyre ekzistuese, të siguruara nga strategjia e biodiversitetit, plani i veprimit, rrjeti i inventarizimit dhe monitorimit të diversitetit biologjik, si dhe nga burime të tjera të mundshme.

3. Ministria harton dhe administron regjistrin e llojeve veçanërisht të mbrojtura, ku përfshihen, në radhë të parë, llojet që:

a)     kanë një status ruajtjeje të pafavorshëm;

b)     janë endemike;

c)     për të cilat ka të dhëna të pamjaftueshme;

ç) janë shpallur veçanërisht të mbrojtura, në bazë të instrumenteve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.

4.  Formati i regjistrit dhe kriteret e përdorimit të tij miratohen me udhëzim të ministrit.

5.   Institucionet kërkimore-shkencore hartojnë listën e kuqe, si dokumenti ku pasqyrohet statusi i ndryshëm i llojeve të rrezikuara në vend. Ky dokument rinovohet çdo 5 vjet dhe miratohet me urdhër të ministrit.

Neni 23

Statusi për mbrojtjen e llojeve veçanërisht të mbrojtura

1.      Ndalohen të shfrytëzohen ose të përdoren individët e kafshëve dhe të bimëve veçanërisht të mbrojtura, me përjashtim të rastit kur me ligj parashikohet ndryshe. Këto ndalime zbatohen për të gjitha fazat e jetës së kafshëve dhe për të gjitha fazat e ciklit biologjik të bimëve.

2.      Llojet e bimëve veçanërisht të mbrojtura i nënshtrohen një regjimi të rreptë mbrojtjeje, duke ndaluar:

a)     mbledhjen e qëllimshme, prerjen, shkuljen ose shkatërrimin e këtyre bimëve në zonën e tyre natyrore, në gjendje të egër;

b)     mbajtjen, transportin, shitjen, shkëmbimin ose ofertën për shitje a shkëmbim të këtyre llojeve, të marra në gjendje të egër.

3. Llojet e kafshëve veçanërisht të mbrojtura i nënshtrohen një regjimi të rreptë mbrojtjeje në zonën e tyre natyrore të përhapjes, duke ndaluar:

a)     të gjitha format e kapjes së qëllimshme ose vrasjen e këtyre llojeve;

b)     shqetësimin e qëllimshëm të këtyre llojeve, veçanërisht gjatë periudhës së shumimit, rritjes, dimërimit dhe shtegtimit;

c)     shkatërrimin e qëllimshëm ose marrjen e vezëve të tyre;

ç) dëmtimin a shkatërrimin e zonave të shumimit ose të vendeve të qëndrimit;

d)  mbajtjen, transportin, shitjen, shkëmbimin ose ofertën për shitje a shkëmbim të këtyre llojeve, të marra në gjendje të egër.

Neni 24

Shfrytëzime ose përdorime të mëparshme për llojet veçanërisht të mbrojtura

1.  Ministria dhe organet e tjera, të përcaktuara me ligj për administrimin e llojeve veçanërisht të mbrojtura, marrin masa për të siguruar se përdorimet ose shfrytëzimet e mëparshme të llojeve veçanërisht të mbrojtura të jenë në përputhje me statusin e favorshëm të ruajtjes së tyre.

2. Përdorimet ose shfrytëzimet e mëparshme pajisen me leje mjedisore vetëm kur janë në përputhje me statusin e ruajtjes së llojeve veçanërisht të mbrojtura.

Neni 25

Shfrytëzime ose përdorime të reja për llojet veçanërisht të mbrojtura

1.  Shfrytëzimet ose përdorimet e reja të individëve të kafshëve e të bimëve veçanërisht të mbrojtura, që paraqiten në rastet e përcaktuara në nenin 21,  të këtij ligji, pajisen me leje mjedisore nëse:

a)     nuk ka alternativa të tjera të kënaqshme;

b)     janë në përputhje me statusin e favorshëm të ruajtjes së llojit;

c)     nuk bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë;

ç) nuk bien ndesh me objektivat e planit të veprimit të llojit, për llojet me status të pafavorshëm ruajtjeje.

2.  Shfrytëzimi ose përdorimi i rastësishëm i llojeve veçanërisht të mbrojtura është i ndaluar.

Neni 26

Menaxhimi

1.      Për llojet veçanërisht të mbrojtura, të regjistruara me status ruajtjeje të pafavorshëm ministria, në bashkëpunim me organet shtetërore, qendrore e vendore, institute të specializuara, organizata jofitimprurëse dhe me persona, fizikë e juridikë, harton planet e  veprimit për ruajtjen e llojit. Këto plane miratohen me udhëzim të ministrit.

2.      Planet e veprimit për ruajtjen e llojit përfshihen në strategjitë, planet, programet dhe në vendimmarrjet shtetërore, në nivel kombëtar dhe vendor.

3.      Planet e menaxhimit dhe të veprimit për habitatet e llojeve veçanërisht të mbrojtura, me status të pafavorshëm ruajtjeje, përgatiten si pjesë e planeve të veprimit për ruajtjen e llojit.

4.      Në planet e veprimit përcaktohen, hollësisht, masat e menaxhimit për t’i mbajtur llojet në një status të favorshëm ruajtjeje ose për t’ua dhënë këtë status, kur nuk e kanë.

5.      Në hartimin e planeve të veprimit për ruajtjen e llojit, përbën përparësi fakti se sa i kërcënuar është një lloj, sipas përcaktimit të bërë në nenin 22, të këtij ligji. Hartimi i planeve bëhet sipas kërkesave të strategjisë dhe të planit të veprimit për biodiversitetin, jo më vonë se 5 vjet pas regjistrimit. Kërkesat për hartimin e planeve të veprimit për ruajtjen e llojit miratohen nga ministri.

6.      Ministria, nëpërmjet rrjetit të inventarizimit dhe monitorimit të diversitetit biologjik, bashkërendon punën për kërkimin, inventarizimin dhe monitorimin e zbatimit të statusit të ruajtjes të llojeve të regjistruara.

Neni 27

Masa të përkohshme për mbrojtjen dhe menaxhimin

Për llojet veçanërisht të mbrojtura me një status të pafavorshëm ruajtjeje, ministria dhe organet shtetërore përkatëse marrin masat e domosdoshme, paraprake, për mbrojtjen dhe menaxhimin para regjistrimit të tyre në regjistër dhe para hartimit të planeve të veprimit për ruajtjen e llojit.

Neni 28

Masat për mbrojtjen dhe menaxhimin vullnetar

Pronarët privatë ose grupe të tjera të interesuara mund të lidhin marrëveshje me organin shtetëror përkatës, për të mbrojtur dhe administruar një pronë, me ndihmën teknike, financiare dhe organizative të shtetit, për t’i siguruar llojit veçanërisht të mbrojtur status të favorshëm  ruajtjeje.

KREU  VI

RACAT DHE VARIETETET AUTOKTONE, TË RËNDËSISHME

PËR USHQIM DHE BUJQËSI

Neni 29

Ruajtja dhe përdorimi

1. Organet shtetërore, organizatat jofitimprurëse dhe personat, fizikë dhe juridikë, publikë ose privatë, ruajnë dhe përdorin, në mënyrë të qëndrueshme, racat dhe varietetet autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, në kushte in-situ dhe ex-situ.

2. Organet e pushtetit, qendror dhe vendor, krijojnë lehtësirat dhe mbështesin programet për ruajtje dhe kërkime, in-situ dhe ex-situ, për racat dhe varietetet e rëndësishme për ushqim dhe bujqësi. Metodat e ruajtjes     ex-situ përdoren si metoda plotësuese për ruajtjen  in-situ.

3.                      Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i racave dhe i varieteteve autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, janë pjesë e strategjive, planeve, programeve dhe vendimmarrjeve, në nivel kombëtar dhe vendor.

Neni 30

Identifikimi

1.      Racat dhe varietetet autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, identifikohen në kushtet e tyre in-situ dhe ex-situ.

2.      Identifikimi kryhet në bazë të të dhënave, të reja dhe ekzistuese, të siguruara nga strategjia e plani i veprimit të biodiversitetit, nga rrjeti i inventarizimit dhe monitorimit të biodiversitetit, si dhe nga burime ndërkombëtare.

3.      Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mban regjistrin e racave dhe të varieteteve autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi.

4. Formati, kriteret e regjistrimit e të çregjistrimit, si dhe rregullat për administrimin dhe shfrytëzimin e regjistrave, miratohen me udhëzim të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 31

Masat e menaxhimit

1. Për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të racave dhe të varieteteve autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, të regjistruara në regjistër Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit harton politika kombëtare të integruara, të cilat miratohen nga Këshilli i Ministrave, brenda 5 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

2. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, nëpërmjet rrjetit të inventarizimit dhe monitorimit të biodiversitetit, bashkërendon punën për kërkimin, inventarizimin dhe monitorimin, për të mbështetur ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të racave dhe varieteteve autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi.

3. Përdorimi për qëllime fitimi i një varieteti autokton nuk mund të bëhet pa miratimin e pronarit të tij.

KREU  VII

LLOJET E HUAJA DHE LLOJET E HUAJA INVAZIVE

Neni 32

Importimi dhe introduktimi

1. Importimi ose introduktimi i qëllimshëm i llojeve të huaja ose i llojeve të huaja invazive në mjediset tokësore, ujore ose detare të Republikës së Shqipërisë, bëhet vetëm me autorizimin e lëshuar nga organi përkatës dhe pas marrjes së lejes mjedisore.

2. Ministri jep leje mjedisore për importim ose introduktim të qëllimshëm vetëm kur aplikuesi, nëpërmjet njohjes e vlerësimit të ndikimit në mjedis, dhe të dokumenteve të tjera, provon se një lloj i huaj apo invaziv nuk do të ndikojë negativisht në mjedis, në shëndetin e njeriut, si dhe në zhvillimin e qëndrueshëm.

3. Vlerësimi mjedisor  duhet të paktën:

a) të bëhet për çdo rast konkret, përpara futjes së tij në vendin tonë;

b) të bëhet me metoda shkencore;

c) të bazohet në teknika të njohura vlerësimi;

ç) të mbështetet në udhëzime të njohura ndërkombëtare.

4. Në aplikimin për t’u pajisur me leje mjedisore përfshihen:

a) masat për menaxhimin dhe kontrollin e rreziqeve të identifikuara;

b) një program monitorimi;

c) një plan për menaxhimin e pasojave të padëshirueshme apo të situatave  emergjente;

ç) një garanci financiare, për të përballuar pasojat e padëshirueshme apo situatat emergjente.

5. Llojet e huaja, përpara introduktimit të lejuar të tyre, ose produktet që ato përmbajnë, u nënshtrohen provave të nevojshme.

6. Për të gjitha organizmat, që merret leje mjedisore bëhet regjistrimi në një regjistër të hapur për publikun. Ministri, me urdhër, miraton formatin, kriteret e regjistrimit e të çregjistrimit dhe rregullat e administrimit të këtij regjistri.

7. Këshilli i Ministrave, brenda 5 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, me propozimin e ministrit, miraton listën e llojeve të huaja ose llojeve të huaja invazive dhe përcakton procedurat për ndalimin dhe/ose futjen e tyre në pikat doganore të vendit.

Neni 33

Asgjësimi, kontrolli ose frenimi

1. Ministri dhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit urdhërojnë asgjësimin ose frenimin e përhapjes së llojeve të huaja dhe llojeve të huaja invazive, kur ato janë të dëmshme apo potencialisht të dëmshme, të futura me ose pa qëllim.

2. Shpenzimet për masat e marra për asgjësimin, kontrollin, frenimin dhe për  riparimin e dëmtimeve mjedisore, mbulohen nga personat, juridikë dhe fizikë, përgjegjës për futjen e këtyre llojeve.

3. Ministria bashkërendon punën për hartimin e planeve dhe të masave për asgjësimin dhe kontrollin, ku përfshihen edhe masat për ndërgjegjësimin e publikut për llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive, të dëmshme, që janë introduktuar.

Neni 34

Njoftimi i shteteve të tjera dhe këshillimi me to

1.  Ministria njofton shtetet e prekura ose potencialisht të prekura, si dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare, kur në territorin e Republikës së Shqipërisë ndodh apo mund të ndodhë një transport ndërkufitar i llojit të huaj dhe/ose llojit të huaj invaziv, që mund të ketë ndikime negative në shtete të tjera apo në një sipërfaqe jashtë kufijve të çdo juridiksioni kombëtar.

2. Njoftimi përmban:

a)     të dhëna për rreziqet e mundshme, që lidhen me introduktimin, lëvizjen dhe masat për menaxhimin e rrezikut të mundshëm;

b)     një pikë kontakti për komunikime të mëtejshme;

c)     çdo të dhënë tjetër, që është e vlefshme.

3. Ministria, në të gjitha rastet, këshillohet me shtetet e prekura apo potencialisht të prekura, me qëllim që ato të ndërmarrin veprimet e nevojshme dhe masat e sigurimit.

Neni 35

Planifikimi për llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive

1. Ministria, nëpërmjet rrjetit kombëtar për inventarizimin dhe monitorimin e biodiversitetit, bashkërendon procesin e vlerësimit të kërcënimeve ndaj mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm nga llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive, në sipërfaqet tokësore, ujore dhe detare të Republikës së Shqipërisë, brenda 5 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

2. Nëpërmjet vlerësimit identifikohen:

a)     llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive në Republikën e Shqipërisë;

b)     niveli i kërcënimeve për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm;

c)     rrugët e futjes;

ç) masat për të parandaluar futjet e ardhshme ose për të zhdukur dhe kontrolluar llojet e huaja ekzistuese apo llojet e huaja invazive të identifikuara;

d) Të dhëna të tjera të nevojshme.

3. Të dhënat përdoren për hartimin e politikave, planeve, programeve dhe të veprimtarive për të rregulluar apo administruar rrugët e identifikuara, duke kontrolluar, kufizuar ose asgjësuar llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive, kërcënuese apo të dëmshme për mjedisin.

Neni 36

Riintroduktimi i llojeve të huaja dhe i llojeve të huaja invazive

1. Riintroduktimi i llojeve për t’i kthyer popullatave të tyre, mundësinë për të jetuar, ku përfshihen edhe përpjekjet për ripopullim, bëhet vetëm me leje mjedisore ose me miratimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

2. Riintroduktimi lejohet në zonat e mbrojtura, ekosistemet, habitatet e peizazhet veçanërisht të mbrojtura, me kusht që të mos ndikojë negativisht në biodiversitet dhe në mjedisin pritës.

3. Riintroduktimi realizohet sipas rregullave të njohura ndërkombëtare dhe planit të veprimit të llojit ose instrumenteve të tjera menaxhuese.

KREU  VIII

RUAJTJA EX-SITU

Neni 37

Ruajtja

1. Metodat e ruajtjes ex-situ të llojeve dhe burimeve gjenetike plotësojnë metodat e ruajtjes in-situ.

2. Organet dhe institucionet shtetërore, në zbatim edhe të kërkesave të ligjit nr.8732, datë 24.1.2001, “Për materialin mbjellës bimor”, marrin masat dhe krijojnë kushtet e nevojshme për mirëmbajtjen dhe ruajtjen   ex-situ të llojeve dhe të burimeve të tyre gjenetike.

Neni 38

Planifikimi

Ministria, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe me institucionet kërkimore-shkencore, ndjek dhe bashkërendon procesin e vlerësimit për ruajtjen ex-situ, nëpërmjet të cilit sigurohen të dhënat e nevojshme, që shërbejnë për politikat, planet dhe programet për ruajtjen e biodiversitetit.

KREU  IX

VEPRIMTARI KËRKIMORE QË LIDHEN ME BIODIVERSITETIN

Neni 39

Programet kërkimore

Organet shtetërore përgjegjëse mbështesin dhe përkrahin institucionet kërkimore - shkencore, publike dhe private, për hartimin e programeve kërkimore, që mbështesin studimin, koleksionimin e burimeve gjenetike, ruajtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij.

Neni 40

Vlerësimi

Ministria, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, brenda 4 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kryen vlerësimin e veprimtarive kërkimore për diversitetin biologjik. Vlerësimi do të shërbejë për rishikimin e strategjisë dhe planit të veprimit të biodiversitetit, si dhe do të mbështesë zhvillimin e rrjetit të inventarizimit dhe monitorimit të diversitetit biologjik.

Neni 41

Leja për veprimtaritë, që shfrytëzojnë dhe përdorin diversitetin biologjik

1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, veprimtaritë, që shfrytëzojnë dhe përdorin elemente të diversitetit biologjik dhe të përbërësve të tij, do të pajisen me leje mjedisore, në rastet kur:

a) veprimtaria kërkimore është në përputhje me kërkesat e këtij ligji;

b) janë siguruar informacione për personat, juridikë dhe fizikë, që do të kryejnë kërkime, për përdorimin e mëvonshëm të materialeve kërkimore, objekt studimi, si dhe informacione të tjera shoqëruese;

c) parashikohet se veprimtaria kërkimore do të ketë ndikim negativ në diversitetin biologjik.

2. Përparësi u jepet  veprimtarive kërkimore, që ndikojnë në masat e ruajtjes dhe të përdorimit të qëndrueshëm, si dhe në rrjetin e inventarizimit dhe të monitorimit të biodiversitetit.

3. Për përdorimet e mëvonshme të materialit gjenetik, të molekulave biologjike, të lidhura me materialin e mbledhur, leja kushtëzon, që këto të bëhen me pëlqimin e ministrisë dhe/ose të pronarit dhe që do t’u nënshtrohen kushteve për ndarjen e përfitimeve.

4. Materialet e mbledhura si pjesë e veprimtarive kërkimore mbeten pronë e Republikës së Shqipërisë ose pronë e pronarit prej të cilit janë mbledhur fillimisht dhe kthehen me përfundimin e veprimtarisë kërkimore, nëse nuk është rënë dakord ndryshe. Transferimi i materialeve palëve të tjera, pa pëlqimin e ministrisë dhe/ose të pronarit, është i ndaluar. Transferimi i materialit bëhet me marrëveshje.

5. Kur veprimtaritë kërkimore janë propozuar nga persona, juridikë  dhe fizikë të huaj, leja, përveç të tjerave, përmban edhe këto kushte:

a) Ndarjen ose përdorimin e mëvonshëm të materialeve kërkimore, ndërmjet studiuesve, vendas e të huaj, duke u mbështetur në kushtet e vendosura paraprakisht në kontratë dhe në bazë të rezultateve përfundimtare;

b) Të drejtën që Republika e Shqipërisë t’i shfrytëzojë a përdorë kampionet ose produktin e arritur, si dhe të dhënat e mbledhura nëpërmjet këtyre veprimtarive;

c) Vlerësimin e të dhënave për zyrtarizimin e tyre;

ç) Pëlqimin e dhënë nga ministria dhe/ose institucioni përgjegjës respektiv, që të dhënat e rezultateve të kërkimeve të pasqyrohen në rrjetet ndërkombëtare të informacionit.

KREU  X

NDARJA E PËRFITIMEVE NGA PËRDORIMI I MATERIALIT GJENETIK DHE  I MOLEKULAVE TË TJERA BIOLOGJIKE

Neni 42

Mbledhja dhe përdorimi i materialeve biologjike dhe i kampioneve të mjedisit nga burime in-situ

1. Mbledhja nga burime in-situ dhe përdorimi i sasive të konsiderueshme të bimëve, kafshëve apo materialit mikrobik, të materialit gjenetik apo të molekulave të tjera biologjike, si dhe të dhënave shoqëruese janë të ndaluara pa lejen mjedisore.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, veprimtaritë e përmendura në  pikën 1, të këtij neni, do të pajisen me leje mjedisore, kur:

a) është siguruar informacioni i plotë për personat, juridikë dhe fizikë, që kërkojnë materialet, për veprimtaritë e propozuara dhe për përdorimin e mëvonshëm të materialeve që duhen mbledhur;

b) veprimtaria mbledhëse nuk është e ndaluar me ligj;

c) pronarët e materialit, të cilëve u është dhënë  informacion i plotë për veprimtarinë e propozuar e për përdorimet e mëvonshme, kanë dhënë  pëlqimin paraprak, që lidhet me aksesin dhe përdorimin e çdo të dhëne shoqëruese;

ç) është rënë dakord për kushtet e përdorimit të mëvonshëm të materialeve dhe për ndarjen e përfitimeve, monetare dhe jomonetare, me Republikën e Shqipërisë ose me pronarët privatë.

3. Materialet e

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›