Deklaratë e Qeverisë Shqiptare
Qeveria e Republikës së Shqipërisë ndjek me vëmendje të veçantë krizën e rrezikshme të krijuar nga vendosmëria e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.
Kundërshtimi i deritanishëm i Qeverisë Iraniane për të respektuar Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore dhe zotimet e marra në negociatat me BE-në, janë dëshmi e një kursi tepër të rrezikshëm në të cilin autoritetet iraniane e kanë angazhuar vendin e tyre.
Qeveria shqiptare, bashkohet me vlerësimin e Qeverisë së SHBA-së dhe vendeve anëtare të BE-së dhe i konsideron programet e zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani një rrezik të madh real për paqen e stabilitetin e rajonit te Lindjes së Mesme dhe mbare botës. Për Qeverinë Shqiptare parandalimi me çdo kusht i këtyre programeve ka një rëndësi përcaktuese për sigurinë dhe paqen në Lindjen e Mesme dhe në botë.
Qeveria shqiptare ka mbështetur përpjekjet e deritanishme ndërkombëtare në tërësi dhe në veçanti, përpjekjet e BE-se dhe SHBA-së per zgjidhje në rrugë diplomatike dhe negociata të këtij problemi, sikurse ajo përshëndet dhe mbështet vendimin e fundit të Qeverisë së SHBA, për t'u angazhuar në bisedime direkte me autoritetet iraniane. Ky vendim i Presidentit Bush është dëshmi e qartë e vullnetit të qeverisë amerikane për të zgjidhur, nëpërmjet dialogut, këtë problem madhor për sigurinë globale.
Qeveria shqiptare i bën thirrje qeverisë së Iranit të largohet nga praktikat dhe veprimet e deritanishme dhe të angazhohet në negociata serioze, duke ndërprerë paraprakisht pasurimin e uraniumit, si kushti më minimal per te deshmuar vullnetin e tij të mirë për heqjen dorë nga programet e zhvillimit të armëve bërthamore dhe mundësuar zgjidhjen diplomatike paqesore të çështjes bërthamore iraniane. Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë, qeveria iraniane mund të parandalojë një seri pasojash tejet të rënda, përgjegjësia për të cilat do të bjerë direkt mbi të.