Kryeministri Berisha takon përfaqësues të kompanisë FCDG
Kryeministri Berisha ka pritur sot përfaqësues të kompanisë Foreign Capital Development Group, të cilët i kanë prezantuar projektet e para në fushën e energjetikës, minierës dhe turizmit.
Pas këtij prezantimi, pala kinezë, e cila është pjesë e këtij grupi të madh investitorësh amerikanë, shqiptarë e kinezë, i ka shprehur Kryeministrit Berisha interesin për vazhdimësinë e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare, që, duke iu referuar eksperiencave të mëparshme, rezulton të ketë qenë gjithëherët shumë pozitive.
Kryeministri Berisha i ka falënderuar përfaqësuesit e këtij grupi për interesin dhe projektet që kanë propozuar, duke i siguruar se qeveria shqiptare do t’i mbështesë përpjekjet e tyre në këto fusha, që ato të kurorëzohen me sukses.
Pasi u ka bërë me dije përfaqësuesve të FCDG se interesi në këto fusha, ku ata kërkojnë të operojnë, është i madh edhe për shumë kompani të tjera të huaja dhe vendase, Kryeministri ka theksuar edhe një herë se projekte të tilla përbëjnë prioritet për qeverinë shqiptare dhe reformat e saj.
Në fund të këtij takimi, Kryeministri Berisha nënvizoi edhe një herë faktin se Shqipëria dhe Kina janë vende miq, të cilët synojnë ta thellojnë këtë marrëdhënie shumë të mirë edhe në fushën ekonomike.