Kryeministri pret aktoren hollivudiane, Eliza Dushku
Sot paradite, kryeministri Berisha priti aktoren hollivudiane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, e ftuar në Shqipëri për të marrë pjesë në Festivalin e Videoklipeve Europiane. Aktorja shoqërohej në këtë takim nga familjarët e saj dhe nga artistë shqiptarë.
Kryeministri Berisha u shpreh i kënaqur që takonte një artiste të jashtëzakonshme, e rritur me një dashuri kaq të madhe për Shqipërinë, vendin e origjinës. Eliza, u shpreh kryeministri, është krenari për çdo shqiptar.
Nga ana e saj, aktorja Eliza Dushku u shpreh e lumtur dhe e nderuar për pritjen e ngrohtë. Znj. Dushku shprehu kenaqësinë e jashtëzakonshme që ndodhej mes miqsh. Ajo u shpreh se mbi të gjitha ajo është krenare për origjinën e saj, të cilën nuk heziton asnjëherë ta deklarojë hapur dhe me zë të lartë, ndaj dhe vizita në Shqipëri është një ngjarje e veçantë e jetës së saj.
Ndërsa artistja Dushku shprehu përshtypjen e vecantë që i kishte bërë fakti që shqiptarët flasin rrjedhshëm gjuhë të huaja, Kryeminstri Berisha i tregoi asaj mbi objektivin e qeverisë për ta shndërruar anglishten në një gjuhë të dytë për të gjithë fëmijët e shkollave, pa lënë mënjanë edhe interesimin për gjuhë të tjera. Gjithashtu, Kryeminstri Berisha i tregoi Elizës përpjekjet e qeverisë për modernizimin e sistemit të komunikimit dhe teknologjisë së informacionit në shkolla.
Dushku u shpreh e gatshme që të jepte çdo kontribut që të mundej për të mirën e Shqipërisë. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha theksoi se "Shqipëria ka nevojë për një imazh të ri, për të promovuar kulturën, historinë dhe traditat shqiptare, për të promovuar potencialet e jashtëzakonshem të vendit, vecanërisht ato turistike. Shqipëria ka gjithashtu nevojë për investime dhe imazhi i vëndit është shumë i rëndësishëm për të tërhequr investimet – theksoi kryeminstri. Në këtë drejtim të gjithë shqiptarët kudo në botë mund të kontribojnë shumë – ndaj dhe Kryeminsitri Berisha i kërkoi Zonjushës Dushku mbështetjen e saj. Nga ana e saj Zonjusha Dushku shprehu entuziazmin e saj për të punuar për promovimin e Shqipërisë, duke premtuar se do të kthehet përsëri këtu me familjen dhe miq nga Amerika.