PROJEKTLIGJ PER DISA SHTESA E NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7928, DATË 27.4.1995, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, TË NDRYSHUAR
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA E NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7928, DATË 27.4.1995, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa e ndryshime:
Neni 1
Pas shkronjës “ç”, të nenit 24, “Organizatat jofitimprurëse”, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Furnizim mallrash e shërbimesh nga organizatat jofitimprurëse, të cilat kanë statusin e organizatave jofitimprurëse për përfitim publik, dhe që çmimet e mallrave dhe shërbimeve, që ato furnizojnë, janë dukshëm më të ulëta se çmimet e tregut.
Statusi i organizatave jofitimprurëse për përfitim publik jepet, me autorizim, nga ministri i Financave, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 2
Pika 2.1, e nenit 26, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.1. Për makineritë dhe pajisjet e importuara nga personat e tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike, pavarësisht llojit të saj, zbatohet skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së deri në 12 muaj. Për rastet kur cikli i zhvillimit të investimeve dhe fillimit të ofrimit të prodhimit ose të shërbimit është më i gjatë se 12 muaj, ministri i Financave ka autoritetin ta zgjasë afatin e shtyrjes së pagesës së TVSH-së, në varësi të ciklit të zhvillimit të investimit të parashikuar në marrëveshje apo kontratë. Sipas kësaj skeme, TVSH-ja nuk paguhet në doganë, në çastin e importit.
Skema e re e shtyrjes së pagesës së TVSH-së përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kriteret dhe procedurat, që do të ndiqen për shtyrjen e TVSH-së, në rastin kur zgjatja e ciklit të investimit dhe fillimit të ofrimit të prodhimit ose të shërbimit është më e gjatë se 12 muaj, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.”.
Neni 3
Shkronja “a”, e nenit 26/1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Importimi përfundimtar i të gjitha mallrave prej një personi të tatueshëm, kur furnizimi i tyre në të gjitha rrethanat, brenda vendit, është furnizim i përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Kjo shkronjë nuk zbatohet për furnizimin në import të shtypshkrimeve dhe librave të çdo lloji.”.
Neni 4
Pas pikës 3, të nenit 55, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Në mungesë të emërimit të një përfaqësuesi tatimor, të gjitha detyrimet dhe penalitetet për to, paguhen nga përfituesi vendas i furnizimit.”.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI