Kryeministri Berisha pret kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj

Kryeministri Berisha priti sot në një takim kryetarin e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, z Ramush Haradinaj.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e përgëzoi kryetarin e AAK-së për qëndrimin e tij me dinjitet ndaj popullit të tij dhe gjithë shqiptarëve.
Z. Haradinaj u shpreh se në këtë vizitë të tij të parë në Shqipëri dëshironte t`i shprehte personalisht Kryeministrit Berisha urimet e tij për arritjet e Shqipërisë dhe falenderimet për kontributin e çmuar që Shqipëria po jep në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kryetari i AAK-së gjithashtu uroi Kryeministrin Berisha për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO, dhe për sukseset e gjithanshme në zbatimin e reformave të ndërmarra.
Kryeministri Berisha tha se pavarësia e Kosovës është një moment historik i paharrueshëm për të gjithë shqiptarët. Njohja e pavarësisë së Kosovës, vijoi Kryeministri, nga 45 vende është një hap i rëndësishëm dhe i suksesshëm i bërë tashmë dhe se me durim duhet çuar më tej.
Kryeministri u shpreh se promovimi i Kosovës dhe njohjes së pavarësisë së saj jashtë Europës është një objektiv kryesor që me maturi duhet avancuar përpara.
Gjithashtu Kryeministri mbështeti propozimin për projekte ekonomike të përbashkëta duke theksuar se qeveria e Kosovës dhe qeveria e Shqipërisë duhet të fillojnë punën për projektin energjetik që parashikon ndërtimin e një TEC-i me qymyr me kapacitet 500 megavat.
Modernizimi i infrastrukturës, rrugët e reja që janë ndërtuar dhe ato që janë në proces dhe portet , vijoi Kryeministri Berisha, do të intensifikojnë marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe Shqipërisë si dhe do të konsolidojnë ekonomitë e tyre.