Kryeministri Berisha: Buxheti i vitit 2009 arrin shifrën 5.2 miliardë dollar, 1 miliardë dollar më shumë se buxheti i vitit 2008

- Rritja e buxhetit mbështet fuqishëm investimet në të gjithë vendin, në infrastrukturë, në akset kombëtare, rrugë dytësore, ujësjellës - kanalizime, impiante të përpunimit të ujërave, rritje pagash e pensionesh, investime në shkolla, etj.
Kryeministri Berisha u shpreh sot, në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, se buxheti i vitit 2009 arrin në vlerën 5.2 miliardë dollarë. Kryeministri tha se ky buxhet rritet me dyfishin, krahasuar me buxhetin e fundit të qeverisë socialiste, ndërsa krahasuar me këtë qeveri, me muajin shtator 2007, ai do të jetë 1 miliardë dollarë më shumë.
Kryeministri vlerësoi se ky është buxheti i investimeve më të mëdha, i të ardhurave më të mëdha dhe i rritjes më të madhe të pagave e pensioneve. "Rritja e buxhetit, - u shpreh Kryeministri - mbështet fuqishëm investimet në të katër anët e vendit, në ujësjellës - kanalizime, impiante të përpunimit të ujërave, në rrugë dytësore, në investimet në akset kombëtare."
Kryeministri vlerësoi punën e ministrive që kanë arritur të hartojnë në kohë buxhetin 2009, duke i krijuar mundësinë qeverisë që të paraqesë atë në parlament brenda muajit shtator.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh:
“Kjo mbledhje është thirrur për të diskutuar kuadrin makroekonomik-fiskal për periudhën 2009-2011. Në Komitetin e Planifikimit Strategjik qëllimi kryesor është ridiskutimi i tavaneve dhe ndarjeve kryesore të buxhetit të vitit 2009. Dua të theksoj se ky buxhet, krahasuar me buxhetin e fundit të qeverisë socialiste, rritet me dyfishin. Të ardhurat në këtë buxhet, pa llogaritur privatizimet, arrijnë në 340 miliardë lekë. Buxheti në tërësi arrin në vlerën 5.2 miliardë dollarë. Krahasuar me këtë qeveri dhe jo me 2 vjet më parë, por me muajin shtator 2007, buxheti i këtij viti do të jetë 1 miliardë dollarë më shumë. Ndërsa buxhetit i vitit 2008 ishte 4.2 miliardë dollarë, buxheti i vitit 2009 është 5.2 miliardë dollarë.
Fakti që këtë vit në buxhet do të jenë 1 miliardë dollarë më shumë se vitin që kaloi përbën një lajm shumë të mirë. Kjo do të thotë qindra e qindra kilometra rrugë më shumë për shqiptarët, dhjetëra shkolla të tjera të reja, mbështetje e fuqishme e rritjes ekonomike.
Para së gjithash, kjo rritje do të thotë “ogur i bardhë” për 800 mijë familje shqiptare, pasi buxheti parashikon një rritje tjetër të madhe të rrogave dhe pensioneve, rritje që ia bën të mundur kësaj qeverie të dyfishojë rrogat e mësuesve të infermierëve, të mjekëve. Kështu, vitin që vjen, rritja e pensioneve në qytet e fshat nuk do të jetë ashtu siç ka qenë më parë, me 5 dhe 10 për qind, por do të jetë 10 dhe 20 për qind.
Risia e kësaj rritjeje është fakti se do të bëhet në 1 maj 2009. Këtë e diktojnë zgjedhjet e ardhshme, ndaj, pavarësisht se rëndohet shumë fatura financiare, ne nuk mund të presim të bëhet kjo rritje në qershor 2009, periudhë kur është fushata elektorale, pasi kjo do të shfrytëzohej për kritika ndaj qeverisë. Kështu, rritja nis nga data 1 maj 2009, datë në të cilën nuk ka filluar ende fushata elektorale zyrtare.
Rritja e buxhetit mbështet fuqishëm investimet në të katër anët e vendit, në ujësjellës - kanalizime, impiante të përpunimit të ujërave, në rrugë dytësore, në investimet në akset kombëtare, etj.. Ku buxhet, si më i madhi në historinë e vendit, ka dhe detyrimin që të shndërrohet në të mira më të mëdha për komunitetin, për qytetarët, për komunat, bashkitë, fshatrat, për vendin në tërësi.
Buxheti është paraqitur në kohë dhe ministritë kanë bërë një punë serioze. Përmes tij, janë tejkaluar ndjeshëm parashikimet që ne kemi bërë më parë.Nëse vëreni tavanet që kishim parashikuar, del se ato janë tejkaluar, në sajë të një performance shumë të mirë të sektorëve të doganave dhe tatimeve, por në tërësi të qeverisë, e cila ia del të çojë në parlament, brenda muajit shtator, një buxhet prej 5.2 miliardë dollar, një buxhet që mbart në vete zarfin më të mirë se çdo buxhet tjetër për rritjen e rrogave, pensioneve dhe të ndihmës ekonomike. Janë 800 mijë familje shqiptare të cilave ky buxhet u ndryshon ndjeshëm mirëqenien.
Kjo politikë ka bërë që rroga mesatare në këtë vend të jetë ndër më të lartat sot. Në sektorin publik ajo ka arritur shumën 502 dollarë, ose 427 mijë lekë. Ftoj edhe sektorin privat, i cili edhe ai ka bërë progres në rritjen e rrogave, që ta vazhdojë këtë rrugë. Në rast se sipas statistikave të ILO-s, Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që bën të ditur se rroga mesatare ka qenë 220 dollarë, tashmë këtë rrogë për punonjësit në Shqipëri e kemi mbi dyfishuar, duke e çuar në 502. Kjo është një rrogë mesatare e pranueshme për një vend me një trashëgimi si Shqipëria.
Këto janë të dhënat kryesore të buxhetit të vitit që vjen , pra buxheti i investimeve më të mëdha, i të ardhurave më të mëdha, i rritjes më të madhe të rrogave, pensioneve. Sërish ju kujtoj të mos harroni datën 1 maj , si dita e rritjes së rrogave dhe pensioneve."