Kryeministri Berisha: Nga 1 maj 2009 rriten pensionet dhe pagat për rreth 800 mijë familje shqiptare

Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, ku u diskutua për buxhetin e vitit 2009, Kryeministri Berisha tha se, bazuar në rritjen e këtij buxheti, në 1 maj 2009, qeveria do të bëjë rritjen e re të pensioneve dhe pagave për rreth 800 mijë familje shqiptare.
Kryeministri Berisha u shpreh se rritja e buxhetit të këtij viti me 1 miliardë lekë më shumë se buxheti i vitit 2008, i jep mundësinë qeverisë të dyfishojë pagat e mësuesve, të infermierëve e mjekëve.
Duke u ndalur në rëndësinë e rritjes së pensioneve, Kryeministri nënvizoi se “vitin që vjen rritja e pensioneve në qytet e fshat nuk do të jetë ashtu siç ka qenë më parë, me 5 dhe 10 për qind, por do jetë 10 dhe 20 për qind.”
Risia e kësaj rritjeje, - theksoi Kryeministri, - është fakti se ajo do të bëhet në 1 maj 2009. “Këtë e diktojnë zgjedhjet e ardhshme, ndaj, pavarësisht se rëndohet shumë fatura financiare, ne nuk mund të presim që rritja e tyre të bëhet në qershor 2009, periudhë kur është fushata elektorale, pasi kjo do të shfrytëzohej për kritika ndaj qeverisë”, u shpreh Kryeministri Berisha.