PROJEKTLIGJ PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.7928, DATË 27.4.1995, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, TË NDRYSHUAR
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.7928, DATË 27.4.1995, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa:
Neni 1
Pas pikës së fundit, të nenit 57, të kreut V, të shtohet pika, me këtë përmbajtje:
“ Kur fatura tatimore e lëshuar nga blerësi për shitësin fermer, nuk përmban të dhënat e përcaktuara në pikën 2, të nenit 58/4, të këtij ligji.”.
Neni 2
Pas nenit 58, të kreut VI, shtohen nenet e mëposhtme:
“Neni 58/1
Skema e kompensimit të fermerëve
1. Për fermerët, të cilët, në kuadër të veprimtarisë së tyre, në një nga fushat e prodhimit, bujqësor e blegtoral, furnizojnë me këto produkte një person të tatueshëm, sipas kuptimit të këtij ligji, zbatohet skema e kompensimit të akorduar. Ministri i Financave, në bashkëpunim me ministrin përgjegjës për bujqësinë e blegtorinë, përcakton, me udhëzim, listën e produkteve, të përfshira në këtë skemë.
2. Kompensimi i akorduar i paguhet shitësit fermer nga blerësi, person i tatueshëm, përkundrejt furnizimeve të kryera.
3. Kompensimi i akorduar është i barabartë me produktin e përqindjes fiks të kompensimit me vlerën e furnizmit dhe llogaritet, për çdo furnizim të fermerit, për personin e tatueshëm. Kompensimi mbulon një pjesë të TVSH-së së paguar prej fermerëve, të përfshirë në çmimin e blerjes së mallrave e shërbimeve, që u janë furnizuar atyre, për nevoja të veprimtarisë ekonomike, bujqësore e blegtorale.
Neni 58/2
Përqindja e kompensimit
Kompensimi është në masën 6 për qind.
Neni 58/3
Detyrime të fermerit
Fermerët përfitojnë të drejtën e kompensimit kur:
a) nuk janë regjistruar dhe nuk detyrohen të regjistrohen si persona të tatueshëm sipas këtij ligji;
b) bëjnë furnizimin me mallra, me prejardhje nga puna e tyre, kryer në një nga fushat e përcaktuara në pikën 1, të nenit 58.1;
c) mallrat ua furnizojnë të tretëve, persona të tatueshëm;
ç) janë pajisur me një kod personal, lëshuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Neni 58/4
Detyrime të personit të tatueshëm
1. Blerësi, person i tatueshëm, lëshon një faturë tatimore për shitësin, fermer, për çdo furnizim të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi, për llogari të shitësit fermer, mbi të cilën zbatohet përqindja fikse e kompensimit.
2. Forma dhe përmbajtja e faturës janë përcaktuar në nenin 36, të këtij ligji, në përputhje me natyrën e furnizimit.
Në krye të saj vendoset shënimi “Faturë e lëshuar nga blerësi” dhe në të duhet të shënohen këto të dhëna:
a) Emri, adresa, NIPT-i i personit të tatueshëm, blerës;
b) Emri, mbiemri, adresa, kodi personal i fermerit shitës;
c) Data, kur lëshohet fatura;
ç) Përshkrimi i çdo lloj malli të furnizuar;
d) Sasia e mallrave të furnizuara;
dh) Çmimi për njësi, i çdo lloj malli të furnizuar;
e) Vlera e furnizimit;
ë) Përqindja e kompensimit të paguar;
f) Shuma e kompensimit të paguar;
g) Vlera e përgjithshme e paguar për atë furnizim.
3. Kompensimi, që personi i tatueshëm, blerës, i ka paguar shitësit fermer, vlerësohet si TVSH-ja e kreditueshme për personin e tatueshëm, sipas kushteve të nenit 33, të ligjit, dhe deklarohet në periudhën tatimore, kur është lëshuar fatura.
4. Nëqoftëse fatura nuk përmban të gjitha të dhënat e përcaktuara sipas pikës 2, të këtij neni, personi i tatueshëm nuk ka të drejtë të kreditojë kompensimin e paraqitur në të dhe detyrohet të paguajë një dënim, të përcaktuar me udhëzim nga ministri i Financave.”.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi më 1 janar 2008.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI