Kryeministri Berisha: Shqipëria do të shërbejë si pike fokale për reformën e OKB-së në të ardhmen
- Nëpërmjet Programit “Një OKB”, Kombet e Bashkuara do të mbështesin Shqipërinë me 75 milion dollarë
Qeveria shqiptare nënshkroi sot me Kombet e Bashkuara Programin “Një OKB”, i cili e bën Shqipërinë pjesë të rëndësishme në procesin e reformës së Kombeve të Bashkuara. Programi “Një OKB” u nënshkrua, për qeverinë shqiptare, nga Zëvendësministri Gazmend Oketa dhe, për Kombet e Bashkuara, nga Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri Gulden Turkoz Cosslett. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kryeministri Berisha, anëtarë të qeverisë, përfaqësues të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Tiranë dhe të trupit diplomatik.
Kryeministri Berisha, duke përshëndetur nënshkrimin e këtij Programi, e konsideroi nismën “Një OKB” shumë të rëndësishme për reformën në tërësi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Vendimi për të krijuar në veprimtarinë e OKB-së, modelin e “Një OKB”, theksoi Kryeministri, - është një vendim shumë i drejtë, që lejon dhe mundëson një koordinim shumë më të mirë të veprimtarive të këtyre agjencive, rrit efiçencën e tyre dhe shmang mbivendosjen e këtyre veprimtarive.”
Koordinatorja e Përhershme e OKB-së znj. Cosslett theksoi se nuk ishte rastësi që u zgjodh Shqipëria, i vetmi vend nga Europa, për të marrë pjesë në Programin pilot “Një OKB”, por se kjo përzgjedhje u mbështet në faktin se “ekzistonte një punë e fortë e brendshme në lidhje me këtë si dhe roli udhëheqës brenda vendit.”
Duke e vlerësuar këtë një zhvillim shumë të rëndësishëm për vendin, Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e këtij Programi në Shqipëri. “Ne besojmë se me këtë projekt do të mund të përfitojmë maksimumin e mundshëm nga bashkëpunimi me OKB-në. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për suksesin e këtij projekti dhe jemi të sigurt se ky projekt do të jetë i suksesshëm. Gjithashtu, ne ndihemi krenarë se Shqipëria do mund të shërbejë si një pike fokale për një reformë shumë më të madhe të OKB-së në të ardhmen, shtrirjen e këtij projekti edhe në shumë vende të tjera dhe përfshirjen në të edhe të organizatave të tjera, pse jo edhe të organizatave Breton Wood,” theksoi Kryeministri.
Znj. Cosslett tha se Programi ka shtrirje 4 vjeçare, më një shumë të përgjithshme buxheti prej 75 milion dollarë.
Kryeministri shprehu, gjithashtu, falënderimet për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për të qenë një vend pilot i kësaj nisme, si dhe për ndihmën e çmuar që kjo organizatë i ka dhënë Shqipërisë. “Organizata e Kombeve të Bashkuara, organizata e parë dhe më kryesore e planetit, ndërton punën e saj në bazën e 38 agjencive, shumica e të cilave janë të pranishme prej shumë vitesh në Shqipëri. Ato kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të çmuar në vendin tim. Me ekspertizën, por dhe ndihmën e gjithanshme direkte që ato kanë sjellë, kanë vepruar në fusha të ndryshme, duke nisur nga shëndeti i fëmijëve dhe mbrojtja e tyre, ushqimi e deri tek probleme të mëdha të zhvillimit të vendit, probleme të çarmatimit, të ligjeve dhe në fusha të tjera,” u shpreh Kryeministri.
Nisma “Një OKB” synon t’i afrojë agjencitë e Kombeve të Bashkuara në një program të përbashkët, një buxhet dhe një lider. Shqipëria, i vetmi vend në Europë, është përzgjedhur së bashku me 7 vende të tjera në botë për implementimin e këtij programi.