E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamentarët britanikë: Shqipëria në kohë për integrimin në NATO

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Grupin Parlamentar të Miqësisë Britani e Madhe-Shqipëri.

Lidhur me integrimin në NA, Parlamentarët britanikë u shprehën, se shumë shpejt nga ky grup do të kërkohet nënshkrimi i një mocioni në parlamentin anglez mbi ftesën e Shqipërisë në NA. “Pikërisht tani është koha e duhur për integrimin e Shqipërisë në NA, nisur edhe nga progreset e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare që ne konstatuam gjatë vizitës tonë këtu dhe takimeve me Kryetaren e Parlamentit dhe disa ministra të qeverisë tuaj.”- thanë parlamentarët.

Grupi gjithëpartiak Parlamentar britanik shprehu vlerësime për arritjet e Shqipërisë dhe reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Në mënyrë të vecante, parlamentarët britanikë shprehën interes për punën që po bën qeveria shqiptare për krijimin e një klime të përshtatshme për investitorët e huaj duke i dhënë përparësi uljes së taksave, vendosjes së taksës së sheshtë, zbatimin e nismës “Shqipëria 1 euro” në mjaft procedura, si dhe me dixhitalizimin e shume proceseve.

Parlamentarët britanikë u angazhuan që Grupi i Miqësisë Angli-Shqipëri të përfshihet në organizimin dhe realizimin e Forumit Ekonomik Angli-Shqipëri që do të zhvillohet në pranverën e ardhshme ne Londër.

Gjithashtu, Parlamentarët Britanikë i shprehën kryeministrit Berisha se ata ishin shumë të impresionuar me tolerancën fetare që dëshmon vendi ynë, tolerance që duhet të jetë shembull në rajon e më gjerë.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i falënderoi për takimin mbresëlënës të zhvilluar pak ditë më parë në Londër, si dhe shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë e popullit shqiptar për mbështetjen tepër të ngushtë dhe efikase që parlamenti dhe qeveria e Britanisë së Madhe i ka dhënë Shqipërisë që në fillim, si dhe për ratifikimin së fundmi nga Britania e Madhe e MSA-së, akt që inkurajon shumë progresin e Shqipërisë.

“Në një nga momentet më të vështira e të rëndësishme të historisë së vendit tonë, siç qe lufta në Kosovë, Britania e Madhe dhe ish Kryeministri Tony Blair dhanë mbështetjen e tyre të vendosur e të menjëhershme për Kosovën” - tha kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha u shpreh se në fokusin e qeverisë shqiptare është marrja e ftesës për në Samitin e NA-s, në Bukuresht. “ 94 për qind e popullit shqiptar është pro integrimit të vendit në NA, kjo për aspiratat e shqiptarëve për liri dhe siguri, si dhe për Kosovën” – tha Kryeministri.

Më tej, kryeministri Berisha i njohu parlamentarët britanikë me ecurinë e reformave kryesore të ndërmarra nga qeveria shqiptare duke u ndalur veçanërisht tek reforma elektorale, reforma në drejtësi, arsim, ekonomi, etj.

Gjithashtu Kryeministri Berisha dhe parlamentarët diskutuan mbi luftën e vazhdueshme që po bën qeveria shqiptare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për potencialet e mëdha që ka Shqipëria për tërheqjen e investitorëve britanikë në fushën energjetike, turizëm dhe artizanat, shfrytëzimin e pasurive minerale dhe hidrike të vendit,etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›