PRONA, KRIMI KOLEKTIV I POLITIKËS
PANDELI MAJKO
Një ditë para se të paraqisja në 2002 programin e qeverisë në Kuvend u kërkova këshilltarëve që të shtonin një paragraf ku të flitej për kthimin e pronave dhe për pronarët. E kujtoj edhe sot vështrimin habitës të tyre me pyetjen – E ke menduar mirë, shef?!…
Në Shqipëri konflikti për pronën ka shkaktuar mbi 8 mijë vrasje në 20 vitet e fundit. Shifrat zyrtare dhe të shoqatës së pronarëve, për konfliktet për pronën dhe tokën në Shqipëri janë 4 979 raste në fshatra dhe 3 163 raste në qytete. Ky është një bilanc lufte.
Në publikun shqiptar çështja e pronave është trajtuar sikur Shqipëria ka ecur në një rrugë të paprecedentë dhe të ishte vendi i fundit nga ish-vendet komuniste që nuk i ka dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. E vërteta është që në ligjin e shkruar, Shqipëria në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste ka progres të dukshëm.
Historia e riparimit të padrejtësive me pronën që iu bënë një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve gjatë kohës së regjimit komunist filloi me ligjin e vitit 1993 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”. Ai praktikisht ishte një dështim klasik dhe ndihmoi kryesisht në rastet e kthimit të pronave në zonat urbane. Pjesët më të rëndësishme të këtij ligji, u shfuqizuan gjatë po atij viti nga vendime të ndryshme të Gjykatës Kushtetuese…
Shqipëria e jetoi postkomunizmin e vet me jetë të dyfishtë. Me Kushtetutën e vitit 1998, shtetit shqiptar i lindi detyrimi i zgjidhjes përfundimtare të pretendimeve për kthim të pronave drejt pronarëve të ligjshëm.
Pamjen më të plotë për pronën në Shqipëri e jep Banka Botërore e cila në raportin e saj më të fundit vlerëson se Qeveria dhe gjykatat në Shqipëri kanë dështuar në zgjidhjen e çështjes së pronës. Banka Botërore e lidh ekzistencën e qindra ndërtimeve të paligjshme në Shqipëri me moszgjidhjen e çështjes së pronës. Sipas saj, një e treta e të gjithë ndërtimeve të kryera në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve janë të paligjshme.
Për zyrën e OSBE-së në Tiranë zbatimi i plotë i ligjit është penguar nga fakti se shumë afate kohore të parashikuara në legjislacionin e pronësisë janë shkelur dhe institucionet përkatëse shqiptare nuk kanë marrë hapat e nevojshëm për të përmbushur detyrimet e tyre. Ajo vëren se zonat kryesore urbane dhe zonat bregdetare mbeten të paregjistruara.
Mungesa e titujve të pronësisë ka sjellë në Shqipëri edhe një fenomen tjetër i cili emërtohet si pronat e papërdorshme. Pronarët që nuk i kanë marrë këta tituj nga zyrat e kadastrave nuk mund t’i përdorin pronat e tyre për ndërtime apo investime.
Për çështjen e pronave në Shqipëri, Gjykata e Strasburgut ka kaluar nga paralajmërimet në veprime konkrete. Ndëshkimi më i freskët i Strasburgut ishte ai i gjobës prej 3,2 milionë eurosh, që kjo gjykatë i ka vënë qeverisë aktuale për moszbatimin e vendimit të saj. Dhe ky është vetëm fillimi! Në Gjykatën e Strasburgut ka sot rreth 530 ankimime të pranuara për të hapur procese gjyqësore. Strasburgu ka kërkuar që çështja e pronave të zgjidhet nga shteti shqiptar dhe të respektohet Konventa Europiane e Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut ku ai aderon. Në këtë situatë dramatike të pronës në Shqipëri, Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar Shqipërisë të bëjë publike faturën financiare që ai ka marrë përsipër ndaj shtresës së pronarëve të ligjshëm. Ajo ka kërkuar që kthimi dhe kompensimi i pronave të jetë konform parimeve të Jurisprudencës së Strasburgut. Këto parime janë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.
Është e qartë që për çështjen e pronës sjellja e shtetit shqiptar bie ndesh me parimet që ka pranuar në ligjin themelor të tij. Në këto kushte, Gjykata e Strasburgut mbetet shansi i fundit për pronarët shqiptarë.
Deri më sot në Gjykatën e Strasburgut të gjitha çështjet kundër vendimit të Komisionit të Kthimit të Pronave janë fituar në 100% të rasteve nga ana e pronarëve. Ata kanë pasur përballë Avokaturën së Shtetit, e cila është palë kundërshtare në proceset gjyqësore. Ajo përfaqëson shtetin shqiptar në këtë organizëm ndërkombëtar si për të përforcuar zyrtarisht keqbërjen e shtetit karshi pronarëve të ligjshëm.
Lufta e Ftohtë midis qeverisjes dhe pronarëve vazhdon thuajse e padukshme për opinionin publik. Kohët e fundit Gjykata Kushtetuese shpalli si antikushtetuese tre nene në ligjin shqiptar për kthimin e pronave. Hilja qeveritare ishte që nëse një qytetar ankohej në Gjykatën e Strasburgut, të lejohej që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të anulonte vendimin e mëparshëm të marrë në vite prej saj. Pas këtij veprimi ligjor Gjykata e Strasburgut nuk kishte çfarë të gjykonte pasi nuk ekzistonte vendimi mbi të cilin duhej të shprehej…
Manovrat qeveritare në marrëdhënien me pronën bënë që pronarët të ishin të parët që e vlerësuan dhënien me qira të tokave bujqësore të pandara si një strategji të qeverisë për të shmangur kompensimin fizik të pronës. Konflikti vjen për arsyen e thjeshtë se kompensimi tokë me tokë është strategjia e vetme realiste që i ka mbetur shtetit shqiptar në marrëdhënien detyruese me shtresën e pronarëve. Në 5 gusht të këtij viti ka hyrë në fuqi strategjia e re qeveritare për pronën. Kjo strategji ka në themel edhe kompensimin fizik dhe synohet që deri në vitin 2020 të kenë marrë zgjidhje çështjet e pronave. A thua të jetë e vërtetë kjo!?
Kompensimi financiar, është një ëndërr e bukur për tu besuar. Deri më sot shteti shqiptar ka përdorur për kompensimin financiar një fond minimal vjetor. Qeveria quan sukses që fondi për kompensim financiar nga 2005 deri në 2011 është rreth 37 milionë dollarë. Kjo është një shifër qesharake krahasuar me detyrimin prej shumë miliardë eurosh të kompensimit të pronarëve. (shifrat lëvizin deri në 20 miliardë euro!). Në vitin 2014, qeveria pasardhëse sipas strategjisë së mësipërme do të duhet krijojë fondin e tokës dhe të fillojë kompensimin fizik të pronarëve. Sot në Shqipëri realiteti plaçkitës flet për ish-repartet ushtarake të cilat do të privatizohen dhe një praktikë ku çdo tokë fitimprurëse po ndahet ose po jepet me qira.
A do të fillojë kompensimi fizik i pronave në vitin 2014? Përgjigjja pohuese është tallje me veten! Përgjigjja negative është para syve të të gjithë publikut. Është e qartë se qeveria aktuale me vetëdije po e dështon këtë proces. Zgjidhja e problemit të pronësisë përbën një nga 12 rekomandimet që Bashkimi Europian i ka vënë Shqipërisë për ecurinë e integrimit të saj. Rezerva e Brukselit zyrtar në çështjen e pronës po merr tendencë ndëshkimi për Tiranën zyrtare.
Përpara presionit ndërkombëtar nga qeverisja ka disa deklarime publike për çështjen e pronës. Nga Ministria e Drejtësisë pretendohet se ka kaluar në fondin e kompensimit fizik rreth 71 hektarë pyje, 17 mijë hektarë tokë bujqësore dhe mbi 100 objekte. Pyetja është se Ku janë këto prona!? Gërxhet e mbetura të paprivatizuara, duket se do tu jepen pronarëve me solidaritet kushtetues. Tallja po vjen si në një ballo me maska!
Në këtë ballo postkomuniste, Shqipëria ka aktualisht mbi 8 institucione që veprojnë mbi të drejtat e pronësisë në varësi të ministrive të ndryshme. Sipas analizës që ka bërë vetë Ministria e Drejtësisë, këto institucione trajtojnë në mënyrë të fragmentarizuar çështjen e fitimit të pronësisë dhe të regjistrimit të titujve të pronësisë. Në këtë xhungël agjencish shtetërore ka funksionuar një mafie e mirëfilltë tokash.
Aktualisht, agjencia e kthimit të pronave administron 6556 kërkesa fillestare për njohjen kthimin dhe kompensimin e pronave. Sot gjendja e marrëdhënieve pronësore në Shqipëri ka krijuar qartazi një shtresë pronarësh