E Shtunë, 31 Tetor 2026

PROTESTA E PS:RAMA, DO LARGOJME ME FORCE QEVERINE

 

Mijëra në shesh me opozitën, protestues nga të gjitha rrethet
Përgatitja për protestën maratonë të opozitës kishte ditë që kishte nisur.
Por dje pak para fillimit të protestës së opozitës për hapjen e kutive të votimit, kryeministri Berisha është shfaqur në dritaren e kryeministrisë duke përshëndetur në drejtim të të pranishmëve që ndodheshin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Berisha e konsideroi protestën e opozitës si “protestë antivizë” ndërsa këmbëngul se hapja e kutive të votimit është një procedurë që bie ndesh me ligjet dhe me vendimet e gjykatës. Shtabi organizator i protestës, i drejtuar nga numri dy i PS-së, Gramoz Ruçi kishte dhënë udhëzime të detajuara për këtë manifestim, i cili do të ishte dhe një demonstrim force përballë maxhorancës parlamentare. Qytetet kryesore, ku socialistët drejtojnë bashkitë e tyre, do të kishin një peshë jo të vogël në pjesëmarrje për këtë protestë, e cila duhet të korrigjonte ato gabime që u bënë në protestën e 10 tetorit, kur në nisje të tyre socialistët nuk mundën të mbledhin shumë protestues. Që në orët e para të paradites, nga Korça, Vlora, Gjirokastra, Kukësi, Puka e më vonë dhe Elbasani, Fieri, Durrësi, Lushnja, të organizuar me autobusë dhe furgona realizuan sjelljen në Tiranë të mijëra protestuesve. Rreth orës 14 në Tiranë nisën të mbërrinin autobusët e parë me protestues, ndërkohë që sipas tyre kishin pasur pengesa gjatë rrugës nga policia rrugore, e cila u kishte kontrolluar dokumentacionin. Shtabi organizator kishte vendosur që të gjithë protestuesit të grumbulloheshin fillimisht në sheshin “Skënderbej”, e më pas prej andej, iu drejtuan Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Në të gjithë gjatësinë e bulevardit ishin përcaktuar vendet ku do të qëndronin përfaqësuesit e rretheve dhe të Tiranës. Pjesa e parë, që niste nga podiumi i mitingut e mbaronte tek Ura e Lanës, do të mbushej nga protestuesit e ardhur nga rrethet, ku ishin vendosur dhe banderolat me emrat e qyteteve. Bulevardi në të gjithë gjatësinë e tij ishte i përcaktuar se ku do të qëndronte çdokush. Në krye të protestuesve ishin fierakët, që pasoheshin nga korçarët, elbasanllinjtë, beratasit, durrsakët e kështu me radhë. Që para se të niste protesta, organizatorët kishin ngritur dhe disa çadra për të paralajmëruar se sheshi në darkë do të mbushej me çadra ku do të qëndronin protestuesit.
Tirana
Kryeqyteti ishte organizuar ndryshe kësaj radhe. Nga çdo njësi vendore, strukturat e PS-së do të grumbullonin 800-1000 vetë, për të mbushur pjesën nga Ura e Lanës deri te Ministria e Rendit. Duket se kjo funksionoi, pasi përveç strukturave të PS-së që ishin prezente në protestën e djeshme të opozitës, asaj iu bashkuan dhe shumë banorë të kryeqytetit. Kjo solli një mbushje të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke sjellë pamje të rralla të protestave të zhvilluara në Shqipëri. Ndërkaq deputetët e kryeqytetit, sipas skemës së organizatorëve, do të kishin me vete rreth 100 vetë që do të qëndronin gjatë gjithë natës. Organizatorët kanë menduar që kryeqytetasit të jenë prezentë gjatë natës së sotme në bulevard, për të vazhduar masivisht protestën e opozitës.
Klima
Protestuesit opozitarë mbajtën korrektësi gjatë gjithë fjalimeve dhe nuk shkaktuan asnjë incident. Madje dhe gjatë ndërprerjes së energjisë së fonisë, kur pritej një reagim i ashpër, protestuesit ishin të qetë dhe nuk shkaktuan asnjë tension. Ndoshta në këtë klimë të qetë ndikoi pozitivisht dhe deklarata e Ambasadës Amerikane, e cila dje paradite u bëri thirrje forcave opozitare të përmbahen dhe të mos provokojnë incidente në protestat demokratike. Dy ditë më parë numri dy i PS-së, Gramoz Ruçi, i bëri apel qeverisë dhe kryeministrit Berisha që të mos provokojë incidente në protestën e opozitës.
Protesta, 2 mijë vetë e gdhijnë në shesh
Aristir Lumezi
Rreth 40 ditë pas protestës së 10 tetorit, bulevardi që ndan Kryeministrinë me Kuvendin mbipopullohet sërish nga protestuesit e opozitës, për të njëjtin qëllim, hapjen e kutive të votimit.
 Protesta e qytetarëve duket se ka filluar pas orës 19:00, kur liderët e të majtës, por edhe të disa partive të djathta, folën nga podiumi i vendosur në krah të institucionit të qeverisë. Në përfundim të fjalimit, kreu i PS-së, Edi Rama nisi të takojë qytetarët e ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Ndërsa përballë kullave nisi të ngriheshin çadrat e para, në të cilat qëndruan për gjatë gjithë natës rreth 2 mijë qytetarë. Së bashku me ata ishin edhe rreth 30 deputetë të PS-së, të cilët kanë qëndruar në shesh deri në mëngjes, madje kanë ngrënë së bashku me protestuesit.
Atmosfera
Ndërkohë që kreu i socialistëve takonte qytetarët, nga podiumi vinin tingujt e grupit West Side Family dhe Bujar Qamilit. Madje në një cep pranë kordonit të policëve që ruanin kryeministrinë, një grup qytetarësh duket se nuk janë përmbajtur teksa kanë nisur edhe të kërcejnë. Por zhurmën e madhe në bulevard e ka shuar një dalje e kryeministrit Berisha në ekranet e vendosura nga organizatorët. Për disa çaste u duk se kreu i qeverisë doli në një konferencë direkte për protestën, por mjaftuan vetëm disa fjalë të tij që i referoheshin ngjarjes së Gërdecit për të kuptuar se ishte pjesë e spotit të PS-së. Pas këtij momenti vërshuan ironitë për kreun e qeverisë, por edhe për disa spote të Dritan Priftit, Petrit Vasilit dhe Ilir Metës, të cilët kritikonin qeverinë përpara 28 qershorit.
Ushqimi
Rreth orës 21:00 në shesh vërshuan pjesëtarë të stafit organizues, të cilët u shpërndanin qytetarëve ushqim, që për këtë protestë ishte buka me qofte, por në disa raste kishte edhe sanduiçe. Rreth 15 çadra të bashkuara u hapën në rrugë dhe brenda një kohe të shkurtër brenda tyre u krijua ambienti i përshtatshëm për të kaluar natën. Pllakat e poliesterolit, ndriçimi dhe sobat me gaz, duket se garantonin rritjen e temperaturave që në mesnatë iu afruan zeros, ndërkohë që nga një cep i çadrës ndihej era e rakisë, por dëgjoheshin edhe këngë labe. Një prej tyre ishte pikërisht për deputetin e Vlorës, Arben Isaraj. Por qëndrimi i qytetarëve brenda çadrës fillimisht nuk zgjati shumë, për shkak të një mbledhje grupi të PS-së, e cila si për ironi të tyre, do të zhvillohej pikërisht në ato ambiente. Ata u detyruan të largoheshin për disa momente nga çadra e ngritur në qendër të Tiranës, për t’u rikthyer sërish rreth orës 22:00 ku qëndruan gjatë gjithë natës. Dita e djeshme mund të konsiderohet pa frikë si një ditë me fat për shitësit ambulantë, veçanërisht ata që tregtonin kokoshka. Qytetarë të shumtë u drejtoheshin këtyre shitësve për të konsumuar diçka në pritje që nga organizatorët e protestës të vinte edhe ushqimi. Por ndërsa konsiderohet si ditë e mirë për këta shitës, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për pastruesit e qytetit. Në mesnatë ata nisën të pastronin bulevardin, i cili si rrallë ndonjëherë tjetër ishte i zhytur në mbeturina. Protesta duket se ishte përgatitur deri në detajin më të vogël. Rreth 10 banjo portative ishin vendosur në lulishten përpara piramidës për të përballuar të gjitha nevojat e qytetarëve të ardhur nga rrethet. Ndërkohë sot në mëngjes ata do t’ia lënë vendin protestuesve nga Tirana, të cilët do të çojnë deri të dielën këtë maratonë tre ditore.

Shitësi i kokoshkave: Ishte një ditë me fat, kam fituar 60 mijë lekë

Më shumë se për këdo tjetër, mbrëmja e djeshme duket se ka qenë me fat për shitësit ambulantë. Njëri prej tyre, Astriti, një burrë rreth të 30-tave iu soll disa herë rreth e qark bulevardit, nga dy kullat, deri në fund të selisë së kryeministrisë dhe të kuvendit. Ai tregon për gazetën se vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme ka fituar të paktën katër herë më shumë se një ditë normale. “Sot kam arritur të fitoj goxha shumë lekë. Në një ditë normale fitoj rreth 12 mijë lekë të vjetra dhe në ditën më të mirë kam fituar edhe 15 mijë lekë. Ndërsa sot deri tani kam fituar rreth 60 mijë lekë. Shpresoj të vazhdojë kështu gjatë gjithë natës”, thotë shitësi, i cili uron që protesta të zgjasë sa më shumë, në mënyrë që edhe ai të fitojë akoma edhe më shumë. “Kam dëgjuar që protesta do të vazhdojë tre ditë, shpresoj që ajo të zgjasë sa më shumë”. Dita e djeshme duket se e ka gjetur të papërgatitur atë, teksa problemi i tij i vetëm nuk ishte prodhimi i kokoshkave, por mbarimi i gazit. “Shpresoj që gazi të më mbajë sa më gjatë, nuk e kisha parashikuar se do të kisha kaq shumë punë sot”. Si Astriti duket se ishin të kënaqur të gjithë shitësit e tjerë ambulantë gjatë mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që të tilla duket se do të jenë edhe dy ditët e tjera të protestës së opozitës.

Malaj në protestë
Deputeti socialist Arben Malaj, një nga përfaqësuesit e mendimit ndryshe në PS-së, ishte dje prezent në protestën e opozitës. Malaj ishte nën shoqërinë e Sabit Brokajt, por dhe të deputetëve të tjerë, ndërsa munguan përfaqësuesit e tjerë të mendimit ndryshe. Malaj u shpreh dje se mbështet hapjen e kutive dhe protestën e opozitës, por kërkoi që kjo protestë të mos radikalizohet. Deputeti socialist ka qenë prezent dhe në mitingjet e protestës së opozitës, të zhvilluara në Vlorë dhe Fier, por është kundër bojkotit.

Vëzhgues të huaj në protestë
Protesta e djeshme e opozitës është ndjekur nga afër dhe nga përfaqësues ndërkombëtarë. Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së, dan Redford ishte dje i pranishëm në protestë dhe pas saj, ku është takuar me deputetë socialistë dhe përfaqësues të lartë politikë të saj. Pas protestës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u pa dhe ambasadori hungarez në Tiranë, Sandor Molnari, i cili duket se donte të shikonte nga afër klimën në të cilën zhvillohej protesta opozitës. Në protestat e partive politike shqiptare anëtarë të përfaqësive diplomatike kanë qenë afër tyre për të ndjekur mënyrën se si zhvillohen protestat.

Mbledhje urgjente e grupit të PS në çadër
Drejtuesi i shtabit të protestës, Gramoz Ruçi, me një tjetër anëtar, Fatmir Xhafaj, mblodhën grupin e deputetëve socialistë. Mbledhja e bë në çadrën e sapo ngritur, ndërsa Ruçi bëri bilancin e deri në atë moment të protestës. Numri dy i PS-së përgëzoi deputetët për numrin e madh të protestuesve që u arrit të grumbulloheshin në tubimin e paralajmëruar tre javë më parë. Ashtu siç tha dhe gjatë një emisioni televiziv se nuk donte të zbulonte të gjithë strategjinë e protestës, Ruçi i ka kërkuar deputetëve zbatimin e skemës sa i takon ditës së dytë. Edhe pse çdo gjë mbahet në fshehtësi të madhe dhe nuk bëhet publike, mësohet se deputetëve u është kërkuar përpjekje që gjatë paradites së sotme të ketë pjesëmarrje nga qytetarët e Tiranës, ndërsa në mbrëmje do të jetë deputetët e Tiranës që kanë siguruar mbi 100 vetë secili, që do të qëndrojnë në çadra. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›