E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do largojmë me forcë qeverinë

 

BLEDAR HOTI
Kreu i PS-së, Edi Rama paralajmëron largimin me forcë të qeverisë, në rast se nuk miratohet ligji për hapjen e kutive të votimit, duke synuar shkuarjen vendin në zgjedhje të parakohshme.
Kjo mësohet se do të jetë përshkallëzimi i protestave, në rast se qeveria nuk reagon për kërkesat e opozitës për hapjen e kutive të votimit. “Shkurt dhe troç, në qoftë se kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Do të kërkojmë një të drejtë që nuk na e ka dhënë Sali Berisha dhe nuk na e mohon dot Sali Berisha, me protesta të pandërprera, kudo për çdo arsye që lidhet me çdo detyrë të qeverisë ne do të kërkojmë që qeveria të largohet”, tha Rama. Kreu i PS-së deklaroi se opozita nuk hyn në parlament pa u realizuar më parë hapja e kutive ndërsa ka bërë të të shtuar se “nuk ka Shqipëri Europiane pa lirinë e të gjitha lirive që është liria e votës dhe nuk ka drejtësi në Shqipëria pa të drejtën për të votuar lirisht dhe që vota të numërohet lirisht. Ja pse jemi sot këtu në këtë shesh! Ja pse do të jemi nesër këtu! Ja pse e ardhmja fillon këtu, ashtu siç shkruhet në faqen e parë të Librit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Po vjen ora që populli të rimarrë në dorë fatin e tij”. “Asgjë e ligjshme nuk i pengon, madje të gjitha rrethanat i detyrojnë përfaqësuesit e popullit t’i hapin në sy të popullit kutitë e 28 qershorit, të cilat nuk hapen vetëm për arsyen e paligjshme të pushtetit të Sali Berisha, që urdhëroi shkeljen e ligjit për hapjen e kutive nga KQZ-ja, nënshtroi me presion Gjykatën Zgjedhore për të mos hapur kutitë dhe forcërisht ndalon sot miraton miratimin e një ligji për hetimin e zgjedhjeve duke filluar nga kutitë. Në këto kushte jo vetëm nuk hyjmë në Parlament, por do të përshkallëzojmë protestën tonë që nuk do të mbarojë as sot dhe as nesër”, theksoi Rama. Kryesocialisti në diskutimin e tij u përqendrua në aspektin e kërkesës së ndërkombëtarëve mbi bojkotin e opozitës në parlament.
“Partnerët tanë ndërkombëtarë kërkojnë me plot të drejtë që opozita të jetë në parlament, edhe ne duam të jemi në parlament, por jo për t’i vënë kapak historisë së shëmtuar të manipulimeve dhe për t’i hapur rrugë përsëritjes së saj në zgjedhjet e ardhshme. Po ta bënim këtë do të bëheshim thjesht bashkëfajtorë për të djeshmen dhe nesërmen e zgjedhjeve në Shqipëri dhe më keqja do të pranonim se parlamenti është vendi ku bëhen ligje që nuk zbatohen. Protesta jonë është në thelbin e saj për të vendosur forcën e ligjit mbi ligjin e forcës”, tha kryesocialisti. Ai shtoi se “kutitë e votimit nuk na i mbajnë mbyllur miqtë tanë evropianë, ato i mban mbyllur Sali Berisha dhe duhet t’i hapë Sali Berisha. Mos u fshi as pas integrimit, as pas ndërkombëtarëve dhe as ndonjë miku të huaj që të del në ëndërr dhe të thotë, Sali mos i hap kutitë se të ndalon ligji, por hapi kutitë përpara se populli sovran të të detyrojë që të largohesh bashkë me kutitë”. “Hapen kutitë e votave të Afganistan, sepse kërkon opozita dhe nuk hapen në Shqipëri kur opozita i kërkon jo për rinumërim mandatesh, por transparencë për të garantuar një herë e mirë rendin zgjedhor në këtë vend, nuk ka më turp për Berishën. Këtë turp le ta mbajë Berisha, që ka urdhëruar dhe orkestruar manipulimin e zgjedhjeve”, tha më pas Rama. Kryesocialisti ka bërë të ditur se kërkesa e hapjes së kutive të votimit nuk negociohet. Pas mitingut, Rama deklaroi për “Top Channel” se “i bëj thirrje Sali Berishës të mos bëjë shurdhmemecin përpara kërkesave të opozitës se kjo di t’i kushtojë zgjedhjet e parakohshme”.

Ngjela: Nuk do lejojmë dinastinë e korrupsionit të Sali Berishës
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela i bashkuar me protestën e opozitës për hapjen e kutive është shprehur se kjo është protestë e bërë në emër të lirisë së mohuar. “Kjo është protesta më e madhe e bërë në emër të lirisë, kjo na ka nxjerrë në shesh për t’u kthyer shqiptarëve rrugën e humbur dhe lirinë e mohuar. Sot ju denonconi krimin e Berishës me këtë pjesëmarrje masive. E keqja është më e rrezikshme së vdekja. Ne jemi të bashkuar për t’i thënë ndal të keqes, tiranisë më të madhe që është Sali Berisha”, tha Ngjela. Kreu i PLiDr tha se “në 20 vjet nuk kemi qenë kurrë në një udhëkryq, por edhe nuk i kanë dalë ndonjëherë kaq shumë pengesa për lirinë, këtyre udhëkryqeve. Historianë na kanë treguar se dhe kombe shumë më të mëdha se ne janë shkatërruar, sepse qeveriseshin nga diktatorat. Kjo është edhe historia jonë, të udhëhequr nga Sali Berisha, i cili nuk ka për ta sunduar dot kurrë popullin. Kjo është historia e 20 viteve me një njeri që kërkon t’i skllavërojë, por keni qenë pikërisht ju që nuk ia keni lejuar këtë”. Sipas tij, “manipulimi i zgjedhjeve ndodhi vetëm për një qëllim, që të kthejë në dinasti familjen e tij në pushtet. Por ne nuk do ta lejojmë këtë tirani”. “Një kryeministër që erdhi në pushtet me logon kundër korrupsionit, por e zhyti vendin në korrupsion. Ai mundi që këtë tragjedi të korrupsionit ta kthente në komedi, falë njerëzve të stafit të tij. Dua ta mbyll duke thënë se kam pasur e kam një ëndërr që shqiptarët të jenë të lirë, që Shqipëria të jetë një shtet evropian, si streha e sigurt e të gjithë shqiptarëve, e jam i bindur që e keni të gjithë. Ja ku jemi të gjithë që të rrëzojmë të gjithë së bashku këtë tirani, për të hapur kutitë, që janë banka e popullit, ato i mban të mbyllur ligësia, tirania. Kush i mban të mbyllura kutitë përpara popullit, është një humbës i madh. Fitore, do të fitojmë”, tha Ngjela.

Skënder Gjinushi:“ Tuneli të zinte dhe Berishën”
Kreu i Partisë Socialdemokrate tha se: “Hapja e kutive hap rrugën  drejt Evropës dhe largon Sali Berishën. Hapja e kutive mundëson që shqiptarët të shkojnë në Evropë, e Saliu të shkojë në Zimbabve për t’u dhënë përvojë”. “Ky është morali i regjimit të Berishës që i do dosjet e mbyllura për të kontrolluar politikanët, ndërsa kutitë e mbyllura për të kontrolluar qytetarët. Por ai nuk mbyll dot gojën e një populli të tërë. Çmontimi i këtij regjimi fillon nga hapja e kutive, fillon sot nga ky bulevard. Nuk është Saliu i pafat që i plasi Gërdeci dhe iu shemb tuneli, të pafat jemi ne. Mirë që u shemb tuneli, po si nuk u shemb me Saliun poshtë tij!!!!”, tha Gjinushi.

Dule: Zgjedhje të parakohshme
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule deklaroi se nëse qeveria nuk gjen zgjidhje për kërkesat e opozitës, atëherë duhet të ketë zgjedhje të reja. “Kjo është thirrja që vjen nga çdo cep i vendit sot, ky është mesazhi ndaj qeverisë: hapini rrugë vullnetit të popullit, demokracisë së vendit për të shkuar drejt BE! Nëse nuk jeni të gatshëm të bëni këtë kompromis hapini rrugë popullit përmes zgjedhjeve të parakohshme. Duhet të kemi bindje të plotë, të palëkundur se ne mund të arrijmë ato që duam! Sepse ata që kanë vendosmëri për t’u qëndruar parimeve, institucioneve, ata që duan t’i qëndrojnë deri në fund demokracisë, ata kanë vetëm një destinacion: fitoren!”, theksoi Dule. Ndërsa ka bërë të ditur se “në Bruksel nuk shkohet me vullnet politik të ngujuar në kutitë e votimit. Drejt BE-së shkohet vetëm me transparencë, demokraci e institucione të konsoliduara”.

Majko: Kjo betejë, jo për karrige
Deputeti i PS-së, Pandeli Majko tha në këtë miting se kauza e tyre është jo për të ardhur në pushtet, por për të vendosur një të drejtë. “Nga gjithë Shqipëria e për gjithë Shqipërinë, jemi mbledhur përballë kutisë së Sali Babës me 40 partitë e tij të koalicionit, për t’i thënë hap kutitë. Sot këtu shqiptarët shohin të majtë e të djathtë, jo për ca karrige, por për kauzën që ka filluar që nga qershori”, tha Majko. Sipas tij, “sot shqiptarët janë ndarë në dy pjesë, ata që duan të shohin votën e tyre, e ata të kutive të mbyllura, por sot 20 nëntori i mbushur kaq plotë, është shembulli më i mirë se kutitë nuk mund të mbyllen, se vota është këtu, e se ne e kemi fituar këtë të drejtë”. “Ne jemi këtu për t’i thënë Sali Babës se t’i nuk mund të na ndryshosh. Nuk do të lëvizim derisa të hapim kutitë, nga ky pushtet që e ka bërë këtë në pazar për ndarje kolltukësh, e jo në ndarje të majtë e të djathtë”, tha Majko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›