E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, 8 ligje për të lënë bojkotin

 Aristir LumeziPërfundimi i bojkotit të Kuvendit duket se nuk do të vonojë për deputetët e Partisë Socialiste.Në pamundësi të hapjes së kutive të votimit, socialistët kanë “nën mëngë” disa nga ligjet e miratuara nga maxhoranca aktuale, të cilat i kanë denoncuar si antikushtetuese. Pikërisht motivet që ata i cilësojnë si antikushtetuese për moratoriumin e skafeve, ligjin për Inspektoratin special të Ndërtimit, apo ligjin e taksave për biznesin e vogël dhe përmirësimet e ligjit për tokën bujqësore, pritet t’i detyrojnë ata të hyjnë në Kuvend për të bërë betimin. Pas betimit, ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për t’i rrëzuar këto ligje. Partia Socialiste si subjekt politik, nuk mundet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ligje të tilla, pasi ato nuk kanë lidhje direkt me interesin e saj. Kjo detyron deputetët socialistë të marrin mandatin e tyre dhe më pas t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Por ankimimi për këta ligje nuk toleron një periudhë të gjatë kohe pas hyrjes në fuqi të ligjit, pasi vetë ligji ka filluar të japë efektet negative antikushtetuese, siç edhe vetë deputetët socialistë i kanë artikuluar në konferencat e tyre për shtyp në selinë rozë. Por gjithashtu socialistët kanë nisur një aksion të gjerë që më 10 tetor të këtij viti në protestën e tyre të parë për hapjen e kutive të votimit, atë të mbledhjes së 20 mijë firmave që do të mundësonte paraqitjen në Kuvend të një projektligji për hapjen dhe hetimin e kutive të votimit. Selia rozë ka mbledhur disa herë më shumë se shifra 20 mijë firma nga zgjedhësit dhe pritet që kërkesën e projektligjin ta paraqesin në kuvend ditën e parë që do të bëjnë betimin. Por gjithashtu socialistët me hyrjen në Kuvend do t’u tregojnë shqiptarëve se interesat e tyre nuk janë vetëm kutitë e votimit. Janë të paktën tre çështje shumë të rëndësishme që kërkojnë dhe votat e socialistëve në Kuvend;  Ligji për konferencën Gjyqësore, Gjykata Administrative dhe miratimi në Kuvend i grantit të Sfidës së Mijëvjeçarit të SHBA-së. Mungesa e opozitës në Kuvend ka çuar në ngërç institucional dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili kërkon të zgjedhë dy anëtarë të rinj të tij nga konferenca e Gjyqësorit. Ligji për këtë çështje kërkon shumicë të cilësuar, që bëhet i pamundur për shkak të bojkotit të opozitës. Ligji për Gjykatën Administrative pritet të kalojë në diskutim në komisione dhe në Kuvend, pasi deputetët e PS të jenë ulur në vendet e tyre në parlament. Ky ligj është kërkuar me forcë ditët e fundit dhe nga përfaqësues të biznesit, që e cilësojnë atë si një zgjidhje të shpejtë të kontradiktave administrative. Përkujdesi i përsëritur i PS-së për të ruajtur biznesin e vogël nga rritja e taksave pritet të reflektohet në miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, i cili do t’i mbrojë bizneset nga arbitraritetet. Gjithashtu një tjetër çështje e rëndësishme që pret të marrë dhe votat e PS-së në Kuvend, është miratimi i grantit të Sfidës së Mijëvjeçarit të SHBA-së, i cili ndihmon Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit. Dy vjet më parë, ky grant ka marrë 123 vota të parlamentit shqiptar. Të gjitha këto çështje, të cilat kërkojnë votat e socialistëve në parlament e që janë dhe detyrim ndaj elektoratit të saj, pritet t’i japin fund bojkotit 4 mujor të saj. Ndërkohë një grup deputetësh, të njohur si Mendimi Ndryshe në PS, janë shprehur se nëse nevojitet vota e tyre për çështje me rëndësi kombëtare dhe integruese për vendin, do të hyjnë në Kuvend dhe nuk do të djegin mandatin e tyre.        Ligjet që kërkojnë opozitën në KuvendAnkimim në Gjykatën KushtetueseMoratoriumi i skafeveInspektorati special i NdërtimitLigji për taksat e biznesit të vogëlLigji për tokën bujqësore (shtesë)Makinat e deputetëveLigje që kërkojnë shumicë të cilësuar votashLigji për konferencën GjyqësoreGjykata AdministrativeSfida e MijëvjeçaritDorëzimi në Kuvend i projektligjitpër hetimin e zgjedhjeve me firmat e zgjedhësveAfati kushtetues për mandatet, 7 marsiSipas nenit 71 të Kushtetutës, mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Në pikën 2 të këtij neni theksohet se  Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b)kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d)kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh)kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Mbi bazën e kësaj mandati i deputetëve të PS-së përfundon me 7 mars të 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›