Te salloni i Sofisë - Në vend të kartolinës
MIRA ZOTOO Zot sa të pëlqen të bësh pazar për Krishtlindje! Ende nuk e ke ndarë mendjen se kujt do t’ia japësh dhuratat. Gjithsesi ato janë gjëra kaq të bukura që do të lezetonin çdo shtëpi (të paktën për një pjesë të tyre e thonë dhe etiketat ilustruese). çdo gjë shkoi për bukuri, me përjashtim të planit për të kursyer që nuk doli ashtu siç e kishe parashikuar. Po ç’rëndësi ka, të shkuara të harruara. Shpenzimi sjell mirëqenie. Po ta shohësh hollë-hollë është zgjidhja më logjike. Fitimi më i madh i shkon më shumë personalitetit të njeriut sesa kursimi. Thjesht fakti që nuk je më e detyruar të shohësh listën e çmimeve përpara se të zgjedhësh, seç të heq një barrë të rëndë. Tani mund të ulesh për kafe sa herë të të teket. Të dalësh nga shtëpia për të blerë një shishe ujë dhe të kthehesh me pazarin e radhës, e bindur se për to kishe shumë nevojë. I vetmi ndryshim, - krejt i papërfillshëm, - është se akoma nuk ia ke idenë se çfarë do të bësh. Si të fitosh më shumë, e kishe fjalën. Sa, për shembull?- e pyete veten tërë kuriozitet. E përse duhet ta dish që në fillim? A nuk është kjo puna e lekëve si ato çështjet e fesë që njerëzit me edukatë nuk duhet t’i zënë me gojë? Apo këto ditë festash, kur të gjithë harxhojnë si të çmendur, është e lejueshme të flitet dhe për paratë. Sofia duhet ta dijë këtë. Ja përse ma ka ënda të punoj në një vend me Sofinë, ajo i di mirë rregullat e shoqërisë sepse ka miq për të qenë.A e dini se një herë ka dalë për darkë me një deputete? Me të vërtetë e kam, nuk po mburrem, - dëgjova të thotë brunja e sallonit që ka nxjerrë rimelin dhe u bie përsipër qerpikëve që i ka të ngrirë nga të lyerit.Meqenëse gjithë paraditen ia kushtove ëndërrimeve për rimëkëmbjen tënde financiare, pjesën tjetër e kalove duke përfytyruar karrierën tënde si një grua të suksesshme. Kulmi arriti kur po mendonit nëse, në pritjet e fundvitit, do të visheshe me Prada apo Burberry. Ashtu e mjegullt nga lodhja e kishe harruar fare një tufë me fatura që do të shkarkoheshin nga llogaria sapo data të shënonte 1 janar, madje kishe harruar dhe gjithë atë ditë që të kishte shkuar për dreq. Por mos e torturo veten pse nuk i di të gjitha këto. Nuk është e thënë që të dimë gjithmonë se kush jemi. Nuk është e thënë që të kesh gjithnjë jetën në pëllëmbë të dorës. Ndonjëherë mjafton të dish se çfarë do të bësh menjëherë pas asaj që po bën tani. “Sofia” për më pak se një vit tregoi histori të Tiranës, që pak ose aspak shkruhen. Ishin historitë e femrave të “suksesshme” që ndihen shumë të lumtura se më në fund harruan “të hekurosin”: Historia e njerëzve si Gjergj Bojaxhi (ish-drejtori i KESH-it) që janë shumë të kualifikuar dhe nuk i mbijetojnë tregut të Tiranës. Fundi i lumtur i femrave të sapozgjedhura të parlamentit, që vetëm të buzëqeshin dinë politikisht. Historitë e shoqeve të çiljetës (ata që e njohin, thonë se ajo të paktën është vajzë korrekte). Sofia tentoi të tregojë historitë e atyre që kanë humbur ndjesinë e thjeshtë të qenit me këmbë në tokë. PAS SOFIESKur mbërrite në shtëpi gjete një tufë kartolinash. Ishin aq të bukura, por asnjëra prej tyre nuk ishte shkruar me dorë. Në fund mbanin një shkarravinë, që në kohët e sotme mund të quhet dhe firmë. Ka të ngjarë që kështu e do zakoni sot. Njerëzia nuk reshtin së dërguari kartolina për hiçmosgjë. S’po di më ç’duhet dhe ç’nuk duhet të bësh me to (duhej të kishte të paktën dy rreshta në ndonjë libër sjellje mbi etikën për këtë punën e kartolinave). Të jenë thjesht për mirësjellje, apo diçka tjetër? Dhe nëse është diçka tjetër, ç’të jetë vallë?