Sonila Meço - Rituali im i Vitit të Ri
Anila Mema Nuk ka trishtim më të madh se të mos zgjohesh fëmijë mëngjesin e parë të vitit”, thotë prezantuesja e njohur Sonila Meço. E veshur me të kuqe, në mos kokë e këmbë, të paktën me një aksesor të tillë, simbol i pasionit, pret ndërrimin e viteve. Ndryshe nga kohët kur ishte fëmijë, kur e ëma i vishte një triko plot ngjyra të thurrur me shtiza, e çorape leshi, padyshim të reja. Rreth pemës moderne me poça shumëngjyrësh, plot dhurata poshtë saj, ndryshe nga pema e viteve të shkuara, zbukuruar me letra çamçakëzash e shirita letre të ngjitur me vinovil, bashkë me njerëzit më të dashur do të presë ardhjen e 2010-tës. Kështu ka vendosur kësaj here! por, Sonila na sjell këtë herë një rrëfim për kujtimet e fëmijërisë, pritjen e festave, bredhin, babagjyshin, dhuratat, përjetimet, perceptimet për vitet e ndryshme deri sot, në prag të festimit të 2010-ës. Si i kujtoni festat e fundvitit kur ishit fëmijë? Si i festonit ato? ç’ndryshime kishin nga sot? Për fat në atë botën tonë të vockël materiale, mendja nuk kushtëzohej nga mungesat e shumta. Sepse fëmijë, ndërtojmë universin ngjyraplot që ka kodet, horizontet dhe koordinatat e veta. Ndoshta ky qe dhe “shansi” ynë, ta përjetonim fëmijë periudhën e vështirë të viteve të diktaturës. Andaj i kujtoj me ngasjen prej fëmije të lumtur ato kapërcimet 12 mujore që më shumë se për dhuratat nga “puna” e babit apo e mamit, më avisin emocionin e një zgjimi në ag, pritjen e paduruar për programin e fëmijëve dhe kënaqsinë e patreguar për të përjetuar mesnatën, terrenin misterioz të fëmijërisë. Nuk do isha e besueshme po të krahasoja të njëjtën ngjarje kalendarike përjetuar në moshë të ndryshme. Mbarsja fëminore në vigjilje të festave është humbja më e madhe për njeriun e nuk ka trishtim më të madh se të mos zgjohesh fëmijë mëngjesin e parë të vitit. ç’simbolizonte asokohe ardhja e Vitit të Ri për ju?Për një fëmijë simbolika tretej në ca qese të kuqe mbushur me karamelka e bonbone, në një kapele konike kartoni zbukuruar me ngjyra e varak, në ca shirita me letër punëdore që vareshin mbi kokat tona në klasë dhe kartolinat me nuse fshati, pambuku me aromë spitali, letrat e çamçakëzave mbledhur me sakrificë vendosur shpengueshëm në një bredh ku në majë patjetër duhet të vezullonte ylli. Dhe mandej ca dhurata që ngjanin tepkë me ato të shokëve të pallatit, përpjekja për të gjetur bakllavanë e fshehur në pritje të sherbetit, vizitat në fis me babin për dore dhe shkelja e ca rregullave strikte në familje në suazën e festës dhe atmosferës së saj. Asnjë dilemë, ankth apo emocion negativ, asnjë përsiatje, pendim apo refleksion përmbi. Thjeshtë gaz e hare, puthje e përqafime, fjalë të ëmbla e urime klishe. Sa i besonit babagjyshit të Vitit të Ri kur ishit fëmijë?Nuk di të kem patur besim të marrë apo traumë të parekuperushme prej ekzistencës së tij. Më ka pëlqyer ideja e një fluturimi përrallor të një babagjyshi nga i ftohti polar me slitë drej shtëpisë sime, mbërritja si shpërblim për sjelljen e mirë, dhuratat e mbështjella gjithëherët bukur dhe ikja e tij e butë, plot urime në çdo skenar televiziv. Më vonë kam besuar në dashurinë, bujarinë dhe mirësinë e një personazhi të urtë. Ka gjëra që as të rriturit e as fëmijët nuk i shohin. Jo të gjitha mrrekullitë shihen me sy në këtë botë. Vetëm besimi, poezia, dashuria, romanca mund të zhbëjnë skepticizmin për të parë bukurinë dhe lavdinë e imazhit të tij. Kur e keni festuar ndërrimin e viteve, për herë të parë jashtë shtëpisë?Në ndërresën e 15- të viteve. Atëherë kur ora 12 nuk shënjonte më pritjen e magjishme të një viti tjetër, por ngasjen për të takuar shokët e klasës në mesnatë. Periudha e gjimnazit është ndër më të bukurat në jetën time, kohë miqësish të rralla e përjetimesh fërgëlluese. Një ndër ritualet që krijuam që në vitin e parë të njohjes qe mbledhja pas mesnate në një nga shtëpitë e shokëve të klasës. Asnjë rezistencë nga prindërit, asgjë e jashtëzakonshme për moshën. Ideja e të qënurit bashkë në atë orë për të konsumuar qyfyret e ditës nën petkun e natës së festës dhe shpengimit kolektiv, e bënte 1 janarin ëndrrën e një semestri.Po këtë vit si keni menduar të festoni? Ku, me kë?Adoleshenca është mosha kur të lejohet të festosh deri vonë dhe jashtë madje, tek 30-tat është peiudha kur shpesh je e detyruar t’i bësh këto veprime (qesh). Për mua Viti i Ri është ditëlindja e gjithkujt e për këtë arsye ia vlen ta ndash me ata që ke më për zemër. Do të jemi me Drinin dhe me prindërit tanë në një darkë familjare. I shoh gjithnjë e më rrallë prej angazhimeve të punës, andaj me kënaqësinë e një nate të gjatë me ta vendosëm të festojmë, me më të shtrenjtët një mbrëmje ndryshe nga ato të tre muajve të fundit.Festoni më tepër Krishtlindjet apo Vitin e Ri?Të dyja, për arsyen e thjeshtë se Krishtlindjet përkojnë me ditëlindjen e sime motre dhe në shtëpinë tonë edhe kur nuk lejohej të nëpëmendeshin e jo më të kremtoheshin festat fetare, 25 dhjetori na gjente në argëtim. E mandej viti i ri është një rilindje për këdo. Një parathënie e freskët e një ndarjeje të re kalendarike, një përballje me fytyrën drejt së adhmes pa asnjë vëmendje për ç’lë pas. është nata e premtimeve që i bëj vetes, mbi të gjitha të ngrihem mbi tiraninë e gjërave të parëndësishme e t’u jap dimensionin e vërtetë ngjarjeve, njerëzve, zgjedhjeve në jetë. Cila është veshja që preferoni për fundvit?E kuqe, patjetër. Në mos kokë e këmbë, të paktën me një aksesor të kuq. është ngjyra e pasionit dhe nëse nuk e sygjestionon kapërcyellin e viteve me një dozë të fortë emocioni, vështirë se do ta ndjellësh fatin në ndonjë ditë tjetër të vitit për të veshur me pasion zgjedhjet e tua. Dhuratat i keni bërë gati, sa e gjatë është lista për to?Jo shumë. Të paktë janë të shtrenjtët e zemrës, për fatin tim e atë të kuletës (qesh). Por çdo fundvit, një ndër kënaqësitë më të përkora është “bredhja” për të gjetur atë objektin e thjeshtë që do t’i falë buzëqeshjen e të qënurit i rëndësishëm për mua njerëzve që dua më shumë.