E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luli Lleshanaku - Si u bëra nuse pa dhëndër

 Ani LoriVelloja e nusërisë, një ëndërr që pothuaj lind me vajzën. Kot thonë ca e ca, se nuk e kanë problem që s’kanë hdhur një vello nusërie. Të tjerë e justifikojne “shpërfilljen” e fustanit të bardhë, me llogjikën e kohës, mentalitetin, modernizmin, e kushedi çfarë. Por pavarësisht të gjithave, çdo grua dëshiron të ketë veshur një vello, një herë në jetë. Luli Lleshanaku, as që e kish menbduar në të vërtetë. Donte të bënte një dasmë, jo se i pëlqente, por se donte familja. Dhe fustani i bardhë ishte gjëja e fundit që i shkoi ndërmend. Madje hiç fare s’ishte në listën e prioriteteve të asaj darke familjare, që nënkuptonte dasmën e Lulit, në Krujën e këtu e 20 viteve të shkuara. Por diksuh ia solli një vello, e ajo vendosi ta veshë, “sa për të bërë një foto”. Meqë dhëndri mungonte në atë darkë familjare, fotoja e ka regjistruar të vetme nusen e pazakontë. E mbajti fustanin e veç pak orë veshur, e hoqi, me të mbaruar darka, e u nis të nesërmen, drejt dhëndrit (nuk shkoi ai ta merrte nusen), me autobuzin e linjës, Krujë -Tiranë... Por pse, kjo dasëm e pangjashme me të tjerat? Luli Lleshanaku, gruaja e Lazër Stanit, rrëfen...Në nëntorin e 20 viteve të shkuara ju jeni martuar… Si ju vijnë ndërmend jehonat e dasmës?Nuk e di a mund të quhej dasëm, pasi nuk kishte asgjë tradicionale në të. Thjesht kishim vendosur të jetonim bashkë, por, në atë kohë bashkëjetesa ishte e pamundur, ndaj duhet ta zyrtarizonim disi së paku në sytë e familjes. Pra, duhej të figuronim të martuar. Ama, duhej bërë një një dasëm “pa rënë në sy”?Po pse pikërisht kështu, teksa dasmat rëndom janë të zhurmëshme. Gara bëhet për përmasat sa më të mëdha të festës…Në rastin tonë ishte një arsye. Duhet të shtynim sa më gjatë të ishte e mundur pasojat politike të kësaj martese për tim shoq. Lazri në atë kohë punonte gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë” që ishte organ i Komitetit Qëndror të Rinise (bëhet fjalë për vitin 1989), kurse unë isha e “bija e armikut” të klasës. Dihej që pasojat nuk mund të shmangeshin siç edhe nuk u shmangën, por ne thjesht po përpiqeshim të fitonim pak kohë, për të gjetur mbase një zgjidhje tjetër…E që t’i kthehemi dasmës: Nuk ishte pjesë e planit as fustani i nusërisë e asgjë tjetër simbolike. Megjithatë të shtunën, Merita, një nuse e familjes që punonte si parukiere, më solli një fustan të bardhë nusërie, dhe më bindi ta vishja vetëm për disa orë, “sa për të pasur disa forografi kujtim nga dama”. Fustanet e bardhë në atë kohë merreshin me qira; ai s’mund të ishte ekskluzivitet i askujt. Visheshin të shtunën e të dielën, të hënën laheshin e hekuroseshin, dhe prenotoheshin nga dikush tjetër, për të dielën pasuese. Gjithsesi, kuptoj që nuk ishte një zgjedhje e paramenduar e juaja. Jua sollën. I bukur? I përshtatej shijeve tuaja?çuditërisht ishte shumë i thjeshtë, por, i prerë me shumë shije për atë kohë. Më pëlqeu menjëherë. Nuk pagova asgjë për të, m’u bë dhuratë. Më thanë se është qepur nga Edi Luarasi. Unë nuk e dija asokohe se kush ishte Edi Luarasi. Nuk e dija se ishte një aktore shumë e njohur e cila ishte dënuar për motive politike; nuk e dija as se i shoqi ishte Mihallaq Luarasi dhe që Edi punonte si rrobaqepëse në shtëpi, për të mbajtur familjen. Vonë, në vitet ’90, kuptova se ndihesha mirë rastësisht fustanin tim e kishte qepur kjo aktore. Nga ana tjetër, gjej një rastësi të çuditshme fatesh, midis saj edhe meje. Sidoqoftë, duke qenë pak supersticioze siç jemi të gjithë nganjëherë, mund të them se ai fustan më solli fat. Kam pasur një jetë shumë të mirë me tim shoq.Prit… Po detajet e tjera: grimi, flokët, atmosfera…M’u bë një tualet i rastit dhe në darkë para gjumit, hoqa karficat, shtriva flokët dhe u ktheva në gjendjen e mëparshme. Në një nga poezitë e mia të titulluara “Flashback” shkruaj për këtë, dhe nuk më harrohet sidomos shikimi i sime mëje, gjithë frikë se çfarë do të më priste pas kësaj martese që i kapërceu parashikimet e tyre. Që në fillim, dajat nuk ishin dakord për këtë martesë. Ata e pëlqyen shumë tim shoq që në momentin që e panë, por, sipas tyre, nuk dihej se sa gjatë mund t’i rezistonte ai presionit nga kjo martesë, dhe se “ai nuk e di mirë se ç’janë në gjendje të bëjnë këta.”. Me “këta” nënkuptoheshin komunistët dhe përpiqeshin të shmangnin “fyerjen” që mund të vinte nëse ai më linte duke qenë nën presion. “Ai, nuk është rregjur me vaj e uthull si ne”, thoshnin. Kjo ishte pak a shumë atmosfera. Gjithsesi, unë kisha një fytyrë shumë të lumtur. Thjesht isha shumë e dashuruar me Lazrin e nuk mendoja më gjatë. Kam qenë vetëm 21 vjeç dhe nuk kisha asgjë tjetër veçse intuitë për të besuar tek burri që kisha zgjedhur.Pra, ju u bëtë nuse me vello vetëm për disë orë...?Po. Nusërova para vetes në një farë mënyre, sepse në shtëpi hynë e dolën vetëm rrethi shumë i afërt i familjes dhe një shoqe e sime mëje. U bë nje darkë shume e vogël…Cili ishte reagimi i dhëndrit për pamjen e nuses?Ai s’më ka parë me vello. Të nesërmen e darkës së ngushtë familjare, daja më solli në Tiranë me autobus, ku me priste im shoq. Në dorë kisha vetëm një valixhe me pak rroba. Kisha veshur një fustan stofi dhe këpucë me taka. Megjithatë ai, kur më pa disi të ndryshuar, me gjurmët e tualetit të një dite më parë në fytyrë, nuk i pëlqeu fare. Shkuam në redaksinë e tij ku për fat nuk kishte askënd sepse ishte ditë pushimi, dhe unë pastrova mirë fytyrën, hoqa fustanin dhe vesha një palë pantallona kadifeje, zëvendësova këpucët me taka me një palë atlete, dhe u nisëm për në Shkodër me tren, tek e motra.Tek motra e burrit menjëherë pas martesës! Zakonisht është momenti për tu nisur për një udhëtim mjalti…Epo… Siç e mora vesh atë ditë, as dhomën që kishte pasur Lazri në konviktin e pedagogëve, nuk e kishte më; ia kishin marrë një javë më parë.Gjithsesi ai nuk më pa të veshur nuse. Vajzat habiten kur nuk na shohin bashkë në foto, dhe ai duke qeshur u thotë: “Nuk e di se me kë është martuar, se unë nuk jam aty”.Dajat tuaj i trembeshin pasojave të kësaj martese. Dhe në fakt ishte viti 1989. A pati pasoja në të vërtetë?Gjithë kolegët e tim shoqi, e dinin pak a shumë se ne ishim të martuar; e dinin edhe kush isha unë. Kur e kërkoja tek recepsioni poshtë ose në telefon, ndonjëri i thoshte me shaka: “Hajde se të kërkon mbesa e Xhaferr Devës”. Pra e dinin që kisha një background të “rëndë politik” duke qenë se ime më ishte e mbesa e Abaz Kupit, dhe im atë i vëllai i Alush Lleshanakut. Më keq nuk kishte si  bëhej. Më kujtohet se kur i tregova Lazrit edhe për dajën që e kisha në burg, ai tha duke qeshur: ”Hajt se nuk ndryshon gjë; një qershi sipër tortës është”. Natyrisht dikush e nxiste “për mire” të hiqte dorë prej meje, se “nuk ia vlen t’ia falësh dreqit të gjitha, për një copë grua”, sepse ai regjim i toleronte të gjitha, por jo “bashkëjetesën me armikun e klasës”. Ai i kishte arritur të gjitha vetëm me punën e tij, dhe do të ishte mëkat t’i humbte të gjitha “vetëm për një copë grua”. Por mes tyre, kishte edhe njerëz të mirë që e mbështetën në këtë rast, me aq sa mundej, sigurisht. Njëri prej tyre ka qenë Mehmet Elezi, sekretar i Parë i Komitetit Qëndror të Rinisë së asaj kohe, sot ambasadori jonë në Zvicër. Ai edhe pak të tjerë, luanin rolin e atij që nuk dinte gjë, deri kur situata nuk mund të mbrohej më.E kur ndodhi kjo?Në verën e vitit 1990, nga qeveria e asaj kohe, u krijua iluzioni që shqiptarët mund të dilnin jashtë shtetit, mjafton që në pasaportë të viheshin emrat e disa shteteve si destinacion. Unë e çova pasaportën në Degën e Punëve të Brendshme dhe kur shkova ta merrja, nuk ma dhanë, por më morën brenda dhe më dërguan në zyrën e kryetarit të Degës, i cili më vuri para një presioni të tmerrshëm psikologjik, duke më përmendur vargun e kushërinjve të mi që punonin kundër pushtetit popullor në perëndim dhe pasaportën nuk do të ma kthente deri në një moment “reflektimi” nga ana ime. Kur ia tregova tim shoqi ngjarjen, ai shkoi e takoi kryetarin e Degës dhe duke mos i lënë gjë pa thënë se ku e gjente ai të drejtën të bënte presion në emër të pushtetit mbi një vajzë të re. Ishte shumë elokuent e nuk ia dilte kush me fjalë, por habitem për kurajon, të cilën natyrisht e pagoi.E pagoi… edhe pse tashmë 1990-ta kishte mbërritur?!Po. Pas kësaj, letrat nga Dega e Punëve të Brendshme të Krujës kundër tij, u bënë të papërballueshme. “Si vazhdoni ta mbani akoma në punë “filanin” i cili është martuar me “filanen”?” Ishte ende i fuqishëm Sigurimi i Shtetit në atë kohë. Jo vetëm kaq, por gëluan peticione nga organizatat e rinisë së Krujës, dhe organizata të tjera të masave, për të cilat më vonë mësova që ishin vetëm falso, sepse ato i kishin kurdisur vetëm nja dy a tre individë. Njëra prej tyre ishte një mësuesja ime e biologjisë shkollës tetëvjeçare, jo krutane, por e ardhur në Krujë, të cilës nuk i mjaftuan peticionet por nuk la derë pa trokitur për të shkatërruar tim shoq. Kurrë nuk kam patur ndonjë fërkim me të, dhe nuk e kuptoj sot e kësaj dite se ç’e shtynte të ishte kaq agresive. Edhe shumë gjëra të tjera nuk i kuptoj akoma, por me sa duket nuk duhet doemos një motiv për të bërë keq.Kështu, në shtator të vitit 1990, vetëm dhjetë muaj pas martesës sonë, tim shoq e hoqën nga puna “për qëndrim liberal” dhe e caktuan mësues në fshatin Kllojkë të Tiranës. Ishte një lloj internimi. Ai nuk shkoi as edhe një ditë në Kllojkë, dhe duke qenë pa shtëpi, pa punë, pa perspektivë, ne kishim vendosur të arratiseshim në dhjetor të atij viti nga Thethi, sapo të fillonte dëbora, sepse në kushte të zakonshme të motit, arratisja ishte e pamundur. Për fat ndodhën ato që ndodhën në nëntor, dhe nuk qe nevoja të arratiseshim, sepse jam krejt e sigurtë që unë nuk do të isha e aftë fizikisht të kaloja kufirin, dhe asnjëri nga ne nuk do t’i mbijetonte kësaj aventure. Pse çfarë ndodhi në nëntor?Iku Kadareja. Ky veprim zgjoi një lloj rebelimi në radhët e intelektualëve. Në nëntor të atij viti, Sigurimi i Shtetit përhapi lajmin që unë dhe im shoq ishin vrarë në kufi, me sa duket si një mënyrë për të bërë presion mbi të tjerët, se “kjo ju pret, po ngritët krye”. Shokët, kolegët e Lazrit e dinin; e gjithë familja ime përveç mamës dhe motrës, e kishin marrë vesh, dhe na kanë qarë së gjalli. Në Konferencën e radhës së Talenteve të Reja në Korçë, i ndjeri Teodor Keko merr fjalën dhe pasi bën një hyrje shumë diplomatike, hap çështjen tonë se “kemi dëgjuar që ata të dy janë vrarë në kufi” dhe se “i kaloi koha persekutimit për motive politike, kur ata janë të dy të talentuar”, etj, etj. Besim Fusha, fotoreporter i asaj kohe, në një libër që ka botuar kohët e fundit, shkruan për këtë ngjarje dhe mënyrën se si ajo u perceptua në Tiranën e asaj kohe. Si përfundim, u tha hapur që ne “ishim shëndoshë e mirë” dhe Dritëro Agolli mori përsipër të punësonte Lazrin në gazetën “Drita”. Me kaq u rikthyen shpresat dhe u shmang arratisja. Në ’91, ndodhën ato që ndodhën dhe ne u kthyem në Tiranë. Unë fillova universitetin vetëm në shtator të 1991, kur shkolla u çlirua nga kriteret politike, dhe kur unë isha nënë me fëmijë 3 muajsh. Duke iu kthyer dasmës që ishte edhe shkaku i kësaj interviste a keni ndonjë peng për të? Ndoshta ju vjen keq pse s’e keni një foto me dhëndrin…Jo. Asnjëri nga ne nuk është tip ceremonial apo formal. Jemi tepër privatë për të bërë një “show” para të tjerëve apo vetes. Me shaka kemi thënë njëqind herë që do të martohemi në kishë, por natyrisht nuk e bëmë. Thjesht mund të kishim pasur një ceremoni të thjeshtë diku, po pa atë frikën e së nesërmes që kishim të stampuar në fytyrë. Por ajo që më bën të habitem është fakti se sa i varur nga politika ka qenë çdo moment në jetën time. Dhe në një farë mënyre, prapë vazhdon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›