PS: Administrata në mitingje, padi në prokurori

Partia Socialiste e Shqipërisë ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal për përdorimin e administratës dhe nxënësve në mitingje elektorale nga PD-ja.
Padia është dorëzuar në Prokuroriu nga nënsekretari për çështjet zgjedhore në PS, Bledar Çuçi i cili theksoi se ky kallëzim është ndaj disa drejtuesve të institucioneve që detyrojnë vartësit të marrin pjesë në fushatë elektorale.
Sipas tij kreu i PS-së Edi Rama i ka kërkuar prokurorit të përgjithshëm një task forcë për të hetuar këto raste. Ndërsa vetë kryesocialisti Rama është shprehur në rrjetin social “Twitter” ku ka falënderuar dy mësuesit nga Roskoveci të cilët kanë denoncuar drejtorin që i kërkonte të dilnin në mitingje.
Sipas Ramës në 23 qershor do marrë fund robërimi i nëpunësve të shtetit dhe Rilindja do nisë nga çlirimi i mësuesve dhe i shkollave prej dhunës politike./Indeksonline/