E Shtunë, 31 Tetor 2026

Soçi 2014 dhe Shqipëria e sotme

Do të më pëlqente që ky koment i radhës të endej mes mbresave të pashlyeshme të përjetuara prej ekipeve gjermane të Bajernit të Mynihut dhe Borusias së Dortmundit në ndeshjet e para gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të Europës, ku nëpërmjet lojërave të tyre spektakolare ata mposhtën dy prej gjigantëve të futbollit botëror: Barcelona dhe Reali i Madridit dhe që sipas asaj që po flitet tani prej specialistëve më në zë, përbën një risi për futbollin e sotëm modern, por ja që një ngjarje jo fort pa rëndësi nga sporti ynë më detyroi t’i jap një tjetër kahje problemit që do të trajtoj. Është fjala për ekipin tonë të Partizanit që, thuajse i harruar pas gati katër vitesh arrati’ nëpër “humbëtirat” e kategorisë inferiore, prej njerëzish e rrethanash gjithsesi misterioze, javën që shkoi arriti të sigurojë përsëri biletën për në elitën e futbollit shqiptar. Ishte logjike që emisioni sportiv televiziv “Skaner Kampionat” ta trajtonte me entuziazëm këtë ringjitje të Partizanit në skenën e më të mirëve. Ndër të tjera, nga elementët e përmendur, që e bënin më të besueshëm portretin e tij për të ardhmen, ishin edhe pamjet e ofruara nga kamera ku dukeshin konturet ende në formim e sipër të fushave që po ndërtoheshin për ekipin dikur të lavdishëm, por deri dje i mbetur pa shtëpi e katandi(!?), që pas gjithë kësaj odiseje të vërtetë, do të ketë më në fund mjedisin e tij ku të rilulëzojë. Nuk mund të thuash se ishte diçka sugjestionuese kur shihje vetëm një buldozer që shkonte sa në njërin cep të fushës tek tjetri, megjithatë atje po punohej dhe idetë e drejtuesve të Partizanit ishin të qarta për atë se çfarë synonin për të arritur, që ekipi të mos ndjehej më si një jetim, përkundrazi, t’i krijoheshin kushte sa më të mira dhe të luftonte për të rivalizuar me sukses, si dikur. Diçka inkurajuese për kushtet tona kur shteti e ka fshirë krejtësisht nga vëmendja pasurimin e infrastrukturës sonë të varfër sportive, ndërkohë që duhet të dalë ndonjë biznesmen-dashamirës i sportit apo i qytetit të tij, siç ka ndodhur në Kukës, që të marrë përsipër ndërtimin e një stadiumi! Ndërkohë që më vijnë ndërmend vende dhe shtete të tjerë, që ndryshe nga ne, bëjnë aq shumë për sportin...
 Të pranishëm këto ditë në Kongresin e 76-të të AIPS-it (Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Sportivë), që u mbajt në Soçi të Rusisë, së bashku me kolegun Besnik Dizdari patëm rastin të shohim edhe disa nga punimet rreth objekteve të panumërta sportive që do të jenë në përdorim për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit të ardhshëm që do të zhvillohen për herë të parë në atë qytet.  Natyrisht, nuk kam për qëllim të përshkruaj me hollësi se çfarë pashë në gjithë atë që përfshinte i ashtuquajturi Park Olimpik, ku kishin përfunduar së ndërtuari disa pallate sporti të arkitekturës më moderne për ndeshjet e hokeit në akull apo për garat e patinazhit e disiplina të tjera të shumta e të ndryshme që përmban Olimpiada; Nuk do të futem as në labirintin e atyre tuneleve të bobslayt apo trampolinat e skipistat e ngritura ‘fringo” të reja atje majë maleve mbi 2500 metra mbi nivelin e detit në Krasnaja Poliana, ku tani mund të ngjiteshe nëpërmjet teleferikëve, rrugëve, autostradave e urave gjigante mbi to, që kapnin një gjatësi të përgjithshme prej rreth 400 kilometrash, së bashku me metronë që prekte çdo arterie të Sochit dhe Parkut Olimpik... Por, tek shihja gjithë atë mal ndërtimesh pa fund atje si dhe gjurmët e pistës ku vitin e ardhshëm Rusia nëpërmjet Sochit do të bëhet mikpritëse për herë të parë edhe e një gare automobilistike të Formula 1, apo stadiumin olimpik në përfundim e sipër, i ngjashëm me ‘Folenë e Zogut” në Pekin, e që do të jetë i gatshëm edhe për ndeshjet finale të Botërorit 2018, që gjithashtu Rusia do të ketë fatin t’i organizojë për herë të parë, ndjenja e parë që më vinte ndërmend ishte një lloj ligështimi për atë se çfarë bën bota dhe sa jemi ne në gjendje të bëjmë realisht!? Gjeografikisht të shtrirë në një hapësirë të vogël,  kjo është diçka që nuk varet nga ne. Por të jemi kaq të varfër si vend, kur kemi mbi dy dekada që nuk arrijmë të ndërtojmë një pallat sporti apo stadium të ri, ndërkohë që vazhdojmë t’i rrënojmë edhe ato që kemi, kjo duket shumë dëshpëruese sidomos për shpresat e brezit të ri që kërkon të shohë ndryshimin e premtuar edhe në sport gjatë këtyre viteve demokraci. Bota e madhe dhe e zhvilluar bën gjithshka për t’na pranuar në gjirin e saj, si në rastin e ofrimit para ca ditësh të Kampionatit Europian të Peshëngritjes në Tiranë, ndërkohë që ne ja “shpërblyem” duke i vënë në dispozicion të vetmen sallë sportive që kryeqyteti ynë ka, të ngritur rreth gjysmë shekulli  më parë mbi skeletin e një ofiçine të shkatërruar të paraluftës!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›